Kuçi: Thaçi s’ka dhënë premtime mashtruese, pagat do të rriten
Kemi pasur edhe alternativa tjera për koalicion. Por, u bëmë bashkë me LDK’në për stabilitet dhe për punë të mira. Sido që të jetë, në koalicion nuk do të rrimë me çdo kusht. Autoriteti i Hashim Thaçit është i pakontestueshëm dhe ai do të bëhet President. Nuk kemi bërë premtime mashtruese për ngritjen e pagave. Gjykatën Speciale do ta hapin në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Ministri i Drejtësisë dhe Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, flet për Express.
Hajredin Kuçi ende e ka vështirë ende t’ia përmend pozitën e re Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi. Madje, thotë se as nuk e kishte imagjinuar se dikush tjetër do të merrte pozitën më të lartë në Qeveri pos Thaçit.
Pikërisht, për ndryshimin e këtyre rrethanave, Nënkryetari i PDK’së thotë se i hëngri fjalët publike se s’do të ishte më pjesë e Qeverisë dhe vendosi përsëri të jetë pjesë e Ekzekutivit.
Kuçi, ish-Kryeministrit i referohet si Kryeministri i atëhershëm, Zëvendëskryeministër e President i ardhshëm.
Ministri i Drejtësisë e përsëritë se premtimet e dhëna në fushatë elektorale nuk ishin mashtrime. Premton se do të rriten pagat. Por, tash, në koordinim me Kryeministrin e ri.
Nuk e pranon se PDK e quajti Kryeministrin aktual Ministër të Rrahman Morinës por thotë se anëtarët e LDK’së e kanë zgjedhur liderin e tyre e jo PDK’ja.
Premton se gjatë mandatit të tij katërvjeçar do t’ia kthejë besimin drejtësisë. Përmend shifra se në gjatë mandatit të kaluar u dyfishuan njerëzit nëpër burgje, ndërsa, një pjesë e tyre ishin edhe të PDK’së.
“Shumë njerëz prej nesh drejtësinë e duan për të tjerët, drejtësinë e duan për hakmarrje. Por, jo drejtësinë kur t’ju vije për ata”, thotë ai.
Veç kësaj, Kuçi thotë se absolutisht Thaçi s’kishte mashtruar kur kishte dhënë premtime për rritje të pagave.
Express: Po fillojmë me koalicionin me LDK’në. Pse lidhët koalicion me LDK’në? Nuk patët alternativë tjetër që ta bëni Thaçin Kryeministër?
H. Kuçi: Jo, unë besoj që ka pasur alternativa. Natyrisht që ajo marrëveshja e fillimit të qershorit ka rritur pazaret, e kam thënë edhe në fillim që këta nuk do të kenë mundësinë ta realizojnë këtë marrëveshje, por që po e rrisin pazarin para nesh. Kjo është deklaratë që e kam dhënë me datën 10 qershor dhe besoj që ka dalë ashtu.
Pastaj, kemi ardhur në rrjedha të tjera, kur edhe kemi pasur mundësi të zgjedhim. Kemi zgjedhur një koalicion stabil, një koalicion që mund të punohet bashkërisht. Po ashtu, kemi menduar që në këtë koalicion do të vazhdojnë punët e mira që i kemi bërë më herët, do t’i bashkëdyzojmë programet dhe do të vazhdojmë tutje.
Express: Çka do t’ju thoni votuesve të PDK’së të cilëve u keni thënë “na e jepni votën, sepse Thaçi do të jetë kryeministër”?
H. Kuçi: E para, PDK nuk i ka vënë vija të kuqë asnjëherë, askujt. E dini, edhe gjatë fushatës elektorale ne adrenalinën më të lartë, ne nuk kemi thënë nuk shkojmë me këtë parti por me këtë.
