Kryeministri në detyrë Haradinaj: Sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe miqësinë e përjetshme me ShBA-të

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Bob Dole, që do të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ky është një moment mjaftë i mirë për t’i uruar një miku të Kosovës ditëlindjen dhe ai është Senatori Bob Dole, duke falënderuar për prezencën dhe kujdes ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, zonjën Alison Kosnett, dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

“Po më atribuohet shumë kujdesi për këtë përmendore dhe t’iu them të drejtën unë vetëm ndihmoj, por iniciativa ka ardhur prej qytetarëve, bizneseve, Odës, shumë miqve që janë këtu prezentë dhe më lejoni t’ju falënderoj gjithë juve që jeni bashkuar sot dhe me rastin e ditëlindjes së Senatorit Bob Dole, ne po shënojmë nisjen e projektit për një përmendore për Senatorin Bob Dole”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, falënderoj Senatorin Bob Dole për dakordimin e dhënë që ne të veprojmë kështu, duke theksuar se me respektin më të madh i është drejtuar edhe Komunës së Prishtinës me shkresat e duhura dhe tashmë ky proces ka filluar, duke kujtuar kohën e 29 viteve më parë, në vitin 1990 kur është bërë vizita e parë e një delegacioni të lartë të senatorëve amerikanë në Kosovë.

”Përderisa Senatori Dole ishte në hotelin “Grand” duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, policia, regjimi i Millosheviqit kishte filluar keqtrajtimin e qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte një nismë për së mbari e Kosovës dhe kështu u vazhdua nga të gjithë ata që na nderuan me vizita më pastaj në Kosovë dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e vitit ’99, me ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në Kosovë dhe mendoj se sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe këtë miqësi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se janë të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij jetësor për Kosovën, Senatorit Bob Dole.

“Falënderojmë presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë- Amerikë të jetë e përjetshme. Zoti e Bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

UBT

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj beson se artisti Luan Mulliqi, të cilit i është besuar kjo detyrë, do të na nderojë poashtu dhe do të jemi të nderuar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Philip Kosnett, falënderoi kryeministrin në detyrë, Qeverinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për mundësinë e këtij çasti frymëzuese, duke thënë se bashkë me bashkëshorten e tij janë të nderuar që janë dëshmitarë të vënies së gurthemelit dhe po ashtu edhe senatori Bob Dole është prekur nga ky nderim.

“Gjatë tërë jetës së tij në shërbim, fillimisht si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kandidat për president të SHBA-ve dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar, Bob Dole i ka prirë gjithmonë shtytjes përpara të kauzës së lirisë në tërë botën. Andaj, nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazëvendësueshëm i Kosovës, duke qëndruar përkrahë popullit të këtij vendi në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, tha ambasadori Kosnett.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nuk ka mënyrë më të mirë sesa kjo e sotmja që t’i urojmë senatorit Bob Dole ditëlindjen e tij, e në të njëjtën kohë nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja që bashkërisht të konfirmojmë përjetësimin e kujtesës për gjithë rolin dhe kontributin që senatori Bob Dole ka pasur në Kosovë.

Busti i Senatorit Bob Dole planifikohet të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./rajonipress/