Kupola e sistemit e bllokon reformën në drejtësi

Megjithëse institucionet e sundimit të ligjit në rrafshin e përgjithshëm kanë dështuar në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, nga analistët e kësaj fushe, njohës të afërt të zhvillimeve në sistem, akoma duket e pamundur agjenda e një reforme të thellë në sistem, me të cilën do të duhej të iniciohen ndryshimet në tërë kupolën e drejtësisë, duke përfshirë MD-në, KPK-në, KGJK-në, e me radhë organet e tjera, për shkak se kanë dështuar që të gjitha vendosjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.
Miftari: Pos politikës, e cila është kriminalizuar dhe korruptuar, edhe organet e drejtësisë janë të kriminalizuara dhe të korruptuara varg e vijë deri te zyrtari më i thjeshtë gjyqësor
“Për çfarë shërben ZPD-ja ose Zyra e prokurorit disiplinor dhe organizmat e tjerë të mbikëqyrjes së sistemit të drejtësisë, Komisionet disiplinore që udhëhiqen nga protagonistë të dyshimtë në KGJK dhe KPK, komisionet e performancës etj., nëse askush nuk ndëshkohet për punët e paligjshme që bëhen nga gjyqtarët që po shesin lëndë në bashkëpunim me politikën dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve. Me këta njerëz nuk mund të ketë as drejtësi të pavarur, por as inicim eventual të reformimit të sistemit tanimë të kapur thellë nga krimi e korrupsioni”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”
Megjithëse institucionet e sundimit të ligjit në rrafshin e përgjithshëm kanë dështuar në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, nga analistët e kësaj fushe, njohës të afërt të zhvillimeve në sistem, akoma duket e pamundur agjenda e një reforme të thellë në sistem, me të cilën do të duhej të iniciohen ndryshimet në tërë kupolën e drejtësisë, duke përfshirë MD-në, KPK-në, KGJK-në, e me radhë organet e tjera, për shkak se kanë dështuar që të gjitha vendosjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.
Prandaj, derisa ka një ndikim të thellë të politikës në këtë sistem, pritjet janë shumë pesimiste në atë se kur do të kemi ndonjë gjyqtar të penalizuar për shkak të dhënies së ndonjë vendimi në kundërshtim me ligjin ose kur do të kemi ndonjë prokuror të penalizuar, pse ai ka mbyllur hetimet apo rastet e pushtetarëve, qoftë me urdhra nga pushteti, qoftë me pagesa nga nëntoka kriminale.
KELMENDI: GJYQTARËT PO SHESIN LËNDË NË BASHKËPUNIM ME POLITIKËN DHE NËNTOKËN KRIMINALE TË MAFIO-OLIGARKËVE
Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se për vetëpastrim brenda institucioneve të drejtësisë, përgjegjësia bie mbi vetë ata që janë të caktuar dhe të pajisur me atë përgjegjësi që nuk po e ushtrojnë si duhet.”Vjen pyetja se për çfarë shërben ZPD-ja ose Zyra e prokurorit disiplinor dhe organizmat e tjerë të mbikëqyrjes së sistemit të drejtësisë, Komisionet disiplinore që udhëhiqen nga protagonistë të dyshimtë në KGJK dhe KPK, komisionet e performancës etj., nëse askush nuk ndëshkohet për punët e paligjshme që bëhen nga gjyqtarët që po shesin lëndë në bashkëpunim me politikën dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve”, potencoi