Mobi Casa

Kryediplomatja Xhaçka pas anëtarësimit të Shqipërisë në KS të OKB’së: Çështja e Kosovës, objektiv strategjik

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka deklaruar se me anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendi do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve për çështje globale, jo thjesht kombëtare apo rajonale.

Xhaçka gjithashtu tha se Shqipëria do të vazhdojë të angazhohet për çështjen e Kosovës dhe se përfundimi me sukses i dialogut Kosovë-Serbi do të mbyllte një nga kapitujt më tragjikë në Ballkanin Perëndimor, përcjell Insajderi.

Mobi Casa

“Çështja e Kosovës, e konsolidimit dhe rritjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës, është absolutisht objektiv strategjik dhe interes madhor i Shqipërisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë. Dhe shteti shqiptar ka kontribuar në arenën ndërkombëtare që ky objektiv strategjik të realizohet. Dhe pavarësia e Kosovës është sigurisht jo vetëm interes kombëtar, por edhe kontribut i qenësishëm për paqen dhe sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor. Ky qëndrim i Shqipërisë sigurisht që do të mbetet i pandryshuar dhe jo vetëm tani, por edhe gjatë 2 viteve të pjesëmarrjes në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë ajo.

“Dua ta them se Shqipëria dhe ne do të bëjmë çmos që çështja e Kosovës të rivihet në vëmendje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo do të jetë një prioritet i rëndësishëm që avancon paqen e dhe sigurinë. Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, një proces i mbështetur edhe nga BE dhe SHBA, sepse përfundimi me sukses i këtij dialogu, patjetër do të mbyllte një nga dosjet më të vështira dhe më tragjike në Ballkanin Perëndimor, por edhe do t’i hapte rrugë edhe avancimit të integrimit evropian për Kosovën dhe Serbinë dhe patjetër do të ishte edhe kyçi për avancimin njëherësh të pavarësisë së Kosovës dhe hapjes së rrugës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”, shtoi Xhaçka.