E dyta, z. Kryeministër… ish-kryeministri Thaçi, edhe në vitin 2001 ka lëshuar pe, kur ka qenë krizë institucionale. E dini që edhe në vitin 2001 ka pasur krizë, të përafërt sikur kjo e fundit, dhe kur ka ardhur në pyetje, ai ka lëshuar pe. Edhe kësaj radhe kemi lëshuar pe. Por, ajo çka do t’u them votuesve të PDK’së, është se ne kemi vazhduar qeverisjen. Kemi qeverinë me autoritet edhe politik edhe institucional. Por, po ashtu më duhet të them se i kemi ndarë pozicionet. Kryetari i Kuvendit është i PDK’së, Presidenti do të jetë i PDK’së. Pra, është vetëm një ndarje e përgjegjësive, por nuk është heqje e përgjegjësive që i kemi dhënë para votuesve.
E dyta, z. Kryeministër… ish-kryeministri Thaçi, edhe në vitin 2001 ka lëshuar pe, kur ka qenë krizë institucionale.
Express: Ka pasur shumë debate se kjo Qeveri është me dy kryeministra. Cila është përgjigjja e juaj?
H. Kuçi: Në vijën politike dhe institucionale do ta respektojmë Zotin Mustafa për Kryeministër dhe këtu s’ka asnjë dilemë. Por, autoriteti i Kryeministrit Thaçi më herët, tani Zëvendëskryeministër është i pakontestueshëm. Nuk harrojmë që PDK’ja është partia më e madhe politike në vend, nuk harrojmë që Zoti Thaçi është njeriu më i votuar në vend dhe ai ka bërë një lëshim, do të thosha një kompromis, që është normale në demokraci dhe presim që vitin tjetër të jetë President i vendit.
Express: Në fushatën elektorale disa herë iu keni referuar Isa Mustafës si Ministër i Rrahman Morinës. Sa ishte vështirë të votohet një Kryeministër me begraund prej komunisti…?
H. Kuçi: Shiko, PDK’ja asnjëherë nuk e ka thënë një gjë të tillë, as në komunikata as në deklarata.
Express: Thaçi deklaronte në Drenas, në një tubim elektoral, se nëse ia jepni votën Fatmir Limajt po i jepni votën ta bëni Kryeministër Ministrin e Rrahman Morinës?
H. Kuçi: Duhet ta them vetëm një gjë, ne nuk i zgjedhim kryetarët e partive të tjera politike. Vetë fakti që janë parti tjetër politike ne e quajmë dhe ne kushdo, e kam thënë më herët publikisht që kushdo që e ka fituar votën e qytetarit edhe mund ta kem simpatinë ose antipatinë personale për dikë, votuesin e tyre e respektojmë. Zoti Mustafa tash kryeministër i vendit, është kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend. Ne kemi punuar me LDK’në. Nuk kemi marrëveshje personale, politike dhe mendoj që mund të punojmë mirë.
Express: A mund të shkojë deri në fund ky koalicion, midis dy partive më të mëdha. Lutfi Haziri po e quan koalicion të elefantëve, më herët i njëjti njeri e pati quajtur koalicion “Guns’n’Roses”, i armëve dhe i luleve?
H. Kuçi: Ajo çka duhet të them është se ne kemi hyrë me bindje që t’i ndihmojmë vendit, ta stabilizojmë vendin në kuptimin institucional, t’i realizojmë pritjet e qytetarëve, premtimet që ua kemi dhënë dhe pritjet e faktorëve ndërkombëtarë. Partia Demokratike ka hyrë në këtë koalicion që të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme nacionale kur do të mbahen në vitin 2018.
Express: Dihet raporti i respektimit të marrëveshjeve me LDK’në. Në vitin 2010 është ndërprerë koalicioni me LDK’në, mandej e keni pasur edhe një marrëveshje me Zotërinë Mustafa e cila nuk është realizuar kurrë. A ka rrezik që të vazhdojë kjo traditë e mosrespektimit të marrëveshjeve me këtë parti?
H. Kuçi: E para, PDK’ja është partia që i ka respektuar të gjitha marrëveshjet. Kanë qenë demagogji dhe s’kemi dashur të marrim pjesë. PDK’ja i ka respektuar dhe për këtë ua jap shembullin konkret. Edhe në vitin 2007 e kemi respektuar, kur e kemi arritur marrëveshjen me LDK’në. LDK’ja njëanshëm është tërhequr, por ne e kemi respektuar e kemi bërë precedentin ia kemi dhënë Qeverinë në mandatin që kemi thënë. Edhe me komunitete, të gjitha komunitetet mund t’i pyetni vet e vet, kanë mundur të marrin më shumë pozicione nga PDK’ja sesa më pak. Edhe me LDK’në kësaj radhe, u pa që Grupi Parlamentar i PDK’së është i disiplinuar, njerëzit e kanë përgjegjësinë, ne do ta respektojmë në tërësi. Kemi respektuar dhe do ta respektojmë marrëveshjen.
