Kur 1 shtatori bjen më 5 shtator
Nga Rrahman Paçarizi – Dita e parë e shkollës ka qenë dita kur e fitojshe statusin e pionierit (pas vdekjes së Titos “pionier i Titos”), në Kosovë, përkatësisht në ish-Jugosllavi. Në Shqipëri po ashtu e merrje titullin pionier, por “pionier i Enverit” dhe dilje nga kasta e yllkave dhe fatosave 1 shtatori prej se e mbaj mend ka qenë dita e parë e shkollës, përveç kur ka qëllu e shtunë ose e diel. Të lodhur prej pushimeve të gjata verore mezi kemi pritë me iu kthy shkollës – natyrisht pa e ditë mjaftueshëm rëndësinë e mësimit, por kryesisht për t’u kënaqë me shokë (jo edhe me shoqe, pak ma vonë ju kallxoj pse).
Ndër ditët më të rëndësishme në jetën tonë është pikërisht 1 shtatori, dita kur shkon në klasën e parë. 1 shtatorët e tjerë janë me hile. 1 shtatori i parë është ai që mbahet mend, pasi atë ditë e nis një jetë ndryshe, socializohesh, mësohesh me mbijetu, shfaq aftësi prej lideri ose nis e qan. Qarja nuk është fundi i botës – nganjëherë aty zë fill suksesi si kompensim a si hakmarrje. Dikë e merr malli për mamin a babin dhe qan, dike e ngacmon dikush dhe qan. Une, që shkollën e nisa në katund nuk i kasha këto telashe, tekefundit krejt klasën i njihja.
Por, nuk është se s’kam qajtë, ose kam qenë gati – kjo ka ndodhë kur mësuesi Lul na ka ulë në bankë me qika. Katastrofë aaa. Në shkollat e katundit s’ka pasë qaq bullizëm, po luftë për mbijetesë e dominim ka pasë. Gjithsesi, së paku dita e parë e shkollës është një traumë për fëmijët, ndaj edhe mbahet mend. Mu më kujtohet që kur ka hy mësuesi në klasë na kishe jemi çu në kambë, po aq të papërshtatshme kanë qenë bankat, sa krejt kemi përfundu nën banka – ose na kemi qenë tepër të shkurtër ose bankat tepër të larta. Pastaj, duke qene i bindur se vajzat i kanë flokët e gjata, ditën e parë të shkollës jam grindë më mesuesin se i para thanë për një vajzë që është djalë e jo vajzë. Këtë gabim s’e kisha bo mo kurrë, pasi do ta dija se kish me qenë ofendim për një vajzë me i thanë se po duket si djalë. Sivjet 1 Shtatori po i bjen më 5 shtator. Shumica syresh nuk e dinë pse është shty 1 Shtatori. Kurrë mos e kuptofshin. Shpresoj të mos e kenë dëgju ministrin e arsimit kur ka thënë se nuk kanë arritë me i siguru librat për mungesë buxheti.
Fëmijët kanë me u ndi keq. Kanë me e pa që shteti i tyre është i varfër ose menaxhohet keq. Fletoret me siguri i kanë ble tashmë, po librat? Ndoshta ma mirë me e pasë gjetë ndonjë tjetër arsyetim, sesa me ua kriju këtë ndjenjë të keqe fëmijëve. Sigurisht që ky arsyetim i ministrit është shumë ma i mirë se arsyeja e vërtetë e shtyrjes së shkollës. Unë e kam nisë shkollën më 1978 dhe qysh në klasën e dytë kemi dalë në të dyja anët e rrugës me e pritë Titon, i cili për herën e fundit po e vizitonte Kosovën. Menxi i patëm mësu vargjet “Mi smo titovi, Tito je nash” (Ne jemi të Titos, Tito është yni) teksa valviznim flamurthët e vegjël të Jugosllavisë, të Serbisë (me siguri) dhe flamurin me shqiponjë. Ma i miri në vizatim ka qenë ai që ka ditë me vizatu Shqiponjën e flamurit. Unë kam qenë i dyti në klasë, pasi Fahredinit, pasi ngatërrohesha te puplat ndërmjet flatrave dhe kthetrave. Nejse, se po rrëmbehna me dromca. Uuuu nime, se gati me harru – yllin sipas nuk ia vizatojshim – ndoshta kemi qenë fëmijë të politizuar. Pse të mos jenë edhe këta të tashmit. I bjen që këta fëmijë e kanë kuptu arsyen e vërtetë të zhvendosjes së 1 Shtatorit më 5 shtator. Nejse de. Kur isha në klasën e tretë nisën demonstratat për Kosovën Republikë. Krejt jeta pastaj na ka shku me protesta, me gaz lotsjellës, me të vrarë e të plagosur në demonstrata, na arrestuan, na përjashtuan prej shkollës, na kthyen prapë me provime me kalu klasën, na ndaluan regjistrimin në fakultet, prapë na lejuan, na përzunë prej objekteve të fakultetit, mbajtëm mësim gjithkah. Khuuuu 300 vjet i kam a.
