Kuçi thotë se marrëveshja për drejtësinë nuk e cenon Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi thotë se marrëveshja e arritur në Bruksel nuk e cenon Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Po ashtu Kuçi siguron se konkursi për punë që do të hapet së shpejti nuk do t’i rrezikoj vendet e punës për punonjësit shqiptarë.
Në një intervistë për RTK’në Kuçi tha se është çështje ditësh deri në hapjen e konkursit për stafin i cili do të përzgjidhet për punonjësit serbë.
“Me këtë marrëveshje u garantojmë qytetarëve të Republikës së Kosovës, deputetëve dhe partive politike se nuk ka nevojë në implementimin e saj të ndryshohet asnjë ligj. Pra në marrëveshje kemi qenë të kujdesshëm që të respektohen ligjet aktuale të Republikës së Kosovës në tërësi”, tha Kuçi.
Kuçi bëri të ditur se në bazë të marrëveshjes gjyqtarët serbë do të emërohen nga Presidentja ndërkohë të gjithë kandidatët do të bëjnë betimin ashtu siç parashikon Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
“Që ata gjyqtarë do t’i përgjigjen organeve qendrore të Republikës së Kosovës cilido, shqiptarë dhe serbë. Çështja e tretë është se ata do t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës, nuk ka ligje tjera që do të zbatohen. Çështja e katërt është që do të jenë në një Gjykatë, në një institucion të përbashkët ku do të punojnë bashkë edhe gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë edhe serbë edhe stafi shqiptarë dhe serbë pra kemi një integrim të plotë”, tha ai.