RCCOLA

Kujdes nga zjarri, mos e fusni therën në këmbë!

/ 2 minuta lexim

Nga Sami Arifi – Toka në këtë vit ishte mjaft e plasaritur nga të thati, bari ishte shkrumbuar nga mungesa e shiut, mjaftojë nga pakujdesia të bije një shkëndi flake nga shkrepsa, përnjëherë, me shpejtësi u përhap zjarri, madje u hyri flaka edhe ca pishave në oborr.

Falë Zotit vëllezërit me grat e tyre e panë flakën, meqë njërës pishë i doli flaka në maje, nxituan, mbushën kofat me ujë dhe na ndihmuan për ta fikur zjarrin… Dashti Zoti që vëllezërit me grat e tyre nuk ishin të ndikuar nga ca parti politike të shtetit tonë, se, përndryshe nuk do t‘i kishin bartë kofat me ujë po me benzinë për t’i ndezur, jo vetëm pishat, po edhe shtëpinë siç po duanë ta ndezinë flakë ca parti të vendit, për interesa personale krejtësisht të paligjshme, shtetin e porsalindur të Kosovës…

Hidromorava

Uroj që partitë politike ta kuptojnë se shteti i porsalindur nuk është vetëm i tyre po është i tërë popullit, prandaj partitë tona për atdheun të punojnë si vëllezër për ta ndriçuar këtë vend të larë shumëherë ne gjakun e bijëve dhe bijave me të cilin çmim e shtrenjtë qe liria, përndryshe do t‘i mallkojë populli dhe do t’i dënojë historia…