UBT

Kryetari dhe Qeveria Komunale ”brilante” demantohen nga GAP

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Selman Ymeri – Të flasësh fjalë të mëdha nuk do të thotë se di të udhëheqësh. Me fjalë vetëlavdëruese dhe me një kryetar dhe Qeveri të vetëquajtur brilante, në asnjë mënyrë nuk do të thotë se mund të dalësh më mirë se sa nga ajo që unë e kam artikuluar në vazhdimësi në shkrimet autoriale, e që fatkeqësisht për qytetarët e komunës sonë, po demantohet edhe në vlerësimin e fundit të realizuar nga Instituti GAP.

Një udhëheqje, e cila është e bazuar kryesisht në formë dhe në simbolika e shumë më pak në përmbajtje, është e destinuar të dështojë.

Të nderuar lexues,

Ndoshta me tri konstatimet e lartëpërmendura do të mund edhe të përmbyllej ky shkrim, nëse do të flitnim në vija të trasha, sa herë që i referohemi mënyrës së udhëheqjes aktuale të Vitisë, për vitin 2014.

Megjithatë, për shkak të disa sqarimeve e shohim të udhës t`i themi edhe ca fjalë.

Se udhëheqja komunale e Vitisë, është ndër më të dobëtat që ka pasur komuna jonë që nga paslufta, nuk kemi asnjë dilemë.

Edhe në vlerësimet tona të mëparshme, kemi pasur vërejtjet lidhur me qasjen joprofesionale dhe mënyrën jo të duhur, qoftë në trajtimin e të gjithë qytetarëve pa dallim partiak, qoftë në caktimin e prioriteteve të ndryshme.

Konstatimet e lartpërmendura ilustrohen më së miri se që nga ditët e para të kësaj qeverie, kur u raportua edhe në TV-të, nacionale, se janë bërë emërime pa konkurs në procesin arsimor, pastaj për favorizimin e njerëzve të partisë në pushtet me rastin e përpilimit të listës për regjistrimin e bujqësisë në vjeshtën e vitit 2014, shpalljen e konkursit për sekretarin e shkollës së mesme, pavarësisht se zyrtari është në atë detyrë, i kualifikuar dhe me përvojë, (që të mos gabohem) afër ose mbi 30 vjeçare, etj, etj.

Një tjetër fakt që dëshmon se udhëheqja e Vitisë, në aspektin përmbajtësor qëndron larg nga realiteti dhe efikasiteti, tregon e dhëna se nxënësve të shkollës fillore, për një prishje sado të vogël apo elementare, u kërkohet që ata të sjellin para në shkollë, në mënyrë që të bëhet rregullimi i asaj prishjeje.

Kjo ka ndodhur në Shkollën Fillore “28 Nëntori”, në Sadovinë të Jerlive, kur nxënësve të klasës së 9-të, për prishjen e rezës së derës u është kërkuar nga kujdestari i klasës që të sjellin nga 1 euro, për rregullimin e saj. Kjo ka ndodhur me 18 dhjetor 2014, ndërsa pas fillimit të gjysëmvjetorit të dytë, po atyre nxënësve u është thënë varianti tjetër se me ato para është blerë ngjyrë për aparatin fotokopjues.

Siç shihet kryetari dhe qeveria komunale e vetëquajtur brilante, duke tentuar të merret me “politika të larta” dhe me “çështje diplomatike”, ata në të vërtetë po tregojnë joprofesionalizëm dhe joseriozitet.

Në intervistën e fundvitit dhënë për njw portal lokal, kryetari Sokol Haliti, duke folur për sukseset e kësaj qeverie tha se ato janë arritur, edhe siç tha ai, “përfshirë punën ekipore në mënyrë të unifikuar në rehabilitimin e gjithë sistemit”.

UBT

Nëse kjo intervistë lexohet nga ndokush që nuk e njeh kryetarin dhe nuk e din realitetin e përafërt në komunë, t’a thotë mendja se më në fund jo vetëm Vitia, por edhe Kosova e gjeti shpëtimtarin për t’a shpëtuar vendin, sepse kur shpëtohet sistemi i një vendi, shpëtohet i tërë vendi, apo jo?

Fjala sistem është vërtetë një nocion shumë i gjerë dhe në cilin sistem ka menduar kryetari, kur e pati thënë këtë, veç një zot t’i bije në fije.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së kryetarit të komunës, se Vitia nuk ka qeveri partiake, do të ishte mirë që këtë t’ia tregojë ndonjë analfabeti, nëse të tillë gjen, sepse dihet botërisht se në Viti nuk ka asnjë subjekt politik në bashkëqeverisje me LDK-në.

Një instancë tjetër, e cila e demanton fund e krye “tregimin” për një kryetar dhe qeveri komunale të suksesshme, për vitin 2014, është Instituti GAP.

Ky Institut, më 15 janar 2015, publikoi dokumentin me titull, “Platforma për realizimin e premtimeve parazgjedhore nga kryetarët e komunave”, në të cilën paraqitet ecuria e realizimit të premtimeve parazgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale.

Ky hulumtim është bërë për 30 kryetarë të komunave të Kosovës.

Në këtë analizë të Institutit GAP, kryetari i komunës së Vitisë ka treguar performancë nga më të dobëtat, në mesin e 30 kryetarëve të komunave të Kosovës dhe ka realizuar vetëm 15% të premtimeve të veta.

Ndërsa, pas kryetarit të komunës së Vitisë, rezulton se kanë shënuar përqindje më të vogël vetëm edhe katër kryetarë të tjerë të komunave të Kosovës, dhe atë: ai i Klinës, i Suharekës, i Prizrenit dhe i Junikut.

Thënë sinqerisht, edhe mua nuk po më vjen mirë që kryetari i komunës sime nuk ka përqindje të realizueshmërisë më të mirë. Kjo në mos për asgjë tjetër dhe thënë edhe pa ngjyrime politike apo partiake, sepse atëherë të gjithë qytetarët e komunës do të përfitonin nga performanca më e mirë faktike dhe praktike, sikur të ndodhte.

Cilido kryetar i zgjedhur në zgjedhje të lira e demokratike duhet të jetë i drejtë, parimor dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e tij. Ai duhet të tregojë në praktikë drejtësi shoqërore për të gjitha kategoritë e qytetarëve të asaj komune, pamëdyshje edhe për qytetarët me përkatësi tjetër politike, nga ajo e tij, duhet të tregojë paanshmëri politike dhe partiake gjatë ushtrimit të funksionit të tij dhe mbi të gjitha duhet të mos i bëjë gjërat vetëm për qëllime të marketingut politik apo mediatik, së paku jo atëherë kur shpërndan ndihma ushqimore për skamnorët, duke i ftuar dhe tubuar ata në qendër të qytetit.

Kryetarit të komunës i urojmë performancë më të mirë në vitin 2015.