RCCOLA

Kujdes nga përdorimi i antibiotikëve

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Stina e vjeshtës sjell me vete viroza të ndryshme për të cilat duhet të jemi shumë të vëmendshëm, ndaj këtë herë vendosëm të realizojmë një intervistë me Dr. Ilta Sinojmeri, Mjeke Familje pranë Poliklinikës Nr 5, e cila këshillon që çdo pacient të kontaktojë menjëherë mjekun e familjes kur ndjen se është prekur nga një virozë simptomat e së cilës janë; dhembje fyti, kollë e thatë dhe rrufë.

Mjekja Sinojmeri thotë që pacientët nuk duhet asnjëherë që të shkojnë në famraci dhe të marrin ilaçe pa këshillat e mjekëve specialistë dhe të bëjnë shumë kujdes me përdorimin e antibiotikëve.

Doktoreshë jemi në stinën e vjeshtës dhe ndryshimi i stinëve sjell me vete viroza të shumta. A kanë filluar shqetësimet tek pacientët dhe si është raporti i vizitave në krahasim me një vit më parë?

Sigurisht që ndryshimi i stinës sjell viroza të shumta, duke bërë që pacientët të trokasin pranë qendrave të ndryshme spitalore. Në fakt vjet në këtë kohë nuk ka patur kaq shumë raste vizitash, duke qenë se periudha e vjeshtës ka ardhur më vonë dhe temperaturat kanë qenë më të larta. Por ky vit na tregon të kundërtën, pasi kemi temperatura më të ulta, si dhe diferenca temperaturash ndërmjet orareve të ditës, pra temperatura të larta pas orës 10 të mëngjesit dhe ulje të temperaturës pas orës 16 të pasdites. Ky ndryshim i kohës gjatë ditës bën që një pjesë e mirë e njerëzve të bien pre e kushteve të motit, duke bërë që të preken nga virozat e stinës.

Cilat janë shenjat e virozës?

Virozat kanë shenjat karakteristike të tyre. Kryesisht pacientët paraqiten me dhembje fyti, (e cila është karaktesristikë e virozës së këtij viti), lotim sysh, sekrecione nazale (hundësh), si dhe kollë e thatë. Në momentin që ndjeni të tilla shenja, do të thotë që jeni prekur nga viroza e stinës dhe menjëherë duhet të drejtoheni tek mjeku i familjes, për t’u vizituar dhe për të marrë këshillat përkatëse.

Kemi vënë re që një pjesë e mirë e individëve nuk këshillohen fare me mjekun specialist, por drejtohen tek farmacitë e lagjes për të marrë mjekim. Sa e dëmshme është kjo?

Mobi Casa

Ky është me të vërtetë një problem i madh dhe mjaft shqetësues. Nuk duhet kurrsesi që individët të paraqiten tek farmacistët për të marrë mjekim, pa patur një recetë të rekomanduar nga mjeku i familjes, pasi ndodh që farmacistët japin mjekimin jo të duhur dhe kjo sjell dëme të tjera në shëndët. Farmacistët i përgjigjen pacientit me recetën që ata duan, pa kërkuar recetën e mjekut, pasi nëse faramacisët nuk i përgjigjen me dhënine të ilaçit ai/ajo do jete i/e detyruar të shkojë dhe të marrë këshillën e mjekut. Pra është e rëndësishme që të ndërgjegjësohen njerëzit që para se të shkojnë për të marrë mjekim nëpër farmaci të këshillohen me mjekun e familjes. Vëtëm në këtë mënyrë do të arrijnë të marrin mjekimin që iu nevojitet, për të kapërcyer gjendjen në të cilën mund të ndodhen.

A këshillohet përdorimi i antibiotikëve kur jemi të prekur nga viroza?

Mjeku i familjes në mënyrë absolute nuk këshillon përdorimin e antibiotikëve gjatë virozave të stinës, pasi shumë mirë këto raste mund të luftohen me antisimptomatikë, që do të thotë përdorimi i paracetamolit për të ulur temperaturën, përdorimi i Vitaminës C për të stimuluar imunitetin, konsumimi i lëngjeve, si dhe këshilla të ndryshme për veshjet, ushqimin etj. Dua të theksoj se në rast se një pacient është me imunitet të dobësuar apo vuan nga sëmundje të tjera, si për shembull diabet, hipertension, alergji atëherë për të mos kaluar në komplikacione të tjera, sigurisht që këshillohet përdorimi i antibiotikëve për profilaksi, pra e theksoj vetëm në rast se kemi të bëjmë më komplikacione, sepse nuk është njësoj përdorimi i kurës si për një individ që është i prekur vetëm nga viroza me atë që është i prekur nga sëmundje dytësore.

Cila grupmoshë duhet të ketë më shumë kujdes?

Fëmijët dhe mosha e tretë duhet të kenë kujdes maksimal gjatë virozave të stinës, pasi duke qenë se kanë imunitet më të dobët bën që të preken më shpejt nga të tilla viroza. Këshillohet që fëmijët dhe mosha e tretë të kenë më kujdes me mënyrën e të veshurit, si dhe me konsumimin e ushqimit. Ushqimi duhet të jetë i pasur me vitamina, për të qenë sa më ushqyes në mënyrë që të plotësohen nevojat trupore.

Alergjia është një tjetër sëmundje karakteristike e kësaj periudhe, ç’mund të na thoni rreth këtij fenomeni?

Po, ky vit ka sjell dhe shtim të rasteve të riniteve alergjike dhe të azmave bronkiale, si dhe të formave të tjera të alergjisë në përgjithësi. Kemi vëne re që është ulur mosha e prekjes nga alergjitë. Nëse me parë alergjia prekte moshat rreth të 50-tave, sot ka ndodhur një fenomen i ri, duke bërë që të preken dhe mosha të tjera. Një nga arsyet e shtimit të alergjive është ngarkesa e ndotjes së ajrit në kryeqytet, e cila ben që të kemi alergji më të shpështa. Një tjetër faktor është ndryshimi i mënyrës së jetesës, përzgjedhja e ushqimit dhe kujdesi vetjak.