Kuçi: Të akuzuarit për krim dhe korrupsion nuk do të jenë në listën e PDK-së

Shpërndarja e Kuvendit ishte marrëveshje mes partive kryesore në Kosovës, PDK’së dhe LDK’së. Nga ky proces po dalim të gjithë jemi të barabartë dhe askush s’mund të thotë se doli fitues apo humbës. Asnjë partie nuk i kemi vënë vijë të kuqe për koalicion pas zgjedhjeve e as LDK’së. Në listën zgjedhore të PDK’së s’do të ketë njerëz që kanë probleme me ligjin sa i përket krimit dhe korrupsionit. Por, kjo nuk vlen edhe për krimet e luftës. Do ta mbajë premtimin se s’do të jem pjesë e Qeverisë së ardhshme. Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, flet për Express.
Express: A u realizua plani i PDK’së për të shkuar në zgjedhje në qershor të këtij viti?
H. Kuçi: Ajo që mund të them është se ka qenë plan i përbashkët edhe i forcave tjera politike, edhe me LDK’në, dhe që nga muaji shkurt, PDK ka dhënë premtimin se në gjysmën e parë të këtij viti do të ketë zgjedhje. Natyrisht, ka pasur marrëveshje dhe ne e kemi respektuar në tërësi.
Express: Jakup Krasniqi tha në sot se as pozita s’ka vota për të marrë vendime dhe as opozita s’ka numra për të rrëzuar Qeverinë. Pse erdhi deri te kjo situatë?
H. Kuçi: Kur ka filluar iniciativa për mocionin, pastaj kemi ardhur në një përfundim që ta njohim realitetin e Kuvendit. Kemi pasur takimin edhe me Kryetarin e LDK’së që të shkojmë në zgjedhje në gjysmën e parë të këtij viti. Kjo ka qenë logjika e shpërndarjes së Kuvendit që në zgjedhje të shkojmë në mënyrë të qetë, që të mos ndihet askush fitues apo humbës. Por, të gjithë të ndihen të barabartë në kuptimin e përgjegjësive shtetërore dhe kuptimi i forcimit të legjitimitetit ka ndikuar që ne edhe të veprojmë kështu.
Express: Sa e ka dëmtuar qeverisjen e Kosovës një koalicion, i cili në shumë raste ka dështuar të merr vendime?
H. Kuçi: Mendoj se ne kemi qenë korrekt me partnerët e koalicionit, edhe në mandatin e parë, edhe në mandatin e dytë kemi respektuar në tërësi marrëveshjet. Bile, në momente të caktuara u kemi dhënë më shumë se sa iu kemi premtuar me marrëveshje. Normalisht, ne jemi mirënjohës për punën të cilën e kemi bërë me secilin individ veç e veç dhe në këtë drejtim funksionaliteti është vërejtur më shumë. Ose jofunksionaliteti është vërejtur më shumë në Kuvend se sa në Qeveri. Në Qeveri, vendimet janë marrë në 90 përqind të rasteve me konsensus, ndërsa vendimet që kanë shkuar në Kuvend kanë ngecur. PDK shkon me përgjegjësi në zgjedhje. Ne kemi vënë përpara përgjegjësinë institucionale të vendit dhe po ashtu kemi dhënë mundësi për zhvillime normale demokratike. Puna e bërë deri më tani, por edhe ofrimi i programit tonë dhe kapaciteteve tona para qytetarëve besojmë se do të jemi partia e parë në vend. Natyrisht, të qenit i pari nënkupton edhe përgjegjësi edhe më të madhe për proceset që do të ndodhin në vend.
Express: Nëse i fitoni zgjedhjet, a do të formoni një Qeveri edhe më të madhe, ku nuk do të jenë vetëm 6 por edhe më shumë Zëvendëskryeministra?
H. Kuçi: Në mandatin e ardhshëm, Kryeministri i tashëm dhe i ardhshëm me siguri do të vendos për këtë. Me siguri do të jetë më e vogël se kjo që ka qenë tani. Por, puna e Qeverisë duhet të matet në kuptimin e vendimeve që janë marrë në dobi të qytetarëve.
Express: A dini ndonjë vend si ky i joni me territor dhe numër të banorëve që ka pasur Qeveri më të madhe në numër se sa e Kosovës?