ai. Sipas Naim Kelmendit, me këta njerëz nuk mund të ketë as drejtësi të pavarur, por as inicim eventual të reformimit të sistemit tanimë të kapur thellë nga krimi e korrupsioni. “Në të vërtetë të gjithë gjyqtarët e prokurorët janë të paprekur dhe askush nuk kërkon përgjegjësi nga ata. Dhe, tani faktikisht me këtë mungesë të llogaridhënies dhe pandëshkueshmërisë nuk do të ketë kurrë drejtësi. Fatkeqësisht po lejohet në këtë mënyrë që nëntoka kriminale me politikanët e nivelit të lartë ta sundojnë drejtësinë e të qëndrojnë gjithnjë “mbi ligjin”, në vend që ligji të sundojë në tërë Kosovën e nëpërkëmbur”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”
Politika e mbrapshtë, pengesa kryesore
Juristi dhe eksperti Blerim Burjani thotë se reforma mund të bëhet vetëm nëse kjo iniciohet si e pavarur nga institucionet e thirrura për ta bërë atë, jo nga politika.”Kjo çështja e reformimit të drejtësisë është ekskluzivisht çështje e këtyre organeve, KGJK-së dhe KPK-së, por pengesa më e madhe për reformë mbetet politika. Edhe Kadri Veseli ka thënë se politika nuk ka dorë në drejtësi, por gjendja mbetet e mjerë, asnjë politikan nuk është dënuar për korrupsion, për nepotizëm dhe për asgjë të vepruar në kundërshtim me ligjin, procedurat kanë qenë të gjata dhe në fund shpallen të pafajshëm”, u shpreh ai.”Dihet fare mirë që caktimi i politikanëve në poste drejtori në ndërmarrje publike bëhet me konflikt interesi, nëpër borde po ashtu dhe nuk ka fare për këto gjëra përgjigje as përgjegjësi nga klasa politike. Shteti ligjor nuk bëhet duke thënë fjalë të mëdha dhe pa interesim… tash për tash kështu si është gjendja nuk ka shpresë për gjyqësi të pavarur”, theksoi Burjani.
KELMENDI: NË BALLË TË MEKANIZMAVE TË DREJTËSISË JANË NJERËZIT E POLITIKËS, TË SHANTAZHUAR NGA POLITIKA DHE MAFIA OLIGARKIKE
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se nuk ka forca që mund të luftojnë krimin aktualisht.”Kjo për faktin se në ballë të mekanizmave të drejtësisë janë njerëzit e politikës, të shantazhuar nga politika dhe mafia oligarkike, nëse ata nuk punojnë sipas dirigjimeve që vijnë nga ata. Shantazhimi i organeve të ndjekjes dhe të luftimit të krimit politik, atij ekonomik, deri edhe të tradhtisë, vjen nga dy baza: 1. Në ballë të këtyre organeve janë vendosur ish-njerëzit e shërbimit sekret serb apo njerëzit nga familjet që i kanë shërbyer me besnikëri okupatorit. 2. Janë njerëzit e paformuar dhe shumë lehtë të shantazhuar nga ana e korrupsionistëve dhe mafiozëve ekonomikë dhe politikë”, potencoi ai. “Pa spastruar politikën dhe pa i dënuar mafiozët oligarkikë- ekonomikë, ky krim nuk luftohet. Kërkohet një angazhim dhe pjesëmarrje e gjerë në spastrimin e këtij sistemi politikojuridik në Kosovë. Unë mendoj se për të arritur këtë është vetëm VETTING-u ajo baza kryesore për spastrim. Dhe, pastrimi duhet të jetë i gjithanshëm”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”
Miftari: Afera ‘Pronto’ dhe shumë afera të tjera që na tregojnë qartë se si funksionon ligji, si zgjidhen gjyqtarët..
. Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se problemi i mosfunksionimit të ligjit është lehtë i kuptueshëm, pasi tregon shumë qartë se pos politikës, e cila është kriminalizuar dhe korruptuar, edhe organet e drejtësisë janë të kriminalizuara dhe të korruptuara varg e vijë deri te zyrtari më i thjeshtë gjyqësor. “Kur flasim për organe të drejtësisë dhe të mbrojtjes së ligjit, fjalën e kemi për hetuesin, prokurorin, gjyqësinë, burgjet dhe AKI-në. Ishte afera ‘Pronto’ dhe shumë afera të tjera që na tregojnë qartë se si funksionon ligji, si zgjidhen gjyqtarët, kryeprokurorët e zyrtarët shtetërorë. Pra, vërehet qartë se të gjitha organet e shtetit janë të vendosura dhe të rehatuara nga bosët e krimit të organizuar politik”, u shpreh ai.”Kurse sa i përket Prokurorisë Speciale, rasti i fundit i prokurorit Elez Blakaj tregon se çka i pret ata prokurorë specialë apo jospecialë që dalin nga urdhrat e bosëve politikë dhe tentojnë të luftojnë kundër krimit të organizuar, që bërthamën e kanë në Qeveri, Parlament dhe sidomos në Presidencë. Nëse i llogaritni zyrtarët gjyqësorë dhe ligjorë, si për shembull kryeprokurorin Lumezi, prokurorët Sylë Hoxha, Reshat Milaku, Drita Hajdari, e atë Kalludra e shumë Kalludrana të tjerë, si zyrtarë ligjorë, e keni gabim shumë pasi të gjithë këta e shumë tjerë janë vetëm balerina e baletanta kukulla politike e kukulla nga Teatri i Kukullave të krimit të organizuar dhe mafisë politike”, vijoi më tej Miftari për “Kosova Sot”. Sipas tij, nevojitet që t’i largojmë këta me rezistencë aktive qytetare, ku nuk duhet të përjashtohet as mundësia e revoltës së madhe popullore.
PRETENI: NË LUFTËN PËR LIRI I KISHIM RRETH 10.000 USHTARË, NË LUFTËN PËR SHTET NUK I KEMI AS 100! Edhe eksperti tjerët i kësaj fushe, Hasan Preteni, thotë se Kosova ka nevojë për luftëtarë e jo kalkulues në ndërtimin e shtetit. “Që 19 vjet jemi duke i humbur në ndarjen e meritave për kontributin në luftën e UÇK-së. Kemi harruar se përfundimi i një lufte duhet të pasohet nga fillimi i luftës tjetër. Luftuam për liri, tani duhet luftuar për shtet, derisa në luftën për liri i kishim rreth 10.000 ushtarë, në luftën për shtet nuk i kemi as 100. Po harxhojmë kohë në ndarjen e meritave për të kaluarën dhe kemi harruar angazhimin për të ardhmen”, u shpreh ai. “Kosova në këtë kohë ka avancuar vetëm në sport dhe në art. Nuk e kemi asnjë politikan, asnjë prokuror, asnjë gjyqtar, asnjë titullar të institucioneve shtetërore dhe asnjë aktivist tjetër në të gjitha fushat që është veçuar në angazhimet shtetërore. Nga heronjtë e luftës nga ata që me një armë të vjetër vepruan kundër tankeve e autoblindave kemi kaluar në fazën që të akomoduar në kolltukët e shtrenjtë nuk e bëjmë asnjë sakrificë. Ku është gjaku ynë patriotik? Flasim në përvjetor për sakrificën e individëve, por në të njëjtën kohë nuk jemi në gjendje të bëjmë asnjë sakrificë. Të flasësh për sakrificën e të mos jesh në gjendje të sakrifikosh asgjë, kjo është hipokrizi”, vlerësoi Preteni. Sipas tij, duhet pra gjithçka nga fillimi.”Një nomenklaturë politike e pastër, e pakorruptuar e njerëzve me integritet dhe moral të lartë shtetëror, e njerëzve që e duan shtetin dhe kontribuojnë për shtetin”, tha ai. “Të pasuruarit e shpejtë nuk duhet të na moralizojnë më! Mjaft më, qytetari duhet të aktivizohet dhe t’i dënojë të gjithë ata që fituan shumë dhe shpejt. Ky duhet të jetë fillimi, vetëm njerëzit e dëshmuar mund t’i udhëheqin proceset. Rasti i prokurorit Blakaj duhet të jetë fillimi. Blakaj, kryeprokuror, vazhdojmë me tutje”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)