Kuçi: “Thaçi president, nuk ka arsye për debate rreth kësaj çështje”

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi, ka folur për zgjedhjen e presidentit të vendit dhe debatin që po bëhet kohëve të fundit për këtë post.Kuçi në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se me ketë koalicion qeverisës është i siguruar legaliteti dhe legjitimiteti demokratik e etnik i plotë i zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ai ka thënë se nuk ka arsye për debate rreth kësaj çështje për faktin se është një proces shumë i qartë sa i përket zgjedhjes së presidentit.
“Në kohën kur po afrohet data e zgjedhjes së presidentit të Republikës po ka debate që ndërlidhen me këtë proces, e në fakt ky është procesi më i qartë që ka pasur Kosova në zgjedhjen e presidentëve deri më tani. Kjo mund të jetë edhe për shumë kohë. Në radhë të parë, kemi një koalicion që ka mbi 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve, që njëkohësisht janë përfaqësues të partive politike që përfaqësojnë shumicën dërrmuese – të shumicës së qytetarëve, do të thotë shqiptarëve dhe shumicën po ashtu dërrmuese të komuniteteve pakicë në Kosovë. Pra është i siguruar legaliteti dhe legjitimiteti demokratik e etnik i plotë i zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Kuçi.
Ai ka thënë se kësaj here zgjedhja e presidentit është shumë më e lehtë, për faktin se për këtë post është kryetari i partisë më të madhe politike në vend, lideri më i votuar dhe udhëheqës i luftës për liri.
“Thaçi ka autoritetin dhe përvojën politike dhe të proceseve historike të Kosovës së re në 18 vitet e fundit, duke u identifikuar me udhëheqjen e luftës për liri, duke udhëhequr vendin në kohën e pavarësisë dhe duke qenë kryetar i partisë politike për mbi 16 vite, dhe kryeministër i vendit për dy mandate. Kurse tashme zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme”, ka thënë Kuçi.
Nënkryetari i PDK-së, thotë se kandidati për president njihet për sukses edhe në rrafshin ndërkombëtar.
“Emri i tij është i njohur si emër politikani dhe autoriteti të Kosovës nga çdo individ në vendin tonë dhe çdo qendër e vendimmarrjes botërore”.
Ai ka thënë se shikuar në këtë prizëm deputetët e koalicionit qeverisës kanë arsye më shume se marrëveshja politike për ta votuar Thaçin për president.