Kronika e një bllokimi

Nuk ka të ndalur bllokada në Kuvendin e Kosovës. Dallimet ekstremisht të kundërta mes Qeverisë dhe opozitës, ku asnjëra palë nuk dëgjon argumentet e tjetrit, rrezikojnë ta çojnë Kosovën në përplasjen më të madhe që nga shpallja e Pavarësisë.
Për opozitën, situata politike në Kosovë është tepër serioze dhe nuk mund të zgjidhet me mjete policore e as me këmbëngulësinë e pushtetarëve për t’i ikur përgjegjësisë për marrëveshjet në Bruksel. Deri tani ka munguar edhe iniciativa nga pushteti për vendosjen e dialogut me opozitën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përveç thirrjeve nga shumë anë për shmangien e incidenteve dhe veprimeve të dhunshme, është shtruar edhe nevoja e rikthimit të debatit në kuvend partiak. Por, polarizimet mes Qeverisë dhe opozitës janë thelluar aq shumë saqë është vështirë të mendohet se do të ulen në një tryezë të përbashkët për të diskutuar zgjidhjet.
Lëvizjet e tyre, siç ndodh zakonisht në Kosovë, i kanë nisur diplomatët ndërkombëtarë. Ata kanë paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situatë mund ta çojë Kosovën në izolim.
Bllokada
Situata e krijuar pas dy seancave plenare, të cilat u ndërprenë nga opozita me hedhjen e gazit lotsjellës, vetëm sa kanë rritur tensionet mes Qeverisë dhe opozitës. Diskursi i fundit publik dhe rreziku që këto tensione nga Kuvendi të barten jashtë te grupet e shoqërisë, nuk kanë ardhur vetëm si rezultat i sjelljeve të opozitës, por edhe vetë Qeverisë.
http://koha.net/?id=27&l=79971