Kundërmimi i Mirushës terrorizon qytetarët
Gjilan – Kundërmimi që vije nga lumi Mirusha tashmë është shndërruar në ankth për qytetarët e Gjilanit e në veçanti ata të qendrës. Pushteti komunal as që e ka ndërmend ta përmbyllë këtë kapitull të hidhur për Gjilanin.
Kundërmimi dhe era e keqe që vije nga lumi Mirusha po i terrorizon qytetarët e Gjilanit. Era e rëndë që vije nga ky lum ende i pambuluar dhe i parregulluar ka filluar t`i bëjë nervozë qytetarët.
Abdyli një banor gjilanas përgjatë lumit Mirusha thotë se jeta është bërë e padurueshme për ta. “Kemi pasur shpresa se kjo qeverisje komunale do ta vazhdojë rregullimin e lumit ashtu siç e filloj Qemajl Mustafa. Janë kryer disa kilometra, madje është kryer aksi më i vështirë, por tani ka një kohë të gjatë që nuk po punohet. Kjo vërtet është shqetësuese” shprehet ky qytetar.
Edhe Shaban Terziu nga shoqëria civile thotë se ky projekt i nisur duhet të përfundojë. “Gjilani duhet ta përmbyll këtë kapitull të hidhur. Mjaft kemi duruar kundërmim. Është koha që qeverisja komunale të reflektojë dhe të gjejë mjetet e nevojshme për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë” shprehet Terziu.
Ndryshe partitë politik pothuajse të gjitha gjatë fushatave të tyre zgjedhore mundohen të përfitojnë votues pikërisht nga lumi Mirusha duke ofruar zgjidhje për këtë projekt. Por deri tashti është i vetmi Qemajl Mustafa që kas pasur guxim ta fillojë këtë projekt duke kryer aksin më të vështirë./rajonipress/


