Kualifikohen dy kompani për projektin e PPP të shkollave të mesme

Gjilan – Sipas Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, projekti i rregullimit të kompleksit të shkollave të mesme është afër fillimit të realizimit, pasi që në procesin e tenderimit të këtij projekti janë kualifikuar dy kompani të cilat i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret të cilat janë kërkuar në fazën e parë të tenderimit dhe tani jemi në fazën e përzgjedhjes së ofertës më të mirë prej këtyre dy kompanive, e cila do të negociohet sipas ligjit të Partneritetit Publiko Privat deri te nënshkrimi i kontratës, ku pastaj do të miratohet edhe nga Ministria e Financave gjegjësisht njësia qendrore e PPP, në mënyrë që të shpallet fituesi i këtij projekti dhe të fillohet menjëherë implementimi i këtij projekti shumë të rëndësishëm për komunën e Gjilanit.
Kompanitë e kualifikuara sipas Riad Rashitit drejtor për zhvillimi ekonomik janë Hoteli “Kristal”shpk & “Compakt Group”shpk nga Gjilani dhe B2B CONSULTING shpk & KOSLAND shpk nga Prishtina.
Kompleksi i shkollave të mesme përfshin sipërfaqen prej 4.902 hektarë dhe është e përfshirë në planin rregullativ Qendra – Zona 1. Në kuadër të këtij kompleksi janë të përfshira gjashtë shkolla të mesme. SHM Ekonomike “Marin Barleti”, SHM e Mjekësisë “Asllan Elezi”, SHM e Bujqësisë “Arbëria “, Gjimnazi “Zenel Hajdini “, SHM Teknike “Mehmet Isai”, shkolla e re e Gjimnazit si dhe Universiteti i Gjilanit së bashku me konviktin e nxënësve dhe të studentëve.
Projekti përfshin rregullimin e infrastrukturës së kompleksit të shkollave të mesme në Gjilan, gjegjësisht: Ndërtimi i rrethojës së oborrit të kompleksit shkollorë në gjatësi prej 950 m si dhe ndërtimi i dy portave hyrëse metalike, Gjelbërimi dhe mbjellja e fidaneve në hapësirat e oborreve shkollore dhe rregullimi i shtigjeve për këmbësorë, Rregullimi i terreneve të hapura sportive – katër poligone hendbolli dhe katër volejbolli, Ndërtimi i poligonit sportive – të tipit të mbyllur montues në oborrin e shkollës “Mehmet Isai” – sipërfaqja 990 m2, Ndërtimi i rrugës L=430m me trotuar, parkingje të veturave për personelin shkollorë dhe stacion lokal të autobusëve përskaj rrethojës së shkollës në pjesën jugore të kompleksit shkollorë, Ndërtimi i katër bufeve shkollore me konstruksion të çeliktë, të tipit montues të mbështjellur me cerada. Sipërfaqet e bufeve 125m2 secila. Lokacionet e bufeve do të jenë : oborret e shkollave “Gjimnazi Ri”, “Arbëria”, “M. Isai” dhe “Gjimnazi i vjetër”.
Vlera e projektit i cili do të investohet për rregullimin e kompleksit të shkollave të mesme është në shumën prej rreth 800 mijë euro dhe i cili do të realizohet brenda një viti kalendarik tha Riad Rashiti.
Rashiti tha se Komuna e Gjilanit edhe një herë po dëshmon se është e përkushtuar për të nxitur investimet e sektorit privat përmes Partneriteti Publiko Privat në funksion të zhvillimit ekonomik në komunë, me interes për të gjithë qytetarët e në këtë rast në interes të lartë për nxënësit e shkollave të mesme, të cilëve do tu krijohen kushte dhe standarde shumë më të mira për mësim./rajonipress/