Kryeministri: Duhet ta dëgjojmë Amerikën, Kosovën e shpëtoi nga zhbërja

Kryeministri Isa Mustafa e ka shfrytëzuar vizitën e Zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, për t’iu thënë zyrtarëve të LDK’së se duhet dëgjuar SHBA’në. Ka thënë se amerikanët kanë shpëtuar Kosovën nga zhbërja. Në të njëjtën kohë, Kryeministri ka thënë se duhet besuar edhe ekspertizës amerikane. S’ka përmendur se për çfarë ekspertize bëhet fjalë, por ka aluduar në vlerësimin e tyre për demarkacionin me Malin e Zi.
“Aleanca Veriatlantike e udhëhequr nga SHBA e shpëtoi Kosovën nga ekzodi, shfarosja dhe zhbërja”, ka shkruar Kryeministri.
“SHBA ishte aleati ynë kryesor në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ekspertiza politike dhe mbështetja e SHBA-së kanë qenë dhe janë jetike për Kosovën”, ka shkruar Kryeministri teksa ka treguar se po bëhen përgatitjet e fundit për vizitën e Bidenit në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
“Vizita e Zëvendëspresidentit Bajden është konfirmim i përkushtimit tonë të përbashkët që marrëdhëniet me fqinjët, politikat gjeostrategjike dhe integrimet euroatlantike ti ndërtojmë në partneritet të plotë me SHBA-të”.
Me këtë rast, Kryetari i LDK’së është marrë pak edhe me zyrtarët e LDK’së, duke tentuar të mbajë edhe një leksion të rugovizmit në raport me amerikanët.
“Ata që thirren në rugovizëm duhet të kenë besim në SHBA-të, sepse ky besim dhe kjo miqësi janë gurthemel, jo vetëm i misionit dhe vizionit të politikave tona shtetërore por kosideroj se edhe, i fatit të vendit tonë”, ka thënë Mustafa.
Edhe këto fjalë të liderit të LDK’së vijnë në kohën kur një pjesë e deputetëve të partisë së tij kanë nisur të deklarohen hapur kundër demarkacionit me Malin e Zi pasi konsiderojnë se Kosova po humb tokë.
“Ata që thirren në rugovizëm duhet të kenë besim në SHBA-të, sepse ky besim dhe kjo miqësi janë gurthemel, jo vetëm i misionit dhe vizionit të politikave tona shtetërore por kosideroj se edhe, i fatit të vendit tonë”, ka shtuar ai.
“Themel i rugovizmit, pra i strategjisë politike të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova ishte miqësia e përhershme me SHBA-të”. /GazetaExpress/