‘Kryeministri s’rrezikon të arrestohet nga fletarrestet e Serbisë, kjo është arsyeja’
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi dje (e enjte), se zyrtarët perëndimorë në Prishtinë, ashtu si edhe ata lokalë, druajnë se kryeministri Ramush Haradinaj mund të arrestohet nëse udhëton jashtë vendit dhe nëse urdhërarresti për të nuk tërhiqet.
Mirëpo se sa rrezikon që të arrestohet kryeministri Haradinaj nëse udhëton jashtë vendit, analisti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani tha për lajmi.net, se kjo gjë nuk mund të ndodh, pasi flet arrestet janë politike.
“Logjikat e tilla janë jo vetëm të papranueshme, por nuk mund të ndodhin. Urdhërarrestet e tilla nuk do të respektohen, në të njëjtën kohë vet fakti që urdhërarrestet e tilla vazhdojnë të trumbetohen i dëmtojnë raportet dhe mundësitë e normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, minojnë në mënyrë serioze investimin në dialogun mes dy shteteve”, është shprehur ai.
Ramadani tha, se në udhëtimin e paralajmëruar të kryeministrit në Bruksel më 17 nëntor, nuk mund të ndodh që të arrestohet, arsyeja pasi Belgjika ka njohur Kosovën.
“Kryeministri i Kosovës nuk mund të arrestohet në Bruksel, sepse Kosova është shtet i njohur nga Belgjika dhe autoriteti qeverisës është legal dhe legjitim dhe në të njëjtën kohë urdhërarresti është vetëm politik, s’ka të bëjë fare më drejtësi”, deklaroi ndër tjera Ramadani.
Se çka duhet të bëjë Kosova që t’i largojë këto fletarreste të Serbisë për zyrtarë kosovar, ai tha se duhet të lobohet dhe t’i bëhet presion Serbisë për largimin e fletarresteve.
“Nuk besojë se ekziston mundësia që në çfarëdo rasti të arrestohet kryeministri i Kosovës. Kosova duhet decedivisht duhet të ngrish nivelin e lobimit edhe me shtetet tjera, e sidomos me partnerët strategjik për t’i bërë presion Serbisë që të heq fletarrestet politike dhe në të njëjtën kohë të argumentohet në zyren ligjore të Interpolit për logjiken hegjemoniste prapa këtyre fletarresteve”, tha për fund Ramadani.

