Fundamenti

Krjimi i monopolit përmes ligjit po dëmton akoma kompanitë telekomunikuese

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Një vendim i ish-kryeministrit Albin Kurti, për përjashtim të Ligjit të Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, po vazhdon t’iu nxjerr probleme kompanive të tjera që ofrojnë shërbime telekomunikuese në vend. Oda Ekonomike konsideron se ky ligj ka shkelur konkurrencën në vend.

Pavarësisht se ky vendim është shfuqizuar nga ana e Qeverisë Hoti në mbledhjen e mbajtur më 7 tetor të këtij viti, IPKO’s po vazhdon t’i mohohet e drejta e ofertimit nëpër disa tendere. Për disa raste, kjo kompani është edhe në konteste gjyqësore.

Se ky vendim është shfuqizuar e kanë konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit për Gazetën Express.

“Në këtë link është i publikuar vendimi për shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë, për dhënien e pajtimit për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurim Publik. Sipas këtij vendimi pika 1.20 e përmend edhe vendimin për të cilin ju keni bërë pyetje”, kanë deklaruar nga ZKM’ja.

Për këtë punë ka dalë me qëndrim edhe Oda Ekonimike e Kosovës dhe Oda Amerikane në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i ka thënë Gazetës Express se vendimi i Qeverisë Kