Kryetari i Asociacionit të komunave, Aliu: Niveli lokal ka ngecur në investimet kapitale, si pasojë e mos kompletimit për një kohë të Bordit të OShP-së

Kryetar i Komunës së Ferizajt, njëherësh dhe kryetar i Komunave të Asociacionit të Kosovës, Agim Aliu, ka folur për sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar komunat e Kosovës.

Aliu gjatë fjalës së tij tha se në fushën e investimeve kapitale komunat kanë ngecur si pasojë e moskompletimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, mbi një vjet.

Ai po ashtu tha se problem tjetër i komunave është edhe ngritja enorme e çmimeve, gjë që ka bërë të pamundur punën tutje me kontratat paraprake.

“Takimi si ky i sotmi janë të mirëseardhura gjithmonë, për të diskutuar për sfidat me të cilat ballafaqohemi tash e sa kohë. Qeveria ka aleat të çmuar Asociacionin e Komunave. Në fushën e investimeve kapitale ju tashmë e dini që mos kompletimi i Bordit të Organit shqyrtues të prokurorimit publik ka bllokuar për mbi një vit punën e komunave. Muajve të fundit kemi një ngritje enorme të çmimeve, inflacion dyshifror, gjë që ka bërë të pamundur punën tutje me kontrata paraprake kemi ofruar dhe disa propozime, ku ne si asociacion i komunave edhe me takimet që kemi pasur me Odën Ekonomike të Kosovës, kemi dërguar një listë të kërkesave që t’i shqyrtoni ju si kryeministër. Kujtojmë që është urgjente ndërhyrja në këtë segmet pa çka do të krijohen pasoja të rënda për ekonominë, duke lënë përgjysmë apo të pa filluara qindra projekte anembanë vendit e që detyrimisht rëndon jetën e qytetarëve”, ka thënë Aliu

Aliu po ashtu tha se komunat kanë nevojë për rishikim të buxhetit, e cila gjë sipas tij ende nuk ka ndodhur.

“Komunat kanë nevojë edhe për rishikim buxhetor e që nuk kanë ndodhur. Komunat kanë nevojë të dinë për shkaqet e disa ndërprerjeve të disa projekteve. Qytetarët po përballen dhe me mungesën e barnave esenciale, përgjegjëse e së cilës është Ministria e Shëndetësisë. Projektligji për vetë qeverisje lokale ka shkuar në Kuvendin e Kosovës dhe ne nuk kemi qenë pjesë e atij projektligji…Komunat po ballafaqohen me probleme siç është mos funksionimi për një kohë të gjatë i web faqeve digjitale. Edhe për nismën e fundit I-komunat agjencioni MAPL, nuk janë të përfshirë komunat dhe duam të jemi pjesë e saj që të jetë sa më e qartë si platformë”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, sa i përket çështjes së trajtimit të qenve endacak, Aliu kërkoi që komunat të mbulohen me buxhet shtesë nga niveli qendror.

“Sa i përket çështjes së trajtimit të qenve endacak, asociacioni duke qenë pjesë e grupit punues për hartimin e strategjisë për qentë endacak dhe ata me pronar, ndër të tjera ka kërkuar që obligimet financiare për komunat që dalin nga kjo strategji të mbulohen me buxhet shtesë nga niveli qendror”, ka thënë ndër të tjera, Agim Aliu. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS