FIDANISHTJA

Kuqi s’luan gjithkund

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Shefki Kuqi, ka qe gjashtë muaj që ka mbetur pa klub. Ofertat nuk janë duke i munguar, por sulmuesi vushtrrias po kërkon një klub serioz dhe që ka synime. Ai thotë se më mirë është të rri sesa të luajë në çfarëdo klubi.

Shefki Kuqi, prej që i ka dhënë fund aventurës te skuadra skoceze Hibernian gjatë verës që shkoi, ka mbetur pa klub.

Por, sulmuesit kosovar nuk po i ngutet të gjej klub të ri, pasi po dëshiron të luajë në një ekip serioz dhe që ka ambicie.

“Kam pasur disa oferta, por nuk kam qenë i interesuar të angazhohem në çfarëdo klubi. Objektivi im është të luajë në një klub që ka synime, përndryshe nuk do të luajë”, ka deklaruar Kuqi për Express.

Angazhimi në Oldham Athletic, gjatë sezonit 2011-2012, dhe Hibernian, në periudhën 2012-2013, i ka dhënë mësim Kuqit që mos të luajë në çfarëdo klubi.

“Dy klubet e fundit Oldham dhe Hibernian më kanë dëshpëruar. Para se të nënshkruaj për këto dy klube kemi pasur tjera fjalë, derisa më kanë dalë krejt ndryshe. Thjeshtë kanë qenë dështim”, tregon ai.

“Tash kam mësuar nga gabimet që kam bërë, dhe nuk dua të shkoj në ndonjë klub veç hajt të jem i angazhuar diku”, shtoi ish sulmuesi i përfaqësueses së Finlandës.

Ai tregon se gjatë karrierës gjithmonë ka luajtur në klube që kanë pasur ambicie.

“Me Ipswich Town kemi qenë pretendent për tu inkuadruar në Premierligë. Pastaj kam luajtur në Premierligë me Blackburnin. Po ashtu te Crystal Palace dhe Swansea kemi synuar Premierligën, të cilën nuk e kemi arritur për pak. Për mua nuk është e lehtë të luajnë klube që nuk kanë synime”, theksoi ai.

Fundamenti

Pavarësisht pse nuk ka luajtur qe gjashtë muaj, Kuqi ka qenë i angazhuar rreth pajisjes me licencë të trajnerit.

“Gjatë këtyre muajve jam marr me shkollimin për licencën e trajnerit. Unë do të vazhdoj të vazhdoj shkollimin për licencë pa marr parasysh a gjejë angazhim në ndonjë klub apo jo, pasi më kanë mbetur edhe pak kohë që ta përfundoj”, thotë Kuqi.

“Nuk mund të them asgjë rreth të ardhmes. Sepse në futboll nuk mund të planifikosh shumë, pasi gjërat mund të rrjedhin ndryshe nga ato që i mendon”, vazhdoi ai.

Oferta nga Australia dhe Amerika

Kuqi tregon seka pasur oferta serioze nga skuadrat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Australisë, por i ka refuzuar për shkak të largësisë.

“Kam pasur oferta nga klube serioze të Australisë dhe Amerikës. Por, këto i kam refuzuar shkaku i familjes. Nuk është e lehtë për familjen të shkosh në një vend të largët për një sezon”, përfundoi 37 vjeçari.

Kuqi pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin anglez. Ai në vitin 2000 nga ekipi finlandez FC Jokerit ishte transferuar te Stockport County.

Që nga ajo kohë Kuqi ka luajtur edhe për: Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, Swansea City, Derby County, Newcastle United dhe Oldham Athletic.

Kurse, në sezonin 2009–2010, 36 vjeçari e ka pasur edhe një eksperiencë të shkurtët te skuadra gjermane, TuS Koblenz, nga e cila u largua vetëm pas gjashtë muajve.