Marrëveshja në 2007’ën PDK-LDK e ka sjellë dhe e kemi bërë pavarësinë e vendit. Unë besoj që nuk ka gjë të keqe. Zgjedhjet lokale, e pastaj kriza kushtetuese me pozitën e presidentit mendoj e ka sjellë ashtu, që mendoj se s’ka bërë mirë LDK’ja në atë kohë. Besoj që e kanë parë edhe vetë që nuk kanë bërë mirë, por, sido që të jetë është politikë. Ne nuk jemi një parti, nuk i kemi shkrirë partitë politike, por ajo çka duhet të them është se ne kemi një hierarki ndryshe. PDK’ja e ka interesin shtetëror, institucional e pastaj partiak. Ndërsa, ka parti që nganjëherë i vënë interesat e tjera. Ne nuk do ta dëmtojmë as vendin as institucionet për interesa partiake.
Express: Deklaruat se Grupi Parlamentar i PDK’së janë të disiplinuar. Janë disiplinuar kaq shumë për të mos u larguar nga pushteti?
H. Kuçi: Jo, Grupi Parlamentar, bile shumica e tyre nuk janë në pushet, në kuptimin e asaj që janë deputetë dhe janë zgjedhur nga qytetarë. Ajo çka duhet të them është se Grupin Parlamentar i PDK’së e di obligimin, edhe herën e kaluar e kanë votuar Zotërinë Sejdiu, edhe Zotin Pacolli për presidentë, që ka qenë shumë më vështirë. Ju e dini se kur PDK i bën marrëveshjet i respekton. Është e vështirë pak në negociim, por respektimin e marrëveshjes e bën në tërësi.
Express: A ka rrezik që edhe në këtë Qeveri të ketë “Zanzibara”, ku në 12 të natës të lajmërohet se është prishur Qeveria…?
H. Kuçi: Unë besoj se nuk do ta befasojmë njëri-tjetrin me veprime.
Express: Por, kanë ndodhur befasi në koalicionin e parë PDK-LDK?
H. Kuçi: Nuk dua ta them se kemi hyrë në koalicion dhe jemi shkri si parti. Ne do të jemi konkurrentë pozitivë, por jo konkurrentë që do të vërejmë se nuk funksionojnë institucionet. Raportet tona ndërpartiake nuk do të reflektojnë në mosfunksionimin e institucioneve. Por, nëse ka qasje të ndryshme partiake ne me çdo kush nuk rrimë në koalicion. PDK ka identitetin e vet, fuqinë e vet dhe interesat shtetërore. E kam parë edhe në Kuvend në debatin për buxhet dhe dua të them, se e para, kushdo që ta shan Qeverinë nuk mund ta ndryshojë buxhetin më shumë se 10-15 përqind. Sepse janë vija të ndara buxhetore, investimet kapitale të përcaktuara, zotimet e dhëna, korniza afatmesme, pagat.. Po ashtu, PDK është në pozitë. PDK është në pozitë dhe fuqishëm, bile. Programi i PDK’së nuk ka dështuar, programi i PDK’së është votuar prej qytetarëve dhe tani është në pozitë.
Express: Pra, a është mashtrim premtimi i Thaçit për rritjen e pagave për 25 përqind? H. Kuçi: Absolutisht nuk është mashtrim.
Express: Pra, a është mashtrim premtimi i Thaçit për rritjen e pagave për 25 përqind?
H. Kuçi: Absolutisht nuk është mashtrim. Nëse i shikoni fushatën elektorale disa kanë thënë 200 përqind, disa 43 përqind. E dini që Kryeministri Thaçi çdo premtim që e ka dhënë, edhe në 2014, njerëzit kanë menduar se është mashtrim por s’ka ndodh. Çdo premtim që e ka dhënë e ka realizuar. Realizimi e para kërkon bazë ligjore. E dyta, kërkon edhe mundësi buxhetore. Unë besoj se në koordinim me Kryeministrin Mustafa do ta bëjmë zgjidhjen e duhur.
