Hidromorava

Kthesa e duhur

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mimoza Kusari Lila – Gjatë këtij mandati qeverisës u arrit të diskutohet mjaft gjerësisht për masat të cilat duhet të ndërmerren për periudhën e mbetur të qeverisjes për ndryshimet e nevojshme ekonomike.

Duhet të veçohet krijimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe institucionalizimit të dialogut publiko-privat si asnjëherë më parë. Ky dialog u zhvillua i rregullt dhe me rezultate të prekshme. Disa prej temave dhe ideve ishin të institucioneve pjesëmarrëse në KKZHE, ndërsa disa të tjera nga komuniteti i biznesit. E rëndësishme është se iniciativat nuk u ndalën dhe ato po vazhdojnë edhe pse me ngecje të paarsyeshme nganjëherë.

Një ngecje e paarsyeshme është ajo me ligjin e festave, çështje kjo e cila erdhi në shprehje tani gjatë festimit (fatkeqësisht në disa raste banal me djegie të gomave) të festës së 1 Majit, datë kjo e trashëguar nga më herët. Ligji i festave u ndal për një mosmarrëveshje të vogël në Qeveri, për një festë fetare. Përveç se për rregullimin e festave, ky ligji është i nevojshëm për të qartësuar ditët e pushimit në Kosovë. Ky ligj është i nevojshëm për ata që punojnë në ekonominë formale dhe investitorët potencialë të cilët kalkulojnë koston operative të biznesit të tyre.

Një tjetër ligj i cili më së paku duhej të ngecte është pakoja fiskale e cila heshturazi nga Zyra e Presidentes iu kthye Komisionit Parlamentar se, sipas vlerësimit të Zyrës ligjore të Presidentes, ky ligj përmban shkelje kushtetuese!!! Unë dua të besoj se Zyra Ligjore ka qenë e sigurt kur ka dhënë këtë mendim, i cili për dallim prej ligjeve të tjera, çdo ditë që kalon i pazbatuar ky ligj, dikush paguan më shumë dhe më shtrenjtë për importin e lëndës së parë. Dmth, me vonimin e këtij projektligji, prodhuesi kosovar dëmtohet çdo ditë e më shumë dhe “shkeljet” që ky ligj ia bën Kushtetutës së Kosovës nuk janë shkelje, por janë mungesë e njohurisë nga ana e Zyrës Ligjore të Presidencës dhe këshillë e dobët për Presidenten.

Pakoja fiskale jo vetëm që ka nevojë të zbatohet menjëherë me qasje më të lehtë dhe të shpejtë për prodhuesit, por kjo pako duhet të vazhdojë të modifikohet pasi ne kemi mbetur të rrethuar nga shtetet të cilat e kanë hequr doganën dhe TVSH nga importi i makinerisë për prodhim dhe shumicës së lëndës së parë.

Mobi Casa

Në përpjekje të punës së Qeverise është bashkërendimi dhe rreshtimi në mes të prioriteteve dhe dikastereve që nga përvoja e të gjitha qeverive me radhë, është parë se nuk është punë e lehtë. Ministria e Financave si ministri përgjegjëse për pakon fiskale, përmban prioritete të cilat nganjëherë janë kundërthënëse njëra me tjetrën. Mbushja e arkës së buxhetit për afat njëvjeçar dhe lirimet doganore nuk shkojnë afatshkurtër njëra me tjetrën. Megjithatë, në përgatitjen e politikave zhvillimore, me i rëndësishëm se buxheti i një viti është politika afatmesme. Në Kosovë ende nuk kemi arritur të tejkalojmë praktiken se buxheti është në funksion të zhvillimit e jo zhvillimi në funksion të buxhetit njëvjeçar.

Aktivizimi më i shpejtë në reformën e politikës fiskale do të jetë një sinjal shumë i fortë për investitorët të cilët kanë filluar të interesohen për mundësitë të cilat i ofron Kosova. Për këtë nuk mjafton vetëm shtyrja e dy tri ministrive, duhet angazhim i organizuar i komunitetit të biznesit dhe Kuvendit të Kosovës, të gjitha këto aktivitete të bashkërenduara për një dobi të përbashkët.

Një tjetër veprim i domosdoshëm për realizim më efikas të projekteve, është ai i partneriteteve strategjike dhe qasja pozitive e opinionit ndaj iniciativave. Është fakt se kemi papunësi të madhe, por gjithashtu është fakt se kemi mungesë të respektit dhe vlerësimit të duhur për iniciativat e ndërmarrësve të cilat sigurojnë punë. Për një arsye ose tjetër, kemi shumë punëkërkues dhe jo shumë punëtorë. Në mandatin tim si ministre e Tregtisë dhe Industrisë më ka rastisur të shoh mjaft iniciativa private të përkrahura me partneritet strategjik nga institucionet lokale ose vendore, por të penguara nga grupe të caktuara individësh apo qytetarësh të cilët kërkojnë ose të kenë hise në projekt, ose më mirë të mos ndodhë projekti se po na ndot ambientin. Midis zgjidhjeve të cilat duhet të bëhen, duhet të mendojmë për prioritetet dhe kohën kur ato realizohen. Nuk mund të mbetemi peng të arritjes së pajtimit të plotë apo përmbushjes së të gjitha kërkesave. Ne e fajësojmë shoqërinë, por ajo jemi vetë. Duhet bërë ndryshime të tjera, a do e marrim kthesën e duhur do të varet nga më shumë se vetëm një shtyllë e shoqërisë.

(Autorja është zv/presidente e partisë Aleanca Kosova e Re; zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Tribuna”)