H. Kuçi: Ne duhet ta kemi parasysh se numri i banorëve nuk është i madh por shteti. Ne duhet t’i kemi të gjitha organet që i ka një shtet kompetent. Mendoj se ka shumë vende të ndryshme të botës që nuk ia vlen të kenë fare qeveri në kuptimin e shpenzimeve. Ajo çka dua të them është se Qeveria e Kosovës ka qenë efikase dhe ka marrë vendime me rëndësi për vendin. Vendime strategjike të interesit nacional në veçanti ato që kanë të bëjnë me dialogun, me Veriun, me integrime europiane, me drejtësi. Këto kanë qenë komplet vendime konsensuale. Shumica e vendimeve janë marrë me më shumë se 90 vota në Kuvendin e Kosovës. Besoj se ka qenë befasi e mirë që koalicioni qeverisës në këto raste ka arritur t’i bind edhe të tjerët, në këtë rast edhe LDK’në dhe AAK’në, por edhe ata kanë qenë solidar dhe pa ashtu në mbrojtje të interesave nacionale.
Express: Kërkesa për shpërndarjen e Kuvendit u nënshkrua prej deputetëve të PDK’së dhe LDK’së. A është shtruar rruga për një koalicion pas-zgjedhor mes këtyre dy partive?
H. Kuçi: Ne kemi raporte korrekte dhe besoj se PDK prej vitit 2007, kur kemi ardhur në qeverisje, asnjëherë, s’kanë qenë raportet më të shtensionuarandërpartiake në Kosovë, por edhe ndëretnike. PDK nuk bën vija të kuqe për asnjë parti politike. Por, kërkon që një ADN e shtetit duhet të mbrohet. Sikur orientimi properendimor, ekonomia e tregut, rendi dhe ligji, raportet me të drejtat e njeriut, minoriteteve e kështu me radhë. Pra, janë disa parime që duhet të jenë të përbashkëta. Përndryshe, ne nuk përjashtojmë asnjë subjekt. Mund të kemi simpati ose antipati për ndonjë individë ose lider partie, por, votuesit e secilit subjekt që hyn në Kuvend do t’i respektojmë. Kjo nënkupton se ato parti mund të jenë partner tonë.
Express: Sa është e mundshme që Hashim Thaçi të merr pozitën e Presidentit e Isa Mustafa pozitën e Kryeministrit pas zgjedhjeve?
H. Kuçi: Mendoj se PDK do të jetë partia e parë politike dhe do të udhëheqë me Qeverinë e Kosovës. Kjo është zgjidhje që pas zgjedhjeve duhet ta mendojë secili subjekt politik. Por, subjekti i parë politik duhet ta udhëheqë vendin. Koalicionet janë punë e numrave dhe e marrëveshjeve politike. Çdo marrëveshje politike për ne është e pranueshme.
Express: Kryetari i PDK’së ka thënë se në listat zgjedhore s’do të ketë njerëz që kanë dosje kriminale dhe nuk janë duke u përballur me drejtësinë. Do ta mbani deri në fund këtë qëndrim?
H. Kuçi: Besoj se një premtim i tillë është racional dhe Kryetari i Partisë dhe PDK do ta respektojë një gjë të tillë.
Express: A do të ketë njerëz që do të ballafaqohen me Gjykatën Speciale në listat zgjedhore të PDK’së?
H. Kuçi: Nuk e dimë se çka do të ndodh me atë rast, do të ketë apo s’do të ketë fare. Por, këtu mendohet vetëm për rastet që kanë të bëjmë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por, jo edhe me veprimet që kanë të bëjnë me krimet e supozuara të luftës. Në atë rast dioptria jonë si popull dallon prej dioptrisë së kujtdo tjetër. Ne do ta bëjmë një listë kredibile dhe më kredibile nga të gjitha partitë politike që ta fitojmë besimin e shumicës së qytetarëve të vendit.
Express: Sa do të ndikojë në punën e Kuvendit të Kosovës hyrja e deputetëve të Listës “Srbska” në Parlament?
H. Kuçi: Besoj se kushdo që i fton serbët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe është një sinjal i mirë që edhe Beogradi po bën një gjë të tillë. Besoj se edhe serbët e Veriut do të integrohen plotësisht. Por, kushdo që hyn në zgjedhje do të marrë pjesë sipas Ligjeve tona. Kushdo që punon në institucione dhe jeton në Kosovë duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë.
Express: Do ta mbani premtimin deri në fund se nuk do të jeni më pjesë e Ekzekutivit?
H. Kuçi: E kam thënë atëherë dhe e them prapë. Nuk e kam thënë me emocione dhe as nuk më ka shtyrë dikush, por unë do ta bindi partinë dhe Kryeministrin edhe të tashëm edhe të ardhshëm që të mos jem pjesë e Ekzekutivit.