Kundërmon “Mirusha” , mushkonjat terrorizojnë qytetarët, komuna hesht

Gjilan – Lumi “Mirusha” po bënë kërdi ditëve të fundit për shkak të erës e kundërmimit dhe për shkak të mushkonjave që po terrorizojnë qytetarët. Për shkak të mos dezinsektimit mushkonjat tani janë përhapur me të madhe derisa Demir Krasniqi krijues e këngëtar u ka shkruar në shenjë revolte edhe një poezi.
Demir Krasniqi qytetar e krijues i njohur që jeton përgjatë lumit “Mirusha” ka duruar mjaft dhe ka gjetur një mënyrë për të protestuar pse Komuna me kohë nuk e bëri dezinsektimin e qytetit.
I revoltuar nga kundërmimi dhe mushkonjat Demir Krasniqi shkroi dhe një poezi ku shprehu tërë mllefin e tij.
Krasniqi thotë për rajonipress se e bëri këtë sepse fajtor janë organet komunale gjegjësisht drejtoria e bujqësisë. “Asnjëherë nuk ka pasur mushkonja në fund të verës sesa tani. Ne po ngulfatemi nga kundërmimi dhe mushkonjat e shumta. Po na i shkatërron mushkëritë e shëndetin”.
Demir Krasniqi thotë se Gjilani nuk e ka merituar këtë mos përkujdesje. “Detyrohemi të jetojmë me shumë siklet sepse është vështirë të rrish në ambient të pastër nga ajri që kundërmon dhe mushkonjat që të terrorizojnë” thotë Krasniqi.
Ramiz Ramadani drejtor për bujqësi nuk ka gjetur kohë të flas me arsyetimin e ndodhet në një takim derisa vet Demir Krasniqi si dhuratë kësaj drejtorie i ka shkruar këtë poezi që është shumë aktuale./rajonipress/
Kundërmon lumi Mirusha
Tërbon male, tërbon fusha !
Tërbon qiellin, tërbon ajrin
Kurrë këtij lumi s’ ia pamë hairin ?!
Na e tërboi të gjithë qytetin,
Na i shkatërroi mushkëritë, shëndetin ,
T’ rijë e t’ vjetër kanë marrë ilet –
Kalojnë jetën si n’ tualet !…
Na i tërboi shpi e banesa ,
Se do t’ ndalet – nuk ka shpresa !
S’ ka pse del njeriu n’ terasë –
Prej erës keqe bahet me plasë !
Kundërmojnë kanalizimet,
Fëmijët ndërpresin lojërat, gëzimet ,
Nëpër kopshte thahen lulëzimet
Dhe krijuesve ua ndalë frymëzimet !…
Kundërmojnë erëra të rënda –
Këngëtarëve iu ndalet kënga !
Infektohen hunda e goja –
Mos me i mbyllë – t’ mbushen mushkonja !
Ditën s’ ke pse del n’ oborr –
Se t’ hyjnë n’ sy e të bëjnë qorr !
Natën s’ ke pse bien në shtrat –
Nuk të lanë me fjet rehat !
T’ çelin n’ gjak e infektohesh –
S’ gjen ilaç që të shërohesh !
T’ këputen këmbët , t’ lëshon elani –
A thua kështu meriton Gjilani ?!