Mobi Casa

Kufiri i rivizatuar Kosovë – Mali i Zi si shans jetik i një kaste për të mbetur në pushtet

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Hakif Bajrami – Kosova u ruajt nga idealistët, u themelua shtet i pavarur dhe sovran falë luftës së gjatë, por të drejtë të patriotëve, a po varroset nga politikanët gnostikë – aristokratë dhe mikroborgjezë për një javë, që po dëshmojnë se janë (jo të gjithë) të pandërgjegjshëm! Kosova po copëtohet, askush nuk e mbron, as KFOR-i, as përfaqësuesit diplomatikë. Tani kanë mbetur vetëm idealistët në front.

Madje edhe Qeveria e saj është rreshtuar në faljen e territoreve. Dhe i jemi bërë imun kësaj fjale “bajate” se na janë copëtuar trojet tona. Për do halahula, këta fakte janë fjalë romantike. Nuk ka shtet në botë, që kryetari i shtetit (Hashim Thaçi) dhe kryetari i Qeverisë (Isa Mustafa), të bëjnë propagandë për falje tokash shtetërore një shteti fqinj, krejt me qëllim për ta ruajtur fotelën, e cila nuk u është e sigurt as për tre muajt që vijnë. Deputetë të Kosovës, mos u besoni këtyre recidivistëve në gabime, prej politikanësh që nuk janë promovuar në bazë të aftësive intelektuale, por në bazë të rrethanave politike dhe gjakut të derdhur të dëshmorëve të rënë, në luftën e drejtë çlirimtare 1981-1999.

Nuk ka tragjedi më të madhe në politikë, se sa pushteti kur e humb orientimin, dhe, fillon të mos u besojë as fjalëve të veta. Si duket, shkenca e fonetikës, për këtë shkak i ka zbuluar germat që faktet të mbesin të shkruara dhe nëse kthehesh prapa politikani i këtij soji e sheh se sa me elegancë e plasojnë rrenën në popull dhe e dezorientojnë në masë. Ky orientim surrogat politik, mjerisht ka zënë shtat në shtetin e Kosovës. Shikoni se si e mbron qëndrimin e tij Isa Mustafa duke na dërguar edhe të kontrollohemi te mjeku, por edhe te “Patkoi” i Millosheviqit, madje edhe te rriqrat e Malishevës!. E vërteta: në këtë rrugë e ka fut Murat Meha me “filozofinë e tij kadastrale”. Po, shumë mirë që Isa e njeh prapaskenën e “Patkoit” në anën tjetër, sepse Joshka Fisheri nuk na e pat shpjeguar mirë. E sa të rinj e të reja, sa civilë janë masakruar sipas planit “Patkoi”, Isës le t’i mbetet në ndërgjegje nëse ka të paktën ndjesi kombëtare. Në simpoziumin e 3 gushtit 2016, për demarkacionin, kur u shpreha se janë agjenturat ruso-serbe kah kalërojnë në Podgoricë, Tiranë dhe këtu në Prishtinë, pushtetarët filluan të zgërdhihen me cinizëm. Tash, kur “gazetarët” e tillë janë nxënë në vepër si ilegal, madje njëri si lajmëron shtypi, i armatosur, sigurisht se zgërdhija do të manifestohet në formë tjetër: “ja si ne i zbulojmë agjentët”.