Express: Por, Kryeministri Mustafa po thotë s’ka rritje të pagave për 25 përqind. Të njëjtën e ka thënë edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti…. Pra, a do të ketë rritje të pagave prej 25 përqind pasi buxheti s’po e parasheh një gjë të tillë?
H. Kuçi: Mendoj se partnerët e koalicionit do ta bëjnë zgjidhjen më të mirë edhe për buxhet, edhe për kërkesat e sindikatave.
Express: Rrjedhimisht, nuk do të ketë rritje të pagave?
H. Kuçi: Është çështje që do të koordinohen. Unë nuk them se do të ketë apo nuk do të ketë, janë njerëzit përgjegjës, por do të ketë koordinim të PDK’së me LDK’në dhe partnerët tjerë të koalicionit.
Edhe me 11 Ministri kish mjaftuar me qeverisë në këtë vend. Këtë propozim e kam dhënë edhe në Kabinetin për Qeverisje të mirë para vitit 2007 dhe asnjëherë s’e kam ndërruar mendjen.
Express: A do të hynë kjo Qeveri në histori me numrin më të madh të Ministrave dhe Zëvendësministrave…?
H. Kuçi: Do ta bëjmë një rishikim, i mbetet Kryeministrit, por edhe neve tjerëve, një rishikim funksional të Qeverisë dhe do ta shohim funksionalitetin më të mirë. Ky funksionalitet, me siguri, duhet të rezultoi me zvogëlimin e numrit të Ministrive. E kam thënë edhe më herët, e kam thënë edhe publikisht që edhe me 11 Ministri kish mjaftuar me qeverisë në këtë vend. Këtë propozim e kam dhënë edhe në Kabinetin për Qeverisje të mirë para vitit 2007 dhe asnjëherë s’e kam ndërruar mendjen. Nganjëherë raportet janë edhe nganjëherë sikur raportet e fituara, kur krijohen është problem t’i zvogëloni, kur të bëhen bashkë dy parti të mëdha, është problem, po ashtu. Efektiviteti i kësaj Qeveria nuk duhet të matet vetëm me numrin e tillë, por me punët e mira që i bën për vendin.
Express: Sa Zëvendësministra do të ketë kjo Qeveri?
H. Kuçi: Është çështje e partnerëve të koalicionit, mes z. Thaçi e z. Mustafa.
Express: Do të jenë 40, 50, 100…?
H. Kuçi: Nuk mund të them me numra sepse nuk është në dorën time.
Express: Sa i përket Ligjit për Gjykatën Speciale, a do të sponsorizohet nga Ministria e Drejtësisë?
H. Kuçi: Do ta shohim se si do të shkojë. Natyrisht, se obligimet ndërkombëtare që i ka marrë edhe Kuvendi i Kosovës do t’i kryejmë. Por, do ta shohim bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Nuk është punë që bëhet njëanshëm. Por, kjo do të kërkojë një konsensus, jo vetëm brenda Qeverisë, por edhe në Kuvend dhe në shoqërinë tonë politike.
Express: Kur pritet të votohet dhe funksionalizohet kjo Gjykatë?
H. Kuçi: Ende nuk kemi sinjale të qarta. Por, Brukseli bashkë me partnerët tanë, SHBA’në do ta bëjnë kërkesën dhe do të jemi në koordinim me ata. Por, mund të jetë fillimi i vitit ose pjesa e parë e vitit që do të vjen.
Express: A mund të ketë probleme në funksionalizimin e kësaj Gjykate për shkak ta aktakuzave që pritet të ngrihen?
