Kuçi: Ende asgjë nuk kemi ndarë me LDK-në

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Koalicioni i arritur para një jave ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës nuk i ka ndarë ende postet se kujt çka do t’i takoj. Të paktën zyrtarisht ende nuk është bërë një gjë e tillë. Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi.
Kuçi ka thënë se nuk ka kurrfarë mosmarrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit, ndonëse askush nga PDK nuk flet se çfarë marrëveshje kanë këto dy parti për bashkëqeverisje.

“Ende jemi në konsulta me LDK-në. Nuk kemi mosmarrëveshje”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Ndonëse nga PDK nuk po e thonë ende se LDK-së i takon posti i kryeministrit, është vetë lideri i LDK-së, Isa Mustafa ai i cili dje edhe publikisht e tha se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Edhe nga LDK-ja jozyrtarisht i kanë thënë Gazetës Blic se nuk ka ende asgjë konkrete për ndarjen e posteve.

“Ende nuk është ndarë asnjë post. Edhe emrat që kanë dalë nëpër medie, nuk janë të sigurt nëse do të marrin apo jo poste ministrash”, ka thënë ky zyrtar i lartë në kushte anonimiteti.

Mobi Casa

Sipas këtij zyrtari të LDK-së deri më tani vetëm një është e sigurt se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit.

Gazeta Blic ndërkohë ka raportuar se në garë për postin e kryetarit të Kuvendit është dyshja dhe treshja e PDK-së, Kadri Veseli e Hajredin Kuçi, mirëpo askush nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë zyrtarisht.

Mirëpo, siç ka marrë vesh Gazeta Blic nga burime brenda PDK-së, Kadri Veseli ka gjasat e mëdha që të jetë nënkryetari i parë i Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi pritet ta pasojë në postin e të parit të vendit, Atifete Jahjagën, së cilës mandati i skadon më 2016. /Gazeta Blic/