Fundamenti

Kthehen në garë “ujqit e vjetër”

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Derisa nuk dihet data e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet lokale, a do të jetë fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit, partitë politike i kanë intensifikuar angazhimet rreth përzgjedhjes së kandidatëve “adekuat” me të cilët pretendojnë t’i fitojnë zgjedhjet lokale.

Në fakt, janë drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që nominimin e kandidatëve për kryetar të komunave e kanë marrë më “ngatë zemre”, ndërsa partitë tjera nuk janë duke u ngutur me këtë proces. Këto dy parti i kanë kthyer në lojë “ujqit e vjetër” me qëllim që ta mposhtin PDK-në.

Ndërkaq, tërësisht të heshtur karshi këtij procesi deri tash janë treguar drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të Aleancës Kosova e Re. Sikurse në partinë e Hashim Thaçit, në Lëvizjen e Albin Kurtit dhe atë të Behgjet Pacollit deri më tash, të paktën publikisht, nuk dihet as edhe një kandidat i vetëm që do të garojë për të marrë timonin e ndonjërës prej komunave të vendit.

E heshtur deri të shtunën ka qëndruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por pas një mbledhje që ka pasur të shtunën kryesia e kësaj partie, lideri i saj, Isa Mustafa, i ka prezantuar emrat e kandidatëve për gjashtëmbëdhjetë komuna, shumë prej të cilëve janë kryetar aktual.

Derisa i ka treguar nominimet, Mustafa ka thënë se që të gjithë e kanë përkrahjen e organeve qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të degëve prej nga vijnë dhe të qytetarëve ku pritet të garojnë.

Në LDK kandidohen “figurat e vjetra”

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan do të garojë deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri, në Podujevë kryetari aktual, Agim Veliu, në Pejë Gazmend Muhaxhiri, në Gjakovë kryetari degës së LDK-së, Luan Gola, në Istog kryetari aktual, Haki Rugova, i cili është njëri nga nënkryetarët e LDK-së. Edhe në Ferizaj partia e Isa Mustafës garon me kryetarin e degës, Muharrem Sfarqa, ndërsa në Lipjan me deputetin Imri Ahmeti.

Për një mandat tjetër do të garojë edhe kryetari aktual i Kamenicës, Shaip Surdulli, ndërsa në Vushtri Refik Ramaj, i cili është shef i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

Gjithashtu në Obiliq, kryetari aktual, Mehmeti Krasniqi, do të kërkojë votat për një mandat tjetër, sikurse edhe kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha.
Ndërkaq, në Dragash LDK-ja e ka Fatmir Mehmetin, në Rahovec, Fahredin Shehun, në Viti, Sokol Halitin, në Novobërdë, Bajrush Ymerin, i cili është kryetar aktual, si dhe në Kaçanik Selim Reka. Secili nga këta pesë kandidat është kryetar i Degës në vendin ku do të garojë.

Deri më tash, sfidë për të gjitha partitë mbetet kandidati për kryetar të Prishtinës, përfshirë edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila tradicionalisht e drejton kryeqytetin.

I pyetur nëse do të kandidohet për mandat të tretë, ose nëse do të kërkojë votën e qytetarëve për tu bërë kryeministër i vendit, lideri i LDK-së, Mustafa, ka thënë se për këtë do të vendosin degët e partisë në kryeqytet dhe kryesia e kësaj partie.

“Këto komunat tjera, përfshirë edhe Prishtinën i kemi lënë që t’i trajtojmë edhe më tutje. Nuk do të jetë vetëm vendim i kryetarit, do të jetë vendim i cili do të merret në harmoni me statutin e Lidhjes Demokratike, dhe statuti parasheh që propozimet të bëhen në nivel të degëve, në Prishtinë i kemi pesë degë, të vijnë në kryesi që kryesia t’i përkrahë ato propozime ose të kërkojë sqarime për propozimet, por propozimi përfundimtar dhe vendimi është i kryesisë së Lidhjes demokratike”, ka thënë ai.

Hidromorava

AAK: Do t’i fitojmë edhe komunat “e vështira”

Edhe drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tashmë i kanë nominuar shumicën e kandidatëve për kryetar të komunave. Madje, ndryshe nga të tjerët, partia e Ramush Haradinajt kaherë është deklaruar se anëtari i kryesisë së kësaj partie, Besnik Tahiri do të jetë kandidati i saj për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Ernest Luma, ka deklaruar të shtunën për “Zëri” se me kandidatët e nominuar deri tash kjo parti synon t’i fitojë zgjedhjet edhe në komunat ku si ka fituar asnjëherë më parë, dhe t’i ruaj ato ekzistuese.

“Pjesa e konsiderueshme e kandidatëve është nominuar, përfshirë komunat në perëndim të Kosovës, edhe në ato ku jemi në pushtet”, ka thënë ai, duke përmendur Komunën e Kaçanikut, të Gjilanit, të Gjakovës, të Pejës, të Deçanit, të Junikut, të Klinës, e të Vitisë, si vende ku tashmë dihet se kush do të garojë në emër të AAK-së.

Ai shprehet i bindur se Aleanca do të ketë suksese të konsiderueshme në zgjedhjet e ardhshme lokale. “Konsiderojmë se në afatin optimal do t’i dominojmë kandidatët për të gjitha komunat, e dini që edhe në Prishtinë e kemi nominuar”, ka thënë ai, duke shtuar se Aleanca pret që në zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë zgjedhjet në Komunën e Prishtinës.

Molliqaj: Në korrik nominohen kandidatët

Situatë krejtësisht tjetër është në Lëvizjen Vetëvendosje. Drejtuesit e kësaj partie thonë se ende nuk është nominuar asnjë kandidat, ngase, sipas tyre, kjo nuk bëhet nga kryesia por nga vetë degët e Vetëvendosjes. “Ne nuk përcaktohemi për kandidatë, por kandidatët tonë për kryetar komune i zgjedh anëtarësia jonë ne secilën komunë. Pra zgjedhja e kandidatëve tonë vjen nga poshtë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme për zgjedhjen e kandidatëve tone për kryetarë të komunave do të fillojë në muajin korrik dhe po ashtu gjatë këtij muaji do ti kemi edhe kandidatët e parë qe kanë dalë si rezultat i këtyre zgjedhjeve”, ka thënë sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj për “Zëri”.

I pyetur se në cilën prej komunave Vetëvendosje beson se do t’i fitojë zgjedhjet, ai ka thënë se kjo Lëvizje do të garojë me alternativë qeverisëse lokale për secilën komunë dhe më kandidatë më të mirë, ndërkaq, votuesit do të vendosin në ditën e zgjedhjeve se cili kandidat do të fitojë. “Janë qytetarët ata që do ta përcaktojnë se ku ne do të fitojmë. Por një gjë është e qartë që në shumicën e komunave të mëdha dhe disa më të vogla jemi pretendenti kryesor për të fituar”, ka thënë ai.

PDK: Ka kohë!

Partisë Demokratike të Kosovës duket se nuk është duke iu ngutur për nominimin e kandidatëve për kryetarë të komunave. Ndryshe nga shumica e subjekteve politike, partia e kryeministrit Hashim Thaçi deri më tash nuk e ka nominuar asnjë kandidat për ndonjërën prej komunave. Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, i ka thënë shkurt “Zërit” se për kandidatët do të vendosin forumet e partisë.

“Ende nuk ka data se kur do të mblidhen për të vendosur. Por, natyrisht se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme”, është përgjigjur ai.(zeri)