H. Kuçi: Është në dorën e tjetërkujt. Nuk është gjë e këndshme që i ka ndodhur Kosovës. Është një prej gjërave më të rënda që i ka ndodhur pas luftës Republikës së Kosovës. E kam thënë edhe më herët se kemi pasur kapacitete, nëse jo ne, ka pasur kapacitet EULEX’i në Kosovë. Ka pasur kapacitete me prokurorë dhe gjyqtarë të tyre. Ka pasur kapacitete edhe me prezencën e KFOR’it, po ashtu. Por, ka qenë një vendim i partnerëve tonë ndërkombëtarë, SHBA’së dhe BE’së, që pastaj liderët politik, Kuvendi i Kosovës e ka votuar.
Express: Para disa ditësh e lavdëruat Ministrinë e Drejtësisë që e keni udhëhequr për një mandat. Ndërkohë, burgjet e Kosovës, po konsiderohen se nuk janë të sigurta. Shembulli i Gani Gecit, i dyshuar për vrasje, lirohet në shtëpi me arsyetimin se nuk ka siguri në burg?
H. Kuçi: E para, e kam thënë në Kuvend, po e them edhe këtu. Në historinë politike të Republikës së Kosovës, edhe në komunizëm, edhe para komunizmit, prej se ka pasur njerëz në këtë vend investim në drejtësi nuk ka pasur kurrë më shumë. Mbi 100 milionë janë investuar vetëm në infrastrukturë: Pallati i Drejtësisë, gjashtë Prokurori, gjashtë Gjykata, katër burgje në vendin tonë. Burgu i Sigurisë së Lartë e ka sektorin e sigurisë më të lartë, jo në rajon, por edhe në Europë. Pse nuk i kanë ditur disa deputetë.
Express: Pse një të dyshuari për vrasje i lejohet të shkojë në shtëpi?
H. Kuçi: Ai nuk është vendim i yni. Kush hyn dhe kush del prej burgu është vendim i Gjykatave.
Express: Por, po përmendet se nuk janë të sigurta burgjet?
H. Kuçi: Nuk hyjë në raste individuale. Ajo çka dua të them, këndo që merr vendim Gjykata do të jetë në burgje. Këndo që e liron Gjykata ne e lirojmë. Nuk është Shërbimi Korrektues, Ministria e Drejtësisë që vendos. Në nuk kemi vendosur as kur ka hyrë dikush atje e as nuk vendosim kur del. Është punë e gjykatave dhe duhet të pyetet dikush tjetër.
Express: E lexova sot se e keni nderuar me çmimin më të lartë një prokuror që është nën hetime..?
H. Kuçi: Unë besoj se shkrimi duhet të jetë korrekt. Pse duhet të jetë korrekt? Propozimet për prokurorë nuk i jap unë. I jep Këshilli Prokurorial.
Express: Nuk e verifikoni dikë para se t’ia ndani një çmim të tillë?
H. Kuçi: Është hera e parë që po dëgjoj dhe unë nuk di kush është nën hetime. Do të ishte absurdi më i madh në këtë vend që Ministri i Drejtësisë me ditë kush është nën hetime. Hetimet mund të jenë edhe të fshehta. Ju e dini se deri në dy vite shkojnë hetimet edhe të fshehta, ndoshta, mund të jenë personat nën përgjim. Unë nuk i di ato. Unë e di që e kam kopjen e propozimit që më ka ardhur nga Ushtruese i Detyrës së Kryeprokurorit. Dhe, këndo që ma kish propozuar ai unë e kisha nominuar. Adresën duhet ta keni diku tjetër e jo te unë.
Kur jam emëruar Ministër i Drejtësisë kanë qenë 800 e diçka veta në burg. Sot, janë mbi 1900. A e shihni se megjithatë është rritur efikasiteti.
Express: U.D. i prokurorit i cili juve ju drejtohet si : i nderuari, i respektuar profesor, Zëvendëskryeministër…?
H. Kuçi: Ku ashtu?
Express: Ju drejtua kështu në konferencën ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit …?