E këta fëmijë më 5 shtator kanë me e nisë shkollën. 1 Shtatori iu shty për shkak se pozita dhe opozita në Kosovë kanë punë më të rëndësishme sesa mirëqenia dhe edukimi i drejtë i këtyre fëmijëve. Unë prej se jam ba me ditë e kam pasë veç një aspiratë – Kosova Republikë. Më 2008 kjo ëndërr u bë realitet (për mu me 1999, po nejse prapë). Tash, dikush po thotë që duhet më e rujtë shtetin e të tjerë po thonë që duhet me e rujt republikën. Mos me e ditë çka është ideologjia në gjuhë kisha mendu që bëhet fjalë për dy gjëra të ndryshme, po tash e di që termi republikë është term revolucionar, e ka në vete revolucionin, është marker ideologjik. Qaq ideologjik sa edhe shfaqje e inferioritetit. Në raportet gazetareske krejt thonë kryeministri i qeverisë së Republikës së Kosovës, sportistja më e mirë e Republikës së Kosovës, Republika e Kosovës ka kaq nevojtore publike etj. Thu që s’bën me thënë veç Kosovë – thjesht, si krejt bota që në komunikimin e përditshëm Francës (si simbol i Republikës) i thonë Francë e jo Republika e Francës. Po du me u kthy te fëmijët, por kot.
Kurrkush s’po do me u kthy te fëmijët. As qeveria që “s’ua ka ble librat”, as opozita që don me protestu bash qat ditë sepse qeveria bash qat ditë po do me votu demarkacionin, për me e zënë 5 shtatorin, me ymyt për liberalizimin e vizave. Po hajt bre se s’ka dert. Fëmijët rriten. Bile, revolucionarët kishin me thanë që kaliten më mirë kështu (Nikolai Ostrovsky e ka një libër “Si u kalit çeliku”). Ndoshta kaliten, ndoshta mësohen me jetu njëjtë. Djali im 18 vjeç kish me e përjetu si tragjedi mos me e pa Hashim Thaçin në pushtet, ose mos me e pa Albin Kurtin tuj gjujt me gurë e tuj u gaxhumit me policinë. Ndërkaq, i dyti, që shkollën e ka nisë pas pavarësisë e që është më pragmatik e përjeton keq kur nuk lidhen festat. Më doli edhe profecia e tij, se mësimi nis më 5 shtator, pasi kanë me e lidhë të enjten e të premten me uikend. Kështu është mësu…
Kështu kanë me u mësu edhe këta fëmijë që nesër është desht me shku në shkollë për herë të parë. Sepse, politikanët janë kthy prej pushimeve me energji të reja (veç pozitive jo) dhe duhet me kallxu që janë gjallë që po punojnë diçka. S’ka dert pse s’i kanë ble librat (e di bre që s’është puna te librat), s’ka dert që gjysma e shkollave të Kosovë janë duke u rinovu, s’ka dert që plot fëmijë kanë me shku në shkollë me sandale ose me çanta joortopedike që prindërit mezi ua kanë ble, s’ka dert që kurrkush në këtë vend nuk mërzitet për peshën e çantave. Me rëndësi është me e votu ose me e pengu demarkacionin. E fëmijët kanë me kqyrë në televizorë, bashkë me prindërit e pakujdeshsëhm e të shqetësuar, pamje që kanë me i kalitë, me i bë më të fortë, me i kalitë si çelikun që e kalitte (apo kaliste, s’di) partia. Këta fëmijë potencialisht kanë me qenë fëmijë të rrugëve. Matematika e tyre ka me qenë shumë relative, pasi ka mundësi që 1 Shtatori me ra më 5 shtator.
Gëzuar e suksese!


