RCCOLA

Kujt po i pengojnë sukseset e SC Gjilanit?

/ 5 minuta lexim

SC Gjilani njihet si klub mikpritës dhe këtë e ka dëshmuar me vite të tëra në futbollin e Kosovës, duke i dhënë hijeshi futbollit të Kosovës si për nga mikpritja gjithashtu edhe për nga rezultatet e arritura në fushën e blertë të futbollit.

SC Gjilani me një traditë të madhe në futbollin e Kosovës dhe me tifozët “Skifterat” që tani po e festojnë 20 vjetorin e themelimit të grupit, në këtë kampionat të Superligës së Kosovës me plot meritë po i prinë tabelës së klasifikimit pas 15 javëve të zhvilluara, por në këtë edicion është ngritur pluhur i madh ndaj “kuqebardhëve” të Gjilanit pa asnjë arsye, duke dëshmuar se sukseset e SC Gjilanit po i pengojnë dikujt me të madhe.

SC Gjilani në këtë vit ka bërë “revolucion” në futbollin e Kosovës, duke sjell futbollist dhe trajner të kalibrit të lartë nga Shqipëria dhe vendet tjera.

Këtë bukuri të futbollit për dashamirët e futbollit Kosovar dhe FFK-së, e ka bërë të mundur njeriu i parë i klubit të SC Gjilanit, Florim Zuka, i cili për një kampionat derdh në klub mbi 2 milion euro, Zuka përpos që mban gjallë këtë klub ai mban gjallë në kompaninë e tij me qindra familje, në këtë krizë ekonomike e cila gjendet në shtetin e Kosovës.

Qëllimi i SC Gjilani që nga themelimi i saj ishte që të luajnë fair-play dhe dallimet racore e fetare të mos kenë vend në klubin e tyre, por i vetmi qëllim i këtij klubi është futbolli dhe vetëm futbolli.

Që nga nisma e këtij kampionati kur SC Gjilani me kualitetin e tyre të cilën e posedojnë me fondin futbollistik vazhdimisht është në kreun e tabelës së klasifikimit, por kjo dikujt po i pengon duke ja mohuar djersën futbollistëve të SC Gjilanit dhe vetë presidentit Florim Zuka, i cili po sakrifikon për të mirën e futbollit jo vetëm të SC Gjilanit por edhe atij Kosovar.

SC Gjilani nga 15 ndeshjet e zhvilluara, futbollistët e tyre janë ndëshkuar 50 herë me karton të verdhë dhe dy të kuq, kjo gjë ka irrituar dashamirët e saj dhe vet kryesinë e klubit.

SC Gjilani u dënua pas incidentit më Llapin kur u sulmua gjyqtari anësor, me dy ndeshje mos lojë në fushën e saj, pa praninë e shikuesve dhe me 5000 euro, ndërsa për ekipet tjera për të njëjtat incidente bile edhe më të rënda masat e dënimet kishin qenë më të vogla.
SC Gjilani në komunikatën e saj ishte arsyetuar për këtë incident të papritur, por delegati i ndeshjes dhe kontrollori i kësaj ndeshje nuk dihet se çka kanë shkruar në protokollin e tyre pasi 90 minutat e kësaj ndeshje kishin kaluar pa as më të voglin incident, këtë e kishte potencuar edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Fidanishtja

Federata e futbollit të Kosovës së bashku me delegatin e ndeshjes dhe kontrollorin e kësaj ndeshje, ka qenë dashur ta kenë parasysh se stadiumi i qytetit në Gjilan është duke u ndërtuar dhe se ka mënyra të ndryshme të involvohen shikuesit e padëshirueshëm dhe të krijojnë incidente.

Rasti tjetër është ndeshja me Drenicën e vlefshme e javës së 15-të, kur skuadra e SC Gjilanit akuzohet për fyerje racore drejtuar futbollistit Harmon Gbowea të Drenicës.
Një deklaratë e tillë e trajnerit, Tahir Lushtakut, ka ngritur reagime të ashpra tek opinioni futbolldashës jo vetëm në skuadren e Gjilanit por në tërë qytetin.

Lushtaku me deklaratat e tij të pavërteta dhe klubi i Drenicës fillimisht kanë akuzuar kapitenin e SC Gjilanit, Ylber Kastratin, ndërsa pas reagimit të kapitenit Kastrati për shpifje, KF Drenica akuzon Franc Veliun totalisht pa asnjë argument.

Për tu vërtetuar se gjithçka ka qenë e pastër si loti janë edhe xhirimet televizive, ku Federata e futbollit të Kosovës së bashku me delegatin dhe kontrollorin e ndeshjes duhet marrë masa të rrepta ndaj Lushtakut për shpifje dhe të kërkon falje publike SC Gjilanit.

Njerëzit e FFK-së është mirë të marrin informacione të sakta dhe të bazueshme e jo të merren me thashetheme, pasiqë nuk mundet të luhet me fatin e një klubi për shkak të disa individëve të cilët në çdo mënyrë po dëshirojnë ta njollosin SC Gjilanin dhe njerëzit që po mbajnë gjallë këtë klub.

Federata e futbollit të Kosovës, urgjentisht duhet që nëpërmjet njerëzve të saj të identifikohen të vërtetat dhe të pavërtetat, urgjentisht duhet arbitrave të ndeshjeve t’ju tërheket vërejtja për gabimet që po bëjnë në ndeshje duke ndikuar edhe drejtpërdrejt në rezultat, por veqenarishte duhet t’ju tërheket vërejtja dhe ti mobilizojnë delegatët dhe kontrollorët e ndeshjeve që të jenë objektivë në raportimet e tyre.

Në qoftëse nuk ndërmerren këto raste në mënyrë serioze atëherë futbolli i Kosovës po shkon drejt një humnere, duke i detyruar futbolldashësit dhe njerëzit që po mbajnë gjallë klubet të largohen të dëshpëruar.

SC Gjilani dhe shumë klube tjera të Kosovës kanë emër, kanë traditë dhe kanë sakrifikuar për këtë ditë të lirë, nuk do të lejojnë që djersën, mundin e sakrificën t’ja humbin disa njerëz të cilët nuk i kryejnë punët e tyre në mënyrë profesionale dhe ashtu siç e jep ligji./rajonipress/