Fundamenti

Kuptimi i një jete atdhetarie, in memoriam: Sabit Rexhepi (1947-2020)

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Mehmetali Rexhepi – Sot, më 19 kallnor 2020 nga familja e shokut e mikut tonë të çmuar u dha kumti mortor: se pas një sëmundje të rëndë vdiq Sabit Rexhepi! Sabiti ishte veprimtar i pandalshëm kombëtar… I përndjekur e i burgosur politik për të drejta kombëtare të shqiptarëve, të mohuara me të gjitha mjetet e dhunës politike, policore, ushtarake e gjithfarë mënyrash nga Serbia, Federata Jugosllave dhe serbët lokalë. Sabit Rexhepi që në rininë e tij, kishte shfaqur trajta të ndryshme pakënaqësie ndaj politikës kriminale serbe-ortodokse mbi shqiptarët… Për bindjet dhe mos nënshtrimin ndaj pushtimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ishte ndjekur e burgosur disa herë, ishte gjykuar me disa vite burg nga policia gjakatare serbe-jugosllave… Burgosjet dhe torturat e shtetit të Jugosllavisë nuk e kishin thyer veprimtarin Sabit Rexhepi.

Brezi i tij i veprimtarëve “Për Republikën e Kosovës”, ishin regjur, forcuar e pjekur sipas urtisë: – E sheh rrushi-rrushin dhe piqet. Sabit Rexhepi në bashkëveprim me një varg veprimtarësh të ilegales, si: Nazmi Hoxha, Hydajet Hyseni, Bejtullah Tahiri dhe të tjerë, figura të denja, por këtu nuk mund të zgjatemi për të tjerët, zgjodhi rrugët e mundshme të veprimit, të demaskimit, të mosbindjes deri në kryengritje kundër krijesës shtetërore koloniale Serbe-Jugosllave… Shkaku i përndjekjes edhe pas gjykimit e mbajtjes së burgut politik, Sabitin e detyroi të arratisej fillimisht në Gjermani dhe të zhvendosej nga Gjilani, pastaj të vendosej përkohësisht në Shqipërinë Perëndimore-administrative. Rrethana e tillë për Sabit Rexhepin, Nazmi Hoxhën e të tjerë, ishte e detyrueshme, pos tjerash, që të mbaheshin materialisht dhe të ndihmonin familjen; njëkohësisht pa i pushuar përpjekjet atdhetare-politike për Lëvizjen Ilegale në Kosovë, përderisa të piqeshin kushtet për hapjen e të gjitha formave e mënyrave të veprimit legal kundruall okupatorit. Sabit Rexhepi në asnjë rrethanë nuk do ta ndalte përkushtimin, as kur “Erërat Demokratike” filluan t`i përmbysnin si “kartonë prej letre” regjimet diktatoriale moniste prosllave…Ishte njeri me etikë e besim të fortë në idealet atdhetare-çlirimtare.

Vuajtjet dhe mizorinë e inspektorëve të UDB-së ndaj të burgosurve paqësorë shqiptarë, Sabit Rexhepi i pasqyroi, edhe pse nuk ishte vokacion i tij shkrimi, në librin me kujtime e të dhëna të drejtpërdrejta, titulluar “Për Republikë”, publikuar në Gjilan, më 2012. Këtë vepër, me shkëputje përjetimesh personale, për trajtimet e policisë me frymë mizore jugosllave mbi rininë atdhetare të Kosovës, ky personazh dhe autor e quante roman, ndonëse është kronikë e dhimbjes dhe krenarisë sonë…

Miku e shoku jonë i çmuar Sabit Rexhepi, para se t`i vinte sëmundja, e cila kësaj radhe e mundi dhe e gatiti për botën e amshuar, la një familje të shëndosh, një kapital atdhetar e njerëzor të begatshëm, një karakter të njeriut, të prindit, të shqiptarit të sinqertë, urtarë e modest.

HW

Sabit Rexhepi ishte veprues edhe si kryetar i Degës në Gjilan i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Gjithnjë i pa përtesë për ta ngushëlluar të pikëlluarin, për t`i dhënë kurajë zemër-thyerit…
Sabiti ishte dhe mbeti shok i shokëve të idealeve! Me ftesën e të Madhërishmit Ai shkoi në amshim, por jo zemërplasur, sikurse shumë pararendës idealistë e atdhetarë!…
Zemërimet e qortimet e Tija për ndonjë keq-vajtje të shtet-ndërtimit, kishte besim se do t`i përmirësonin urtarët e frymës së qindra mijëra atdhetarëve e të dëshmorëve, gjithsesi edhe sipas modeleve të dy krye-prijësve, të dy Ademave!

Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, të Degës në Gjilan, kryetar i së cilës pikërisht në këtë mandat, ishte i ndjeri Sabit Rexhepi; familjes Tij të dashur, ish të burgosurve politikë, miqve, shokëve e të gjithë dashamirëve: ju shprehim mirënjohje e ngushëllimet më të thella me dhimbjen, krenarinë e sinqeritetin tonë për të ndjerin, prindin, gjyshin, vëllamin, shokun e mikun Sabit Rexhepi; për buzëqeshjet e Tija të çiltra që do të na mungojnë!

Lamtumirë Sabit, shoku, miku e bashkëveprimtari ynë i devotshëm!
Qoftë i pashuar ideali dhe emri Yt atdhetar!
I ëmbël qoftë dheu i këtij trualli që e deshe aq fort!
Lavdi!

Mehmetali Rexhepi, Gjilan, më 20 kallnor 2020

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.