Mobi Casa

Kthimi i Zotërave!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Beqë Cufaj – Jemi në fund të vitit dhe zakonisht janë librat ata që… na shpëtojnë. Kur duam t’i dhurojmë apo edhe dikënd duam ta gëzojmë. Mbase më së shumti kur vetë tërhiqemi dhe provojmë të lexojmë. Diçka që duhet të jetë aq e veçantë dhe na ruan kthjelltësinë përgjatë turbullinave festive të fundvitit. Në këtë mes, them që librat duhet t’i ngjajnë verës (së kuqe).

Sa më të vjetër – aq më të preferuar. Sepse fakti që kanë mbijetuar na jep sigurinë e pagabueshmërisë në investim: të parasë nëse dhurohen, leximit nëse shfletohen. Për vegjëlinë time një prej këtyre majave s’ka dyshim që është “Libri i Shqetësimeve”, i cili qe botuar për herë të parë në vitin 1982 në Portugali. 47 vjet pas vdekjes së autorit të këtij libri, Fernando Pessoas (1888-1935).

Një libër mallëngjyes? Po. “Libri më mallëngjyes që Portugalia ka shkruar ndonjëherë, dhe Europa në shekullin e kaluar”, është quajtur njëherë nga një kritik me nam. “Mirëpo edhe një libër me plot besim në art, në letërsi”, ka shtuar po i njejti kritik. Mbase një libër që vërtet vetëm në art dhe letërsi beson. Në jetë jo. Pyetja, ose thënë edhe më mirë dilema është kjo: e bëri ky libër Pessoa-n apo Pessoa atë? Përgjigja del e përzier. Mbase të dy njëri-tjetrin.

Duke na bërë kështu neve, vdektarëve të zakonshëm, që në më shumë se 40 gjuhë të botës ta përcjellim dhe lexojmë shqetësimin e tij- dhe shqetësimin tonë…

Por tema e kësaj qasjeje nuk do të duhej të ishte “Libri i Shqetësimeve” sa kryevepra e tij tjetër. Poaq e rëndësishme dhe shumë më e panjohur. Fjala është për veprën e tij monumentale “Kthimi i Zotërave” të Pessoa-s. Edhe ky libër, sikurse edhe “Libri i shqetësimeve”- vetëm që prapa tij fshihet një tjetër personazh i cili quhet Antonio Mora dhe ky i qaset problemit në mënyrë të drejtpërdrejtë: atij të lidhjes së të sotmes me të kaluarën, të antikës me modernen. Të mundësisë së “kthimit të zotërave”. Nuk është pra çudi që libri edhe mban këtë titull.

Për dalllim pra nga kontabilisti Bernardo Soares i cili ishte vetë Pessoa, kësaj radhe, Antonio Mora nuk e fsheh faktin që është poeti dhe shkrimtari më i rëndësishëm portugez i modernes (nga 1888 deri në 1935) i cili punonte në pjesën e poshtme të qytetit, në firmën Moitinho de Almeida, gjithsesi jo si kontabilist por si përkthyes, e kohë pas kohe edhe si shkrues reklamash. Bile për një kohë edhe si botues i revistës “për tregti dhe kontabilitet”. E kur Pessoa nuk pinte, nuk ishte i dehur, atëherë bënte një gjë: shkruante poezi dhe prozë kontradiktore, shpikte persona dhe gjësende për poezinë dhe të menduarit e tij. Ishte nga shpikësit e parë monumentalë të heteronimeve (Unave tjerë) të tij. Këtij “uni” të ndarë aq shumë në emra si Alberto Caeiro, Ricardo Reis, Alvaro de Campos, të gjithë këta autorë të poezive e prozave, “dramave të tërë nga jeta”.

UBT

Pak para se të vdiste, Pessoa i shkruante në një letër mikut të tij Casais Monteiros që “personazhet e tij janë vetëm gjysmëheteronime, sepse personaliteti i tyre nuk është krejt i imi, mirëpo edhe përkundër këtij ndryshimi, është më shumë një thjeshtësim që provoi t’u bëj atyre. Unë jam, minusi i sjelljes së logjikshme të ndjenjave që nuk mundet askush t’i ndalojë kur ato vlojnë”. Një apo shumë maska pra… prapa të cilave në një mënyrë a tjetrën fshehet Fernando Pessoa.

Edhe në këtë vepër, sikurse tek “Libri i Shqetësimeve” duhet thënë që nuk ka rrëfim. Rrëfim klasik të tipit letrar. Edhe ky libër është një antilibër me një kryepersonazh (sikurse Soares tek “Shqetësimi” dhe Mora tash tek “Kthimi i Zotërave”) i cili është edhe një antipersonazh. Janë vetëm ato shënime që mbahen për gjendjen faktike të trurit dhe ndjenjës së Mora-s i cili merret me ata zotëra.

Me qenien apo jo të tyre e cila barazohet edhe me pyetjen nëse është e mundshme që edhe të na kthehen një ditë? Retë që lundrojnë në qiellin e pafundmë, aroma e detit, statika e krijuar nga drekimet monotone, ngjashmëria ose përsëritja e pafundme e ditëve- këto janë ato fenomene dhe gjëra të cilat autorin e preokupojnë. Dhe ajo që gjithnjë fascinon është lehtësia e trajtimit, qasjes ndaj asaj që e njohim si të vërtetë të patundshme. Dhe pyetja që gjithmonë shtrohet, kur Pessoa dhe ky libër i tij lexohet, është, pse ky autor i do aq shumë: ajrin, retë dhe shiun? Dhe pse ndjenjat e tij ngacmuese gjithnjë sillen rreth realiteteve prej të cilave vështirë, ose për të thënë, është e pamundshme, që të krijohen tregime, rrëfime? E ndoshta për këtë dhe shumë gjëra tjera në këtë libër na tregon vetë Mora apo aliasi i tij Pessoa.

Kur ky shkruan, shënon mendimet e tij për letërsinë. Është definimi i letërsisë si ky e sheh atë i cili na ndihmon ta gjejmë një shpjegim, një lloj çelësi për atë madhështi të pamposhtur që fshehet prapa këtyre fjalëve e shpjegimeve. “Letërsia është një lloj pikturimi i mendimeve dhe një shndërrim në vërtetësi i këtyre, pa as edhe më të voglën njollë nga realiteti”.

Pra, Mora as që çan kokën për objektivitetin apo edhe vetaktrimin. Sepse dikund tjetër ai thotë që poqese dikush don që ta tregojë jetën e vet, atëherë me atë rast na del një sprovë për të rishkruar/ribërë një lloj autobiografie. E kjo ribërje nuk mund jetë e tëra sepse thjesht është akti i shkrimit ai që bën të lëvizet, të kthehet dhe me këtë edhe iket nga ajo që nga shkruesi kishte paraparë. Pse të mos pajtohet ky shkrues pra, që nga fillimi me faktin që nuk mund të ketë rishkrime. Dhe pse të mos pajtohemi me faktin që Mora i Pessoas është një ëndërrimtar.

Një kërkues i ndjenjave dhe lëvizjeve të brendshme, i cili mund dhe lejon që të mblidhet nga impresionet lundruese dhe atmosferat ndryshuese. Dhe ajo atmosferë ndërlidhet me motivin e tij qëndror: përshkrimin e lundrimit, ikjes së reve. Dhe kthimit të (pa)mundshëm të Zotërave. Në fundvit disi i ndiejmë aq afër. Dhe me këtë kryevepër- aq më shumë.