Hidromorava

Kultura e leximit dhe shprehia e kuvendimit

/ 4 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Kohëve të fundit, si duket qytetarin tonë e ka zënë një plogështi ndaj librit, ai më shumë shpenzon energji, duke kaluar kohën me muhabete nëpër kafene, restorante, oda e kuvende, se sa të merrej me lexim.

Po rastise të shëtisësh rrugës, apo të vizitosh kafiteritë tona jo të pakta, rrallë se mund të gjesh njeri me libra ose gazeta në duar, por të gjithë ose bëjnë muhabet, ose i shikojnë telefonat.

Kjo dukuri është shndërruar në një epidemi e cila sa vjen e thellohet te shoqëria jonë, po ngulfatet nga injoranca, padituria e mjerimi social.

Nuk mund një njeri të jetë i dijshëm, orator i formuar pa lexuar libra dhe pa shfletuar gazeta. Këtë e dinë të gjithë, por veprojnë ndryshe, duke dhënë një shembull të keq edhe tek brezi i ri, i cili duhet të edukohet dhe arsimohet me libra e gazeta e jo me celularë të shtrenjtë e makina luksoze.

Braktisja e librit dhe gazetave, në favor të internetit, facebook-ut dhe formave të tjera të komunikimit, po reflekton negativisht te sjelljet e njerëzve dhe shprehjet e tyre. Në mungesë të kulturës së leximit, në debatet tona televizive, pastaj në kuvendimet tona, gjithnjë e më tepër po përdoren shprehje banale dhe sjellje arrogante.

Kultura e mirësjelljes, edukimit, oratorisë, nuk arrihen pa lexuar libra dhe pa e kultivuar ndjenjën e dashurisë ndaj leximit.

Shprehia

Ka njerëz që thonë se na ka humbur shprehia e leximit, duke ia lënë fajin telefonave celularë. Kjo nuk është e vërtetë, shikoni vendet e qytetëruara dhe binduni se atje shpesh të bie gjatë udhëtimit më aeroplan, tren ose autobus , të shikosh njërëz me libra dhe gazeta në dorë. Por edhe në shtëpitë e tyre, vëren familjarët se si lexojnë, bile edhe librin e përdorin si terapi për t’i zënë më lehtë gjumi.

Por, tek ne është krijuar një përshtypje e mbrapshtë se përmes internetit, googl, më lehtë vjen te të dhënat për një ngjarje, histori etj. në formën më të shkurtë të mundshme. Për ta është humbje e madhe e kohës të shëtisësh për faqet e librit, apo gazetave, kur e ke të gatshme të servuar në internet, FC etj.

Uji Dea

Kjo shprehi nuk na shkon së mbari për një të ardhme të ndritur të dijes, kulturës dhe edukimit në përgjithësi. Duhet ngadalë e me dashuri t’i kthemi librit dritës së diturisë.

Institucionet tona arsimore, kulturore e informative, duhet më shumë të argëtohen me këso temash, që nxitin interesimin ndaj librit e shtypit, me projkete e forma të tjera joshëse për të kthyer shprehin e humbur ndaj leximit.

Edukimi

Me forma të ndryshme të edukimit, të cilat nuk mund të imagjinohen pa libra dhe gazeta, shoqëria jonë do të vetëdijesohet drejt rrugës së drejtë, që na e kanë trasuar të parët tanë, të cilët dikur nuk kishin televizorë, internet, celularë, po kishin odat tona filozofike dhe edukatën njerëzore.

Në mungesë të një shprehie leximi, sot nëpër debatet tona televizive, nëpër ndejat tona, qoftë edhe nëpër dasmat skandaloze, vërehen dukuri të pahijshme, të cilat e kanë burimin te mos leximi, injoranca, arrogance etj.

Edukimi për mes librit dhe informimi përmes gazetave, është forma më e mirë e ngritjes së diturisë dhe formimit të karaktereve të njerëzve, prandaj çdo hap pozitiv në këtë drejtim, do të ndikonte në ndryshimin e sjelljeve tona, që sa vijnë e çorodite.

Për fund

Në përmbyllje të këtij opinioni po ua përkujtojmë një shprehje anekdotike kineze: „Nëse planifikon për një vit – mbille fidanin, për 10 vjet – mbille pemën, kurse për 100 vjet – shkolloje popullin”, e shkollimi dhe edukimi i një populli, nuk arrihet pa lexuar libra dhe pa shfletuar gazeta, apo jo?!.