H. Kuçi: Unë jam njeriu më i lumtur në kuptimin e raporteve që i kam zyrtare me gjyqtarë dhe prokurorë. Po ashtu, jam i bindur që këtë punë që e kam bërë për ta, me mbështetje politike dhe të Kuvendit, askush në këtë vend nuk e ka bërë. Dy gjëra që i kam bërë. E kam bërë mandatin e përhershëm për gjyqtarë dhe prokurorë. S’ka qenë kurrë. Dhe, e kam bërë pagën në nivel Ministri. Në ligj shkruan ekuivalent me Ministrin. Edhe në Kuvend po e shoh që po flasin disa që s’kanë lidhje me drejtësi. Prej gjashtë vetave që i kam privilegjet si të ish- Presidentit, Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit janë tre janë prej gjyqësorit. I kam balancuar dy pushtetet tjera veç me gjyqësor. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit i kanë privilegjet për tërë jetën. Dhe, ajo demagogjia e xhipave – ditën kur jam bërë Ministër, xhipin tim ia kam dhënë Kryeprokurorit.
Express: Megjithëkëtë, prokuroritë, gjykatat dhe sistemi në drejtësi më së shumti kritikohet për mungesë të rezultateve. Pse s’po funksionon ky sistem?
H. Kuçi: Këtë çështje duhet ta shohim në mënyrë pak më reale. Më reale është kjo. Kompetenca e mia kanë qenë me bë ligje të mira. Dhe, shko pyetni a kanë ligje të mira. Kompetenca të mia ka qenë ta krijojë Noterinë, e kam bë. Ndërmjetësimin, arbitrazhet, administratorët falimentues dhe përmbaruesit privat janë funksional. Kompetencë e imja ka qenë me bë objekte të mira dhe i kanë objektet. Kompetencë e imja ka qenë me i rrit pagat dhe ua kam rrit pagat. Kompetencë e imja ka qenë me e bë mandatin e përhershëm dhe e kam bë mandatin e përhershëm. Unë lëndë në emër të tyre nuk mund t’i zgjedh. Moto e këtij mandati do të jetë besimi në drejtësi. Pra, dua ta kthej atë angazhim timin, të Qeverisë, të vendit tonë në kualitet për drejtësi. Dua të kthejë besimin e qytetarëve. Besimi i qytetarëve kthehet me gjyqtarë të pavarur, të paanshëm dhe efikas. Do t’i zgjidhim çështjet pronësore, çështjet civile, do të bëj departamente të veçanta. Kur jam bërë Ministër dy çështje kanë qenë, e para, ka pasur raste kur pas konkurs për gjyqtar dhe për prokuror dhe ka konkurruar një ose dy veta ose asnjë. Momentalisht, mesatarja rreth njëzetë veta konkurrojnë për një vend. Pra, është rritur atraktiviteti për të qenë gjyqtar dhe prokuror. Kemi bërë riemërimin. Është plotësuar numri i tyre. Dua të them, po ashtu, kur jam emëruar Ministër i Drejtësisë kanë qenë 800 e diçka veta në burg. Sot, janë mbi 1900. A e shihni se megjithatë është rritur efikasiteti. A është kryer krejt si duhet? Unë, mendoj, jo. Lufta me drejtësinë nuk fitohet kurrë deri në fund. Por, nuk duhet të ndalet. Ajo çka dua të them, do ta rrisë llogaridhënien e tyre.
Express: Qysh rritet llogaridhënie?
H. Kuçi: Do ta bëjë Zyrën e Prokurorit Disiplinor, i cili…
Express: I cili ankohet vazhdimisht se s’kemi staf, s’kemi njerëz për t’i hetuar lëndët?
H. Kuçi: E unë do ta bëjë kështu, Zyrën e Prokurorit Disiplinor, i cili momentalisht emërohet nga Kryeprokurori, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor do ta tërheq dhe do ta bëj autoritet të veçantë, të pavarur dhe të emëruar nga Kuvendi me 2/3 e votave. Dhe, ai me stafin e tij, me buxhetin e veçantë do të nxjerrë në tremujorin e ardhëm Ligjin për Zyrën e Prokurorit Disiplinor. Po ashtu, do t’i ftojë qytetarët për punë më shumë. Për besueshmëri. Do ta bëjë departamentin e veçantë për investitorë të huaj, do të bëjë çështje civile, përfshirë edhe Kodin Civil. Ka shumë punë që e rrisin efikasitetin. Kanë qenë disa pengesa. Por, mos e harroni një, shumica e gjyqtarëve, e kam bindjen e plotë dhe të prokurorëve janë njerëz të ndershëm, janë punëtorë, janë të pavarur në punën e tyre. Ka edhe që nuk janë të tillë. Por, nuk guxojmë ta dëmtojmë sistemin. Problemet e mëdha në këtë vend nuk zgjidhen vetëm me drejtësi. Duhet edhe me segmente të tjera. Por, drejtësia duhet me qenë në një vend, ku njerëzit thonë besoj në Zot dhe në Drejtësi. Besoj se në katër vitet e ardhshme besimin dukshëm të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Express: Në tri deklarata, dy në Express dhe një në një televizion publik, keni thënë se nuk do jenë pjesë e Qeverisë dhe nuk do të jeni Ministër…?
