RCCOLA

Ku mbeti multietniciteti?!

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nexhmedin Saqipi – Kohëve të fundit, është ngritur shumë zhurmë mediale rreth formimit të qeverisjes së re lokale, në Bujanoc, të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit të këtij viti.

Nuk po mund të pajtohet Beogradi, se si është e mundur një komunë multietnike si Bujanoci, të udhëhiqet nga shumica shqiptare për t’i lënë anësh partitë serbe, të cilat për 18 vjet rresht kanë qenë pjesë e pushtetit vendor, madje duke fituar pozicione më shumë se sa fitorja në zgjedhje.

Këshilltarët lokalë serbë të Bujanocit, jo vetëm që kanë qenë pjesë e qeverisjes aktive me 40 për qind të pushtetit, por ata edhe ishin të përkëdhelur dhe të priviligjuar nga drejtuesit e pushtetit lokal, pikërisht nga subjektet shqiptare, të cilat për t’i sqaruar hesapet mes veti, merrnin për aleat listat serbe, duke u ndarë në pozitë – opozitë.

Këto zgjedhjet e fundit, për dallim nga të parat janë më karakteristike. Listat shqiptare e arritën një marrëveshje për të qeverisur bashkë, për t’i dhënë fund ndarjes së tyre në pozitë-opozitë, e kjo u arrit më ndihmën e shtetit amë Shqipërisë, pikërisht Ministrit të Punëve të Jashtë Gent Cakaj.

Tani pushtetin absolut në Bujanoc e kanë shqiptarët, të cilët edhe pse janë me shumicë në parlamentin lokal, nuk ua kanë mbyllur derën Listave serbe për të hyrë në koalicionin qeverisës, por jo si dikur duke marrë poste udhëheqëse në ndërmarrje publike dhe administratën komunale.

Revolta

Qytetarët serbë dhe të zgjedhurit e tyre në Bujanoc, nuk po pajtohen me këto procese e më shumë në këtë drejtim është i zemëruar Beogradi dhe presidenti Vuçiq, i cili i mllefosur nuk e la pa thënë publikisht se me këtë veprim drejtuesit e qeverisjes lokale kanë cenuar rëndë multietnicitetin në këtë komunë multikulturore e multifetare.

Si është e mundur shqiptarët me një për qind në Serbi të kërkojnë pushtet qendror e me 42 për qind të serbëve në Bujanoc të ngelin pa pushtet, thotë i acaruar presidenti Vuçiq?

Të një zëri janë edhe disa zyrtarë të lartë dhe drejtuesit e Listave serbë, të cilat haptas kërcënojnë se nuk do të ketë investime nga shteti dhe ndërkombëtarët në Bujanoc.

Akoma pa filluar të eci pushteti i ri, vetëm se kanë filluar shantazhet nga Beogradi për t’i motivuar revoltat e subjekteve tyre politike në Bujanoc me protesta para komunalisë e shërbimeve të tjera. Duke shfrytëzuar këtë krizë politike dhe periudhën e pandemisë, individë të caktuar me porosi nga lartë, mbjellin panik dhe pasiguri tek shqiptarët, të cilat të mbyllur si në karantinë mes Serbisë dhe Kosovës, po i përjetojnë ditët më të vështira të ekzistencës së tyre në këto hapësira.

Zemërimi i zyrtarëve të Beogradit, nuk është edhe gjithaq i arsyeshëm, sepse me qeverisjen e re lokale nuk është prishur e degraduar bashkëjetesa në mes etniteteve në Bujanoc, nuk është lëkundur multietniciteti e as që është rrezikuar jeta krah për krah e shqiptarëve, serbëve, romëve dhe të tjerëve, të cilët me shekuj kanë jetuar në këto vise. Përkundrazi, në këtë drejtim, janë prekur interesat, privilegjet, lakmitë dhe kapitalet.

Nëse është rrezikuar bërthama e qeverisjes lokale në Bujanoc, si qëndron puna në Preshevë me mbi 95 për qind shqiptar, ku në qeverisjen lokal partia e Presidentit Vuçiq, ka më shumë pushtet se sa në këto 18 vjet e fundit, apo edhe në Medvegjë, kur po e njëjta parti me qendër në Beograd, nxori jashtë qeverisjes lokale shqiptarët, duke e bërë këtë komunë të vogël enklave të PPS të Vuçiqit.

