RCCOLA

Kuçi: Edhe EULEX-i do të shkojë si ICO-ja

/ 2 minuta lexim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i rrisin kapacitetet e tyre në fushën e rendit dhe ligjit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka shprehur gatishmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin me EULEX-in në kuadër të ligjeve të Kosovës, ndërsa për çdo vendim tjetër ai ka thënë se do t’i paraprijë konsensusi politik në bashkëpunim dhe koordinim me EULEX-in dhe faktorët e tjerë me rëndësi në Kosovë.

“Republika e Kosovës çdo veprim në raport me misionet ndërkombëtare e ka bërë me koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar edhe kur ka ardhur në Kosovë, po ashtu edhe kur kanë përfunduar misionet e tyre. Kështu ishte edhe me ICO-n, kështu do të jetë edhe me EULEX-in”, ka thënë Kuçi për “Epokën e re”.

Mobi Casa

Kuçi ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i ngrehin kapacitetet e tyre në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit. Në ketë kontekst, ai ka thënë se do të zvogëlohet edhe roli i EULEX-it. “I kemi ngritur kapacitetet tona dhe do të vazhdojmë t’i ngrehim mjaftueshëm për të marrë përgjegjësitë tona si shtet edhe në fushën e rendit dhe të ligjit. Pra, do të veprohet në mënyrë proporcionale duke ngritur kapacitetet tona dhe duke zvogëluar ato të EULEX-it në Kosovë”, është shprehur Kuçi.

Zëvendëskryeministri ka thënë se në këtë drejtim ka vullnet dhe gatishmëri. “Për këtë ka vullnet dhe gatishmëri. Besoj në profesionalizmin, paanshmërinë dhe guximin e njerëzve të rendit dhe të ligjit në Kosovë”, ka thënë Kuçi.

I pyetur se a i duhet Kosovës EULEX-i edhe pas vitit 2014, Kuçi ka thënë se vendimet e tilla kërkojnë konsensus. “Vendimet e tilla kërkojnë konsensus maksimal të mundshëm vendor dhe ndërkombëtar. Rruga e Kosovës është integrimi në strukturat euroatlantike dhe bashkëpunimi i përhershëm me këto struktura”, ka thënë Kuçi. /Telegrafi/