H. Kuçi: Është e vërtetë. Por, unë nuk kam menduar të ndahem prej drejtësisë. Jam mësimdhënës i drejtësisë me mbi 20 vite. Kam menduar se mund të jap kontributin për drejtësi edhe prej pozitave tjera. Dhe, atë shumë mirë, bile. Edhe si qytetar, edhe si deputet, por edhe vetëm si profesor i Drejtësisë. U ndryshuan rrethanat, në kuptimin e krizës politike, u ndryshuan rrethanat me partneritetin PDK-LDK, u ndryshuan rrethanat në raport edhe me ish-Kryeministrin Thaçi. Dhe, unë si partner me te, edhe në kuptimin politike dhe tjetër ishte kërkesë e PDK’së që të jem, ishte kërkesë edhe e partnerëve ndërkombëtar, por edhe partnerëve lokal në Qeverinë e Kosovës. Dhe, unë nuk desha që t’i iki një përgjegjësie.
Express: Pra, i hëngrët fjalët publike?
H. Kuçi: Është e vërtetë por besoj se pas shumë ndryshimeve të tjera. Askush s’ka menduat, ta zëmë, se do të jetë Zëvendëskryeministër sepse unë s’e kisha imagjinuar. E dyta, e kam thënë në Kryesinë e PDK’së, kjo Qeveri duhet ta ketë edhe fytyrën e PDK’së, pra figurat që identifikohen me PDK’në. Dhe, po ashtu, disa procese që kanë filluar bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Kam pas jo lutje, por kërkesë, që të vazhdojë punën që e kam bërë deri më tani.
Express: E përgjegjësia për fjalën publike?
H. Kuçi: E kam thënë shumë qartë se nuk dua të jem dhe kam menduar, po e them edhe sot, mund të japë kontribut për drejtësinë, mund të jetojë shumë më mirë pa qenë Ministër i Drejtësisë. E di çfarë ndjenje është sot, por ju them shumë drejtë, me u marrë me drejtësi në kohën e tranzicionit nuk është populliste. Po ju them, po ashtu, shumë të drejtën, qytetarët tonë shumica e duan drejtësinë, por shumë njerëz prej nesh drejtësinë e duan për të tjerët, drejtësinë e duan për hakmarrje. Por, jo drejtësinë kur t’ju vije për ata.
Bile, nëse e merr në mandatin e kaluar, kurrë më shumë njerëz të PDK’së nuk janë hetuar e shkuar në burg se sa në mandatin tim.
Express: Opozitarët po thonë se PDK e ka marrë Drejtësinë e LDK policinë për ta ruajtën njëra-tjetrën?
H. Kuçi: Në Ministrinë e Drejtësisë nuk mund ta ruash vetën. Bile, nëse e merr në mandatin e kaluar, kurrë më shumë njerëz të PDK’së nuk janë hetuar e shkuar në burg se sa në mandatin tim.
Express: Është meritë e juaja, kjo?
H. Kuçi: Jo nuk është. Por, nuk mundesh me i ndalë, edhe nuk kam dashur t’i ndalë. Ministri i Drejtësisë vetëm bën ligje. Ministri i Drejtësisë nuk bën hetime dhe nuk e çon askënd në burg…. Prej sodit ia pafshin hajrin nëse donë ta marrin, por nuk është lehtë me marrë Ministrinë e Drejtësisë sepse askush nuk ngarendë me marrë.
Express: Ministër, faleminderit.
H. Kuçi: Faleminderit edhe prej juve.


