Kryeministri Haradinaj: Kosovën dhe Bullgarinë nuk e ndanë asnjë temë!

Prishtinë – Bullgaria ka një rol tejet të rëndësishëm në rajonin tonë dhe Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend evropian. Ky ishte qëndrimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, vendi i të cilit që nga janari i 2018-ës kryeson me presidencën e Këshillit të Evropës.

“Bullgaria e ka një aleat, Kosovën! Jemi të nderuar me prezencën tuaj në vend dhe vendet tona nuk i ndanë asnjë temë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj në hapjen e takimit, duke shtuar se për të dyja vendet është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rruga e përbashkët evropiane.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga Kryeministri Boyko Borissov mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke shprehur përkushtimin e vendit të tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dyja vendeve, partneritetit ekonomik dhe rrugën e përbashkët evropiane.

“Midis shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Synimet tona për investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera e kanë në fokus edhe Kosovën”, ka thënë Kryeministri bullgar, Boyko Borissov, i cili e ftoi Kryeministrin Haradinaj në një vizitë zyrtare në Bullgari.

Në takim morën pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).