Fundamenti

Kryetari i Vitisë rrezikon të dënohet me 8 vjet burg

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjykata e Qarkut në Gjilan, me 21 maj të këtij viti kishte ftuar në seancë si të pandehur kryetarin e komunës së Viti-së, Nexhmedin Arifin.

Arifi së bashku me Kabil Hajdarin akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit, thuhet në aktakuzën e konfirmuar që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë. Hajdari, pos për shpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohet edhe për shmangie nga tatimi dhe mashtrim në detyrë.

Kryetari i komunës së Viti-së rrezikon të dënohet deri 8 vite burgim. I bashkëpandehuri Hajdari rrezikon që, përveç për veprën e shpërdorimit e dënueshme me 8 vite burg, të dënohet edhe për dy veprat të tjera – për shmangie nga tatimi deri në pesë vite burg e për mashtrim në detyrë deri në dhjetë vite burg.

Prokuroria e Qarkut në Gjilan, pas bastisjes në lokacionet kompanisë “Universal”, si rezultat i informatave të marra nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me mos-pagimin e tatimit dhe hetimeve të bëra në komunën e Vitisë më datën 30 dhjetor 2011, ngritë aktakuzë për kryetarin e Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifin dhe drejtorin e kompanisë “Universal” Kabil Hajdarin.

Uji Dea

Në aktakuzën e prokurorit Shaban Spahiu thuhet se kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, që nga data 22 gusht 2008 ka vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike. Kryetari Arifi asokohe kishte marrë vendim për ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Viti-së që kishte të bënte me de-rajonalizimin e KRM “Higjiena”, njësia punuese në Viti. Me këtë vendim ishte formuar kompania NP “Universal” me seli në Viti.

Aktakuza thotë se në këtë kohë Ministria e Administratës dhe e Pushtetit Lokal, përmes një shkrese i ishte drejtuar kryetarit të Komunës që ta rishqyrtonte dhe shfuqizonte vendimin e Kuvendit Komunal për de-rajonalizimin e KRM “Higjiena”.

Siç raporton gazeta Jeta në Kosovë, ministria përmes shkresës i kishte kërkuar kryetarit Arifi që të respektonte edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, numër 10/39, me të cilin ishte përcaktuar struktura pronësore për ndërmarrjet publike thuhet më tutje në aktakuzë.

Gjatë muajit të ardhshëm, kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi dhe i pandehuri tjetër Kabil Hajdari, pritet të dalin para trupit gjykues që të gjykohen veprat penale.
Komuna e Vitisë, nëse kryetari dënohet mbi gjashtë muaj burg, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe do të jenë zgjedhjet e treta në Kosovë që do të mbahen për shkak se një kryetar i Komunës ka aktakuzë nga prokuroria.