Kuçi: Për Gjykatën Speciale duhet ndryshuar edhe Kushtetuta

Gjykata Speciale, e cila u votua dje në Kuvendin e Kosovës, nuk dihet se kur do të fillojë punën. Edhe pse kuvendi i hapi rrugë krijimit e saj kompetencat kryesore, përbërjen dhe fillimin e punës në këtë gjykatë pritët t`i kenë ndërkombëtarët.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mendon se legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës duhet t’i miratojë tri veprime juridike që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale, ndër to edhe ndryshime kushtetuese.
“Kërkohen tri veprime juridike, të cilat duhet ti bëjë legjislatura e ardhshme. Ligji special për këtë gjykatë, amandamentet kushtetuese dhe një marrëveshje me një shtet të tretë, që është paraparë në dokument. Pastaj mund të bisedohet për mundësinë e funksionimit të kësaj dhome. Kjo dhomë do të jetë me gjyqtarë dhe prokurorë të huaj”, tha zv/kryeministri Kuçi, transmeton RTK.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga shteti i Holandës që ta ndihmojë Task Forcën Speciale te BE-së në ndjekjet e mundshme penale, në momentin kur hetimet për pretendimet për trafikim organesh të kompletohen. Holanda ka vënë si kushte se Gjykata Special e duhet ti plotësoj standardet më të larta të së drejtës penale ndërkombëtare dhe standardet e dala nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, ekspertët e fushës së drejtësisë thonë se mekanizmi i kësaj Gjykate nuk e përfshin vetëm gjykatën e shkallës së parë dhe nivelin e dytë, por edhe nivelin kushtetues, edhe pse selia është thënë që do të jetë në Kosovë. E gjithë veprimtaria e saj do të zhvillohet jashtë Kosovës.
Në media ndërkombëtare është raportuar se kjo gjykatë do të ketë një buxhet rreth 170 milionë euro. /Telegrafi/