Kthehet në punë pas 9 vitesh

Gjilan – Nexhat Daku ka fituar betejën me të gjitha instancat gjyqësore duke u shpallur i pafajshëm. Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar pjesërisht ankesën e tij me çka i jepet e drejta për kthim në vendin e punës pas nëntë vitesh bredhje nëpër gjykatat e Kosovës.
Avokati mbrojtës Shemsedin Pira po ndihej i emocionuar pas vendimit të shumëpritur të rastit të policit Nexhat Daku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit. Nexhat Dakut i është dashur plotë 9 vite për ta bindur Gjykatën se është i pafajshëm.
E, avokati Pira tha se ishte një betejë e mundimshme, por me rezultat pozitiv në finale. “Kemi kundërshtuar fuqishëm tërë procesin ndaj Dakut dhe kemi arritur ta bindim trupin gjykues se Nexhat Daku s`ka lidhje me veprën e ngarkuar” tha Pira.
Pira tha se është e rëndë kur një polic me një përvojë të gjatë i duhet të sorollatet sallave të gjyqit. “Unë isha i bindur që nga fillimi se ky rast do të përfundojë në favor të klientit tim sepse me asnjë provë apo dëshmi nuk është arritur të vërtetohet ajo aktakuzë ku janë të përfshirë 12 polic” shtoj Pira.
Kolegji i Gjykatës së Apelit të Kosovës i kryesuar nga Rafet Haxhaj kryetar ka vendosur pjesërisht për ankesën e Nexhat Dakut, vendim ky që i jep të drejtë të kthehet në vendin e tij të punës, por Gjykata nuk ka vendos saktësisht edhe rreth kushteve tjera të dëmshpërblimit.
Megjithatë avokati Pira e sheh si një fitore betejën e Nexhat Dakut. “Është dënuar e ridenuar nga shumë gjykatës dhe është mbrojtur nga shumë avokat tjerë, megjithatë fundi ia vlejti” tha Pira.
Ndryshe arrestimi dhe procesi gjyqësor ndaj 12 ish policëve ka nisur qysh në vitin 2009. /rajonipress/