Fundamenti

Kuçi: “Pasuria e jashtëligjshme do të konfiskohet”

/ 5 minuta lexim

Të gjithë ata që kanë përfituar pasuri në mënyrë joligjore që nga mbarimi i luftës në vitin 1999 do t’iu konfiskohet pasuria me projektligjin i cili ka kaluar të enjten në Kuvendin e Kosovës “Për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale”.

Vërejtjet dhe rekomandimet që u dhanë në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës për këtë projektligj nuk u morën parasysh pasi që më 41 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime ky projektligj u miratua në parim. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke e prezantuar para deputetëve këtë projektligj ka thënë se është në përputhje me të gjitha standardet e BE-së.

Sipas tij, është punuar nga tre ekspertë gjermanë të Komisionit Evropian, dhe se ky projektligj është më i miri në rajon. Duke lexuar disa nga nenet e këtij projektligji, Kuçi ka thënë se projektligji lejon gjykatën që të urdhërojë konfiskimin e pasurisë nga vepra penale të fituara para dënimit të tij për vepër penale. “Në raste kur i pandehuri është dënuar për vepër penale të lejojë gjykatës të urdhërojë konfiskimin e pasurisë me aktivitete të ngjashme me ato që është dënuar”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, në raste kur personi është dënuar dhe ka pronë për të cilën është jo proporcionale me të ardhurat e tij legjitime gjykata mund të urdhërojë konfiskimin e tyre. “Kemi marrë parasysh edhe direktivën e BE-së në marsin e vitit 2012, e cila kërkon që shtetet anëtare mund të konfiskojnë pasurinë edhe kur i pandehuri ka ikur në arrati apo ka vdekur. Kjo direktivë nuk ka filluar të zbatohet as në vetë BE-në por Kosova me këtë po e hedh një hap përpara”, ka thënë Kuçi.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, duke folur për vlerësimet që kanë bërë anëtarët e këtij komisioni ka thënë se ata kanë votuar katër me katër duke i lënë mundësinë që Kuvendi të vendosë nëse do të votohet në parim ose jo. “Problemi kryesor që është diskutuar është barra e provës, ligji nuk mund të ketë retroaktivitet, nuk mund të dënohesh për një vepër penale kur në kohën që është kryer nuk ka përbë vepër penale dhe po ashtu konfiskimi dhe sekuestrimi janë dy tema që janë diskutuar”, ka thënë Gashi.

Përveç PDK-së të gjitha grupet parlamentare duke përfshirë partnerin e koalicionit AKR-në kanë kërkuar që ky projektligj të kthehet mbrapsht për plotësim. Haki Demolli nga LDK-ja ka kërkuar që në këtë projektligj të futet edhe konfiskimi i pasurisë para dhjetorit të vitit 1999.

Mobi Casa

“Pronari ka të drejtë të kërkojë pronën e vet deri në pakufi. Vërejtja tjetër ka të bëjë me emërtimin e këtij draftligji pasi që në bazë të këtij emërtimi nuk mund të konfiskohen të gjitha pasuritë e krijuara paligjshëm por vetëm ato me vepër penale, ekzistimi i të cilave duhet vërtetuar nga gjykata”, ka thënë Demolli.

Edhe AAK-ja e ka kundërshtuar projektligjin, pasi që ka konsideruar se si i tillë nuk i përmbush kërkesat e nevojshme në qëllimin për të cilin është i dedikuar, duke rekomanduar që të bëhen ndryshime në të. Ahmeti Isufi nga Grupi parlamentar i AAK-së, ka thënë se ky projektligj duhet t’i kthehet Qeverisë për ndryshim dhe plotësim, në mënyrë që ta kemi një ligj që vërtet e lufton pasurinë e paligjshme.

Në emër të koalicionit të AKR-së, deputetja Myzejene

Selmani ka thënë se është mirë që të merren parasysh rekomandimet që dalin nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të nxjerrët ligji më i mirë i mundshëm. Vetëvendosja ka mbajtur qëndrimin e shprehur më herët se ky projektligj e amniston krimin, nuk e dënon atë. Behar Selimi nga PDK-ja ka thënë se ky grup parlamentar e vlerëson si një nga ligjet më të mira i cili e plotëson bazën aktuale ligjore të kodit të procedurës penale dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vërejtjet dhe rekomandimet e kanë nervozuar Kuçin i cili iu ka drejtuar deputetëve me ton të lartë se t’i bëjnë vetë ligjet ata ndërsa ai do t’i respektonte.

Në këtë seancë është kthyer mbrapsht Projektligjet për pagat e funksionarëve publikë, i cili është vlerësuar se kthen prapa progresin e arritur në krijimin e balancës ndërmjet pushteteve në Kosovë.(zeri)