RCCOLA

Kryeministri Isa Mustafa i uroi mirëseardhje në Kosovë sekretarit amerikan John Kerry

/ 1 minutë lexim
RCCOLA

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sekretarin amerikan të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry.

Sekretari Kerry, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, u prit me nderime të larta dhe ceremoni shtetërore nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryeministri Mustafa, e falënderoi sekretarin Kerry për vizitën, dhe i shprehu njëkohësisht mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.

Mobi Casa

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, do të zhvillojnë takim bilateral me sekretarin Kerry dhe delegacionin e SHBA-ve.

Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa dhe sekretari John Kerry, do t’i drejtohen gazetarëve të pranishëm./rajonipress/