ARKATANA

Kryetari ynë i pafajshëm dhe i pastër

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Abdyl Bajrami – Përfundimi i luftës në Kosovë përveç çlirimit të Kosovës dhe hapjes së rrugës drejt proceseve të reja, krijoi edhe eklektizëm në aspektin e qasjes objektive e shkencore ndaj koncepteve të caktuara dhe gjithashtu formoi edhe profan të ndryshëm që janë relativisht rudimentarë në plotë çështje të dimensionit shkencor e profesional.

Perceptimi subjektiv i dispozitave juridiko-pozitive të sistemit juridik në Kosovë pashmangshëm dhe potencialisht ka gjeneruar situata të paqarta. Kjo nga fakti i mosnjohjes së këtyre normave dhe nga shkaku i politizimit të tepruar të rendit kushtetues në Kosovë. Kushdo flet e shkruan çfarë të dojë dhe askush nuk qan kokën për pasojat eventuale të fjalës së thënë apo të shkruar.

E them këtë jo për ta ngulfatur frymën e demokracisë liberale të cilën e kemi pritur aq shumë,sepse nëse bartësit e sistemit juridiko-politik veprojnë në kundërshtim me dispozitat juridiko-pozitive të rendit juridik në Kosovë që kanë të bëjnë me shprehjen e lirë, qoftë në nivel qendror apo lokal, atëherë mund të presim ngulfatje të demokracisë dhe tendenca për vendosjen e diktatit. Për rrjedhojë riparimi është shumë i vështirë, derisa pasojat janë më se evidente.

Në këtë kontekst komuna e Vitisë është shembull për tërë Kosovën në aspektin e mbretërimit të klimës së përshtatshme për të bërë politikë. Mirëpo çfarë politike? Përkitazi me këtë mendoj se Kryetari i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, është bërë viktimë e veprimeve politike diletante. Aq shumë zhurmë është bërë se kinse i pari i komunës është zhytur në korrupsion e vepra të kundërligjshme sa që për njëmend dhe për një çast të krijohet përshtypje e tillë. Mirëpo realiteti është krejt ndryshe.

Është fjala për rastin NP “Higjiena“, rast i cili është i njohur për të gjithë. Kjo çështje nuk ka dashur ndonjë studim të thellë juridik për shkak se kompleksiteti i saj nuk vjen si pasojë e kolizionit të ligjeve, por si pasojë e mosnjohjes së duhur të normave ligjore në këtë fushë.

Shpreh bindjen time të plotë se akuzat të cilat ju kanë adresuar kryetarit Arifi janë të pabaza dhe si të tilla do të hedhen poshtë nga organet e drejtësisë, në punën e të cilave besoj plotësisht.Me këtë rast dua t`i njoftoj të gjithë qytetarët e komunës sonë se kryetari Arifi është liruar nga të gjitha akuzat për rastin e ndërtimit të digës së shumëpërfolur.

Kryetari Arifi akuzohej për ndarjen e 60.000 eurove për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e pendës në Viti, vendimin për ndarjen e të cilave e kishte marrë me 5 mars të vitit 2010 , Kuvendi Komunal i Vitisë, me votim edhe të opozitës.Kjo natyrisht se u mirëprit nga të gjithë qytetarët e komunës së Vitisë.

Pra shprehur në mënyrë koncize ne jemi për sundim të rendit dhe ligjit, mirëpo njëkohësisht jemi pro doktrinave bashkëkohore juridike të cilat kanë flakur përgjegjësinë kolektive dhe kanë etabluar pakthyeshëm përgjegjësinë penale individuale.

Kryetari Arifi, dhe asnjë kryetarë komune, nuk mund të jetë përgjegjës për pasojat eventuale të veprimeve politike të këshilltarëve komunal.Dhe kjo është shumë e natyrshme. Mendoj që çdo kush që rezonon objektivisht dhe profesionalisht do ta akceptoj këtë qasje krejt të natyrshme.

FIDANISHTJA

Përkitazi me këtë edhe në rastin e NP “Higjiena“, besojmë fuqishëm se do të pushohen të gjitha akuzat e pabazuara dhe të pamenduara objektivisht në aspektin profesional.

Si mund të akuzohet dikush për ndonjë vendim të cilin e kanë votuar në mënyrë unanime të gjithë këshilltarët komunal të Kuvendit Komunal të Vitisë?!

Pra vendimin për themelimin e Kompanisë së Mbeturinave NP “Higjiena“, e ka marrë Kuvendi Komunal i Vitisë.Krejt kjo me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më afër qytetarëve dhe rritjes së efikasitetit të këtyre shërbimeve. E çfarë faji na paska bërë këtu kryetari Nexhmedin Arifi !

Trajtimi i njëjtë i lëndëve është parim në drejtësi. Prandaj ne besojmë se ashtu si është shpallur i pafajshëm në rastin e pendës, edhe në këtë rast i pari i komunës do të shpallët i pafajshëm dhe do të vërtetoj punën e shkëlqyer që ka bërë përgjatë dy mandateve si kryetarë i Komunës së Vitisë.

Vendimet e drejta dhe të ligjshme të kryetarit tonë shihen çdo kund dhe gjithkah.Sidoqoftë edhe më tej sfidë e institucioneve komunale dhe e shoqërisë mbetet respektimi i parimit të Legalitetit dhe Legjitimitetit.Sepse gjithmonë ka vend për përmirësim dhe avancim.

Janë dy dokumente normative të cilat duhet respektuar nga niveli lokal detyrimisht :Këto janë Ligji mbi Vetëqeverisje Lokale dhe Statuti i Komunës. Këto dy dokumente normative juridike edhe më tutje mbeten udhërrëfyes fundamental për funksionimin e komunës dhe ecjen tonë përpara.

Krejt në fund kërkoj nga organet gjegjëse të drejtësisë që të tregohen të matura në veprimet e tyre dhe njëkohësisht të bëjnë të mundur materializimin e drejtësisë institucionale.

Mendoj se Nexhmedin Arifi është i pafajshëm në aspektin juridik dhe gjithsesi i pastër në dimensionin politik.

Autori është Nënkryetar i Komunës së Vitisë !