Hidromorava

Tani prapë kreu i Qeverisë, isa Mustafa, duke komentuar për të satën herë demarkacionin fantom që vetë e kanë shndërruar me injorancë intelektuale, doli me tezën bizare se nëse ratifikohet Marrëveshja (Kosovë-Mali i Zi), Kosova do të: “internacionalizohet, pastaj do të vijnë të mirat tjera si: liberalizimi i vizave, transformimi i FSK-së, forcimi subjektivitetit ndërkombëtar i Kosovës, rikonfirmimi i partneritetit strategjik me SHBA”. Vërtet është punë e madhe se si ky akademik me famë, që e ka begatuar ekonominë e Kosovës, i ka konceptuar këto fakte në një vend. Por, lexues të nderuar, nuk do të reagoja të paktën tani, po mos të merresha kritika të serta prej do llapjanëve të mi se: “…Nuk kam nevojë të merrem me Rugovën”. O mjerim, o fatkeqësi ogurzezë shekullore. Po, ju them llapjanëve të mi, se nesër kur të vjen rendi te kufiri me Serbinë, ajo nuk do të hamendet, do ta kërkojë kufirin në Besi (Lebane), sepse aty e patë vendosë Adollf Hitleri, përndryshe miku i shtrenjtë i Serbisë me Qeverinë kuislinge më stabilen në Ballkan (Milan Nediqi 1941-1944), në bisedimet e Vjenës më 1941, po rishkruajnë “pisarët e fashizmit serb”). Dhe prapë bisedime në Vjenë më 1999, prapë bisedime dhe nënshkrime në Vjenë më 2015. Nuk ka rëndësi, në Vjenë më 28. VI. 1881 është lidhë Konventa Austro-Hungari-Serbi për okupimin e Kosovës. (Lexojeni origjinalit e botuar: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, Prishtinë 2001). Kur jemi te këta kufij tragjik gjithmonë shqiptaro-shqiptar, UNMIK-u i famshëm i KS OKB-së në vitin 2000 (pas Krishtit famëlartë), vendosi kufi të ri prapë shqiptaro-shqiptar, madje në Rugovë, ku nuk ka pas kurrë sllavë, që do të thotë kundër atij vendimi që po thuhet se “kufiri duhet të merret për bazë si ishte më 1 XII 1988”. Por Mali i Zi, më 2009 zbriti kufirin për 6 kilometra duke vendosur edhe tabelën në vendin Uji i ftoftë: “Mirë se vini në Mal të Zi”. Ky realitet, siç shkruan edhe Faton Mehmataj, njohës i problemit, më 24 gusht 2016 në “EPOKA e RE”: “është heshtur gjatë 15 vjetëve nga të gjithë pushtetarët”. Por shtrohet edhe kjo pyetje: pse Fatoni nuk ka reaguar vetë, fikalli vetëm për këtë tradhti ordinere.

Po i kthehem Zonës Llapit 1941-1944. Mjerisht, në alternativë kufiri Kosovë -Zona okupuese gjermane 1941-1944, madje edhe pas kapitullimit Italisë në shtator 1943, pati mbet zonë e administrative e Qeverisë Kuislinge të Millan Nediqit, me leje të Adollf Hitlerit (për këtë mizori të vizatimit të hartave, ka harta serbe dhe gjermane me bollëk). Priteni pra llapjanë vendimin e Brukselit me firmë të EULEX-it (ish-UNMIK-ut) kufirin në Besi. Heshtni, përgojoni, moralizoni nëpër oda dhe kafene sikur 1989-1999 që e lajmëroni pavarësinë nga qielli. Por duhet ta nderoni Prof. Dr. Shpejtim Bullqin, se po vepron drejtë, dhe po ua hap sytë qysh tash të gjithëve me fakte. Dhe jam krenar se Ju Llapjanë e keni zgjedhë. Po, po ju të kafeneve propagandoi me i mbrojtur vetëm mezhdat e juaja. Marri e motit, por shumë dukuri mjeruese ndër shqiptarë kanë ngjarë: e filloi luftën Llapi i pari më 1910 (prill-maj. Haxhi Sadria, Ibrahim Hertica, Rrahman Bulliqi, Nur Shatri etj.), Kosova hesht deri në korrik; Lufton Drenica të gjitha krahinat tjera heshtin, lufton Karadaku e tërë Dukagjini, pjesët tjera heshtin. Edhe në kohën e Luftës antifashiste disi u bë hile dhe dymendësia na kushtoi tragjikisht. Ku është lufta gjithë popullore, pse injorohet kushtrimi i Adem Demaçit më 1963, sot nga “elita politike”, deri në kohën e legjendarëve Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari.

Lexues të nderuar, nuk isha as nuk kam qenë kurrë lokalist; kurrë nuk dyshoi duke i njohur kolegët e mi historianë nga Peja, Gjakova, Prizreni, Gjilani, Drenica, Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Tirana, Shkodra, Gjirokastra , Korça, Ohri e Ulqini, diaspora apo ndonjë krahinë tjetër kur të vijë radha te “Kufiri në Besi”?, do të heshtin! Ja ku na ka sjellë robëria, politika e robit dhe njeriut skllav i rrenave dhe interesave lokale, që përgojojnë nëpër kafene dhe oda, duke moralizuar. Po, po, ky soj i llafazanëve ishte ai që e sabotoi UÇK-në famëlartë. Dhe po ju them se nuk kam pretendime të merrem me politikë fare. Madje nuk kam heshtur as në vitet 1974-1999 ndaj Serbisë imperialiste (lexo vetëm: OVK, kako smo izgubili Kosovo i Metohijau, Beograd, 2002, aty i keni të gjitha faktet e okupatorit, gjerësisht diku 420 faqe). Më duhet të them se deri në një masë “e kanë shpjeguar serbët” luftën tonë intelektuale dhe politike, kush ishte në ballë të frontit antifashist kundër Serbisë okupatore gjatë viteve 1981-1999).