Kualifikimi direkt në ‘Euro 2016’, ja mundësitë e Shqipërisë
Kombëtarja shqiptare i ka tre variante për të siguruar kualifikimin historik në Euro 2016.Pas humbjes ndaj Portugalisë, Shqipëria duhet të bëjë llogari me laps dhe letër sa u përket mundësive për t’u kualifikuar direkt në kampionatin europian “Francë 2016″.
Kuqezinjtë kanë një ndeshje më shumë se rivali direkt i Danimarkës, i cili ndodhet në vendin e dytë. Por, duke qenë se Portugalia ka siguruar kualifikimin, atëherë është për t’u parë motivimi që ata do të kenë në ndeshjen e fundit, kur do të presin në fushën e tyre pikërisht danezët.
Pikërisht prej kësaj përballjeje do varen edhe llogaritë e Kombëtares së Gianni De Biasit. Për të pasur ende shpresa, kuqezinjtë i ka ndihmuar shumë barazimi që Armenia i mori Danimarkës në ndeshjen e djeshme, shkruan Super Sport.
Varianti 1 – Danezëve u ka mbetur vetëm një ndeshje. Nëse ata arrijnë të fitojnë në Portugali, ndaj një rivali shumë të fortë, por që mund të vuajë motivimin, atëherë shpresat e Shqipërisë për vendin e dytë zbehen. Kjo, për shkak se i duhet t’i fitojë të dyja ndeshjet e mbetura, saktësisht atë kundër Serbisë në shtëpi dhe ndaj Armenisë në transfertë.
Varianti 2 – Nëse Danimarka barazon në Portugali, Shqipërisë nuk i mjaftojnë dy barazime në ndeshjet e mbetura. Edhe pse do të kishin 13 pikë, po aq sa danezët e vendit të dytë, kuqezinjtë vuajnë ndeshjet direkte ndaj tyre, saktësisht faktin që ata kanë shënuar gol në fushën kundërshtare (0-0 në Kopenhagen, 1-1 në Elbasan).
Varianti 3 – Nëse Portugalia na bën “nder”, duke fituar ndaj Danimarkës, atëherë ekipi i De Biazit ka shumë shanse për kualifikim. Kjo, sepse do t’i mjaftonin dy barazime ndaj Serbisë dhe Armenisë, ose nëse do të fitonte vetëm njërën prej tyre./express/