Mobi Casa

Retrospektiva

Po të kthehemi prapa një hap më shumë se para 18 vjetësh, kur shqiptarët e Komunës së Bujanocit, nuk ishin në pushtet, po e zëmë në periudhën e komunizimit, për multietnicitet as që bëhet fjalë.

Shqiptarët kanë qenë të zhveshur nga jeta institucionale, integrimi e punësimi. Nuk ke mundur të gjesh shqiptarë udhëheqës në pushtetin lokal e lëre më në atë qendror. Por, tani ajo kohë ka perënduar e mos u ktheftë kurrë!

Gjithkund në botë, ai, që fiton në zgjedhjet lokale a parlamentare e drejton pushtetin. Vetëm në Bujanoc, ndodh e kundërta. Këtu nuk e drejton ai që i fiton zgjedhjet pa ndonjë marrëveshje me rivalët jo për ta bërë shumicën, por për ta re respektuar përbërjen etnike. Duke u bazuar në këto principe të imponuara, shqiptarët e Komunës janë më të përçarët nga të gjitha viset etnike. Këtë e bënë Beogradi jo për ta ruajtur multietnicitetin, por për t’i pasur nën kontroll pushtetet lokale dhe për ta kultivuar ndjenjën e përçarjes tek shqiptarët.

Multietniciteti është një begati jo vetëm për Bujanocin e Luginën e Preshevës, por edhe për vet Serbinë, sepse me këtë laramani etnicitetesh, ajo fiton simpatinë e Evropës dhe të mirat materiale të saj.

Shoqëria civile në Bujanoc, prej kohësh është duke i përcjell këto procese dhe nga këndi i saj jep vlerësimin se mulitietniciteti nuk ngritet vetëm me pushtet, por edhe me forma të tjera të trashëguara prej vitesh.

Gjatë kohës së zgjedhjeve të 21 qershorit për pushtet lokal dhe qendror Shoqëria civile ndërmori një nismë, një program për partitë politike shqiptare për një listë të përbashkët, por kjo ide nuk piu ujë, meqë kishte individë të caktuar që i minonin këto procese, për të ardhur ku jem sot. Po ta kishin përfillur iniciativën e shoqërisë civile, nuk do të kishte ardhur te ky ngërç e tension politik, krahas periudhës së vështirë pandemike, të cilat edhe më shumë po e shqetësojnë qytetarët e të gjitha nacionaliteteve.

Ardhmëria

Multietniciteti në Komunë të Bujanocit dhe më gjerë në Luginë dhe Serbi, ka vlerë vetëm atëherë kur respekton vlerat e jetës së mirëfilltë shumetnike, shumkulturore e shumfetare. Këto dallime nuk duhet të merren si rrezik apo kërcënim për pakicat kombëtare që jetojnë në Serbi, por si një begati për shtetin ku jetojnë.

Shqiptarët e Komunës së Bujanocit, janë autoktonë në trojet e veta dhe asnjëherë nuk e kanë rrezikuar bashkëjetesën më fqinjët e tyre, por kanë pasur probleme me politikën sistematike shtetërore e cila në periudha të ndryshme i ka shtypur e diskriminuar në mënyrë atnicivilizuese.

Janë po këta shqiptarë të Bujanocit të cilët pas konflikteve të armatosura të viteve 2001, me ndihëm e ndërkombëtarëve arritën një Marrëveshje paqësore të Konçulit dhe përmes Trupit Koordinues dhe OSBE-së nisën disa projekte shumë të rëndësishme për formimin e pushtetit multietnik, mediave multietnike dhe policisë multietnike. Këto projekte, mjerisht, ngelën në gjysmë të rrugës, për t’u ndërprerë dhe për të mos u realizuar ende. Po të ishin realizuar këto projekte qe 18 vjet kjo që po ndodh me pushtetet lokale në Luginë të Preshevës nuk do të kishte ndodhur kurrë.

Në këtë drejtim Shoqëria Civile e Bujanocit, ka ide e iniciativa të mira, mirëpo zëri i saj nuk dëgjohet, por përkundrazi injorohet dhe përbuzet. Derisa të mos dëgjohet zëri i Shoqërisë Civile problemet do t’i kemi te dera e do të varemi nga ndihmat që vijnë nga jashtë për t’na pajtuar e bashkuar për interes pushtetar, qytetarë, apo kombëtar?!