RCCOLA

Kuçi në Bruksel, gjyqtarët e huaj brenda sistemit të Kosovës

/ 3 minuta lexim

Bruksel – Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dje ishte në Bruksel. Sipas njoftimit ai udhëtoi në selinë e BE-së me qëllim të koordinimit sa më të mirë të aktiviteteve dhe planit operativ për sa i takon mandatet ekzekutiv dhe transferimit të kompetencave të EULEX-it. Zëvendëskryeministri Kuçi është pritur nga shefi i Operacioneve Civile të BE-së, Hansjorg Haber, i cili në takim shoqërohej nga shefi i EULEX-it, Berndt Borchardt dhe zyrtarë tjerë të lartë të zyrës së Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Baroneshës Ashton.

Kuçi me këtë rast ka biseduar me Haber lidhur me mandatit e EULEX-it dhe planin operativ të tranzicionit të këtij misioni, si dhe për nismat legjislative të cilat duhet t’i përmbush Republika e Kosovës me rastin e këtij tranzicioni – obligime të cilat dalin nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës.

Takimi kryesisht është mbajtur në frymën e bartjes së kompetencave nga EULEX-i tek institucionet vendore dhe atë në fushën e gjyqësisë dhe të prokurorisë, për çka zëvendëskryeministri Kuçi e adresoi nevojën që gjyqtarët dhe prokuroret e huaj të jenë pjesë integrale e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe mos të funksionojnë si organizëm i pavarur nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në rishikimin e tërësishëm të mandatit të EULEX-it e cila fazë do të përfundojë deri në qershor te vitit 2014, u trajtua në mënyrën që ky mision të përfundoë punën e tij pasi që kapacitetet vendore janë në rrugë të dëshirueshme.

Fundamenti

Bashkëbiseduesit nga ana e BE-së, Haber dhe Borchardt, e shfaqen edhe njëherë gatishmërinë e tyre për të ndihmuar palën kosovare drejt funksionalizimit të plotë të institucioneve të drejtësisë të Kosovës, në mënyrë që primati të jetë absolutisht i drejtuar në funksion të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe formave të tjera të krimit.

Në takim u tha se Kosova ka nevojë ende për trajtim profesional të çështjeve të ndjeshme, prandaj nevoja që gjyqtarët e huaj të inkorporohen në sistemin e drejtësisë se Kosovës duke pasur një hierarki të vetme është imediate për të qenë kjo luftë e përbashkët e shoqërisë kosovare dhe partnerëve ndërkombëtar sa më e suksesshme./koha/