Kryeministri, “gjarprin” te këmbët
Nga Enis Veliu – Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (MPJ) në kabinetin qeveritar të kryeministrit, Isa Mustafa. Së paku deri më sot askush nuk kishte kalkuluar për një opsion të tillë, duke ditur qëllimet dhe ambiciet megalomane të Thaçit.
E që do të ndodhë në realitet një gjë e tillë, pardje as që kishte menduar as vetë Thaçi, i cili deri në momentin e fundit e ka konsideruar veten si kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
Madje një qëndrim të tillë, Thaçi por edhe servilët e tij të përbetuar e mbrojtën edhe të dielën, pas takimit të fundit që ata patën me Isa Mustafën, edhe pse ishin shumë të vetëdijshëm se këtë herë kërkesat e tyre ishin vështirë të realizueshme.
E sikur të kishte pasur qasje Gjykata Kushtetuese në këtë fazë të procesit, padyshim se Thaçi edhe kësaj radhe do të arrinte qëllimin që ia ka vënë vetes para prej më shumë se gjashtë muajsh.
Por, kësaj radhe lakmia për pushtet, por edhe nga frika nga drejtësia ndërkombëtare e gjeti Thaçin nën ombrellën e Isa Mustafës, ndonëse në opinion kohëve të fundit janë proklamuar si armiq të njërit-tjetrit duke akuzuar në llogari të njëri-tjetrit.
Në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës, tashmë ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po tenton të marrë përkrahjen e ndërkombëtarëve, sidomos në procesin e bisedimeve me Serbinë, ku ky po tenton ta ekspozojë më shumë veten.
E nëse këtë “test” e kalon me notë të shkëlqyeshme, ai sigurisht se do ta ketë përkrahjen e këtyre në synimin e tij, tash të bërë publik, për t’u bërë president i vendit, pas skadimit të mandatit të presidentes aktuale, Atifete Jajhaga.
Por, në marrëveshjen për bashkëqeverisje, të nënshkruar të hënën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk përjashtohet mundësia që marrëveshja për bashkëqeverisje të përfundojë para kohës së paraparë, sepse që në star të dyja palët kanë frikë të patheksuar ndaj njëra-tjetrës.
Në dokumentin e nënshkruar mes dy palëve është lënë mundësia që në rast të performancës negative të ndonjërës palë mund edhe të prishet marrëveshja para kohe, duke shkuar kështu edhe një herë në zgjedhjet e parakohshme.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, gjatë rrugës të dyja palët mund ta shantazhojnë njëra-tjetrën për punë dhe çështje të ndryshme.
Nga përbërja e fundit e kabinetit të ri qeveritar që në start do të vërehen indikacione se vendi nga kjo përbërje do të ketë pasoja të brendshme (vendore), por edhe ndërkombëtare.
Në aspektin e parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të jetë shumë i kufizuar në lëvizjet dhe veprimet që bën, pasi që ai në vazhdimësi do ta ketë te këmbët ish-kryeministri Thaçi, i njohur gjatë luftës me nofkën komandant “Gjarpri”. Mustafa do të këtë problem të zbatojë një pjesë të programit të tij partiak, pasi që një pjesë të madhe të ministrive do të udhëhiqen nga ministrat e partnerit të koalicionit, PDK-ja, e ku ky vështirë se do të ketë kontroll të plotë mbi ta.
E në aspektin e dytë, Kosova do të ketë edhe më tutje problem në sigurimin e njohjeve të reja nga shtete që nuk e kanë njohur, pasi që edhe më tutje aversioni i tyre ndaj Thaçit ka qenë dhe mbetet i theksuar.


