Kthehet Mavraj, skuadra u rikthehet rezultateve pozitive
Kolni nuk di për humbje që nga rikthimi prej lëndimi të Mërgim Mavraj. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ka regjistruar një tjetër fitore me skuadrën e tij, Kolnin.
Ata e mposhtën Eintracht Frankfurtin me rezultatin 3:1, në kuadër të xhiros së 21’të të Bundesligas.
Për 29-vjeçarin kjo ishte ndeshja e tretë që e luan pa u zëvendësuar, qëkur u kthye nga lëndimi. Në dy ndeshjet e kaluara, Kolni barazoi me rezultatin 1-1, si me Wolfsburgun, ashtu edhe me Hamburgun.
Për reprezentuesin e Shqipërisë ishte paraqitja e katërt këtë edicion. Ndryshe, Kolni renditet në vendin e nëntë në tabelën e kampionatit gjerman me 29 pikë.


