Kryeministri Haradinaj: Kriminelët nuk do ta marrin ligjin në dorë, rënia e policit Izet Demaj është kthesë për ligj
Prishtinë – “Nuk do të lejojmë që kriminelët të vendosin ligjin në Kosovë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ka vizituar sot Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, për të shprehur ngushëllime për humbjen e kolegut të tyre, pjesëtarit të Policisë, Izet Demaj, i cili humbi jetën në mbrojtje të qytetarëve dhe rendit, të enjten pas një plaçkitjeje në Istog.
Kryeministri Haradinaj tha se dje ka qenë një ditë e ndjeshme dhe e dhimbshme për të gjithë Kosovën, që i ka prekur të gjithë qytetarët.
“E vërteta është se ajo që ka ndodhur dje nuk është e para. Kemi parë raste kur në mesditë me armë të gjata, me sëpata, në qendra të banuara, ka pasur sulme në pronë, e plaçkitje. Dje, epilogu i një ngjarjeje të ngjashme si këto që i kemi parë më herët, është një polic i vrarë në detyrë, një familjar, dhe një sulmues i involvuar në plaçkitje. Polici ka qëlluar në mbrojtje të jetës së vetë dhe rendit, për të cilën edhe e ka paguar me jetë”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se sot ka shkuar aty për të shprehur ngushëllime, por edhe për t’iu dhënë përkrahje Policisë.
Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj për mënyrën se si dje e ka menaxhuar gjendjen dhe tha se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që të mos lejojnë që kriminelët të vendosin ligjin në Kosovë.
“Policia do ta merr përkrahjen në tërësi, çkado që i nevojitet që të mos lejohet që kriminelët ta marrin ligjin në dorë. Institucionet e Kosovës do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta përkrahin Policinë e Kosovës në përgjithësi. Kur kemi folur për rritjen e pagave për policinë, sigurimet shëndetësore, jetësore e pensionale, jemi kritikuar në raste të caktuara, por mos harroni pa rend dhe ligj nuk ka logjikë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj po ashtu njoftoi se nesër, e shtunë, do të shpallet edhe ditë zie nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kësisoj, siç tha ai, kjo do të jetë një ditë kthese, pasi rënia e policit në detyrë do ta bëjë një ditë kthese për ligj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme, duke shtuar se kjo është një mbështetje e madhe për policinë.
Drejtori Rashit Qalaj tha se është krenar që Policia e Kosovës ka arritur t’i shpëtojë qytetarët dhe të intervenojë me kohë./rajonipress/


