Ku është Fatmir Sejdiu?

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nuk është parë në asnjë tubim elektoral të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu, Kryetari i Nderit të LDK’së duke se ka vendosur të përcjell nga shtëpia të gjitha aktivitet elektorale të Partisë që dikur e ka udhëhequr.
Sejdiu nuk mori pjesë as në inaugurimin e Shtatores së Rugovës pasi ishte në udhëtim zyrtar në Amerikë.
Zëdhënësja e Shtabit Zgjedhor të LDK’së, Vjosa Osmani ka thënë se nuk kanë informata se pse nuk po merr pjesë nëpër fushatat e partisë ish-Presidenti.
Sidoqoftë, Osmani ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë kontakt përveç asaj që para disa ditësh Zyra e ish-Presidentit njoftoi se Sejdiu nuk ndodhet në Kosovë.
“Nuk kam informata të sakta. E vetmja informatë që e kemi që është publikuar nga zyra e tij që gjendet jashtë vendit”, ka thënë Osmani për Express.
Ish-këshilltarja e Sejdiut, Vjosa Osmani ka thënë se e mirëpresin kontributin e Kryetarit të Nderit në fushatën e LDK’së.
“Çdo anëtar i LDK’së është i mirëseardhur që të jetë prezentë dhe të kontribuojë në fushatën e LDK’së. E vlerësojmë kontributin e secilit, sidomos të një Presidenti Nderi. Ky nuk do të ishte vetëm kontribut, por edhe përgjegjësi”, ka thënë Osmani.
Sidoqoftë, Express ka shkruar ditë më parë se Fatmir Sejdiu po e përgatit terrenin për t’u rikthyer në krye të LDK’së.
Në korrik të këtij viti, Sejdiu kishte deklaruar se është i gatshëm të kthehet në krye të partisë për të kthyer LDK përsëri në pushtet.
Ai kishte lëshuar akuza në drejtim të udhëheqjes aktuale, duke thënë se ata e duan LDK si trampolinë për t’i përmbushur ambiciet e tyre personale.
Për Isa Mustafën, Sejdiu kishte thënë se është një lider kalimtar të LDK-së.
Ndryshe, përkrahësit e Fatmir Sejdiut kanë hapur edhe një profil në Facebook, “Përkrahim Dr.Fatmir Sejdiun për kryetar te LDK-se”, i cili ka marrë afër 2 mijë përkrahës.