Fundamenti

Kuçi i përgjigjet Rashiqit dhe Bukoshit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nenad Rashiç me kërkesat e tij për hise shtesë po sfidon vetëm përfaqësuesit serbë në ekzekutiv dhe legjislativ. Kryeministri Thaçi po kujdeset për ruajtjen e stabilitetit mes gjithë partnerëve. Derisa lidhja me Bujar Bukoshin ka qenë e paraparë vetëm për këtë mandat qeverisës. E sigurt është që qeverisja do të vazhdojë deri në fund mirë, thotë Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi për Express.

Qeveria e Hashim Thaçit nuk po iu frikohet manovrimeve të disa partnerëve të koalicionit qeverisës që ka.

Derisa njëri po iu kërkon hise shtesë në Qeveri, tjetri po del publikisht në mbështetje të partisë rivale të PDK’së, që udhëheq me pushtetin. Por krejt këto nuk duken aspak serioze për zyrtarët e Partisë së Hashim Thaçit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi në një bisedë për Express tha se kërkesat e Ministrit të punës dhe mirëqenies sociale Nenad Rashiç, për hise shtesë ne ekzekutiv nuk kanë të bëjnë fare me partnerin PDK, por me përfaqësuesit e tjerë serbë në ekzekutiv dhe parlament, me të cilat sipas tij, Ministri po bënë garë politike.

“Kërkesa e zotit Rashiç është brenda asaj që është paraparë për kompetencat në Ministri që i ka minoriteti serbë dhe ai nuk ka kërkuar diçka më shumë jashtë kësaj por, kjo është më tepër si ta quaj një garë politike mes subjekteve politike tash subjektit të ri me tjerët, pra mes vetë serbëve e jo me shqiptarët apo Qeverinë. Pra është një rregullim i raporteve të serbëve brenda Qeverisë dhe kuvendit kjo kërkesë e zotit Rashiç”, tha Kuçi për Express.

Zëvendësshefi i ekzekutivit nuk foli rreth posteve të cilat Rashiç po i kërkon nga PDK, tha se shefi i tij, njëherit Kryeministër i vendit, Thaçi do të kujdeset që të ruaj stabilitetin në mes të përfaqësuesve të komuniteteve në Qeveri.

“Neve nuk na intereson shumë emri i atij që duhet të jetë në pozicion por neve na intereson kënd e përfaqësojnë ata dhe po ashtu na intereson që ata t’i kryejnë obligimet kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.

“Unë dua të them se Kryeministri respekton realitetet politike por gjithnjë duke ruajtur një stabilitet jo vetëm në kuptimin qeverisës por edhe stabilitet në kuptimin e përfaqësimit të përfaqësuesve të komuniteteve në Qeveri dhe Kuvend të Kosovës”, shtoi zëvendëskryeministri Kuçi.

Sipas tij, qeveria Thaçi ka qenë korrekte me të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve në ekzekutiv.

Derisa njëjtë tha se është sjellë edhe me partnerë të tjerë të koalicionit, si me listën Rugova të Bujar Bukoshit.

UBT

Ndonëse ky i fundit ditë më parë tha publikisht se do ta mbështes LDK’në, partinë rivale të PDK’së,në zgjedhjet e ardhshme.

Deklarata e Bukoshit, sipas Kuçit ,është demokratike dhe nuk ka asgjë të bëjë me ndonjë prishje të raporteve mes partnerëve të koalicionit.

“Ne kemi pasur koalicion për këtë mandat qeverisës dhe secili subjekt ka të drejtë të mendojë se në të ardhmen si do të veprojë, po ashtu në koalicion ne nuk i kemi shkri partitë por secili e ka ruajtur subjektivitetin”, tha ai.

E sigurt sipas tij është se koalicioni aktual do të vazhdojë deri në fund, pa probleme në qeverisje.

“Secili t’i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë kryer edhe më herët dhe dihet që në Qeveri asnjëri nga ne nuk punon për interesat politike apo partisë që vjen për interesat e qytetarëve të vendit”, tha Kuçi për gazetën.

Deputeti i PDK’së Berat Buzhala ndërkaq ishte ai që reagoi pas deklaratave të Bukoshit duke thënë se po të ishte në vend të Kryeministrit do ta përjashtonte nga qeverisja.

Mirëpo një gjë të tillë sipas Kuçit, kreu i qeverisë nuk e ka ndërmend ta bëjë.

“Ne nuk veprojmë me inercion. Aq sa ka qenë demokratike deklarata e Bukoshit është edhe ajo e Buzhales”, tha Kuçi.

“Ne kemi koalicion vetëm këtë mandat qeverisës dhe mandatin tjetër secili do ta ketë qasjen e vet politike dhe personale”, shtoi ai.