Eko Higjiena

Ku “thyhen shpatat” ndërmjet Prishtinës e Beogradit

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Mediet e Beogradit duke paralajmëruar vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, sot në Bruksel, parashikojnë mundësinë e parafimit të tri marrëveshjeve: për telekomunikacionin, sigurimin e automjeteve dhe për, siç e quajnë ata barrikadën mbi urën e Ibrit në Mitrovicë, “Parkun e Paqes”, transmeton Koha.net. Ndërsa për Asociacionin e Komunave Serbe theksojnë “thyerje shpatash”, sipas tyre, për shkak të “kokëfortësisë” së shqiptarëve, që kundërshtojnë dhënien e ingerencave ekzekutive për të, e që pala serbe këtë e kërkon si të domosdoshme.

Po sipas medieve serbe, nëse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vënë parafet në të katër marrëveshjet që do t’i kenë në tryezën e negociatave, atëherë është e sigurt se BE do të hapë kapitujt e parë për anëtarësim të Serbisë.

Gazeta “Novosti” nuk e përjashton mundësinë e marrëveshjes së pjesshme për energjetikën, duke e lënë për faza të mëvonshme çështjen e pronësisë së objekteve, citon Koha.net shkrimin. Po ashtu palët do të mund të nënshkruajnë një lloj plani aksionar për formimin e Asociaxcionit të Komunave Serbe, që do të parashihte hapa të saktësuar dhe dinamikën e implementimit të kësaj pike të Marrëveshjes së Brukselit, rreth të cilës pikëpamjet e palëve janë më së largu nga njëra tjetra.

Ekipet teknike të Prishtinës e të Beogradit edhe dje në Bruksel janë përpjekur t’i afrojnë pikëpamjet rreth katër temave vendimtare në prag të vazhdimit të dialogut politik të nivelit më të lartë – dy kryeministrave, nën përkujdesjen e shefes së diplomacisë së BE, Federica Mogherini.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, citohet nga “Kurir” i Beogradit, të ketë thënë se ndërsa shqiptarët kërkojnë që Asociacioni i Komunave Serbe të trajtohet përmes ligjeve të Kosovës si OJQ, ne (e ka fjalën për serbët) duam të ketë ingerenca ekzekutive.

Pika për telekomunikacionin:

Prefiksi

*Prishtina kërkon që prefiksi të sigurohet përmes Austrisë;
*Beogradi ofron që prefiksi të shënohet si kod gjeografik i Telekomit të Serbisë;
*Prishtina refuzon që Telekomi të veprojë në territorin e saj;
*Beogradi kërkon që Telekomi të veprojë në territorin e Kosovës.

Fundamenti

Energjetika: Liqeni i Gazivodës, penda dhe hidrocentrali

*Prishtina kërkon 100 për qind të pronësisë;
*Beogradi ofron që pronësia të ndahet gjysmë për gjysmë

Barrikada “Parku i Paqes” mbi Ibër

*Prishtina kërkon heqjen e parkut;
*Beogradi kërkon garanci sigurie për serbët;

Asociacioni i Komunave Serbe

*Prishtina ofron që AKS-ja të jetë në nivel të OJQ-së;
*Beogradi kërkon autorizime ekzekutive në katër fusha: arsim, shëndetësi, ekonomi dhe zhvillim rural;

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

http://koha.net/?id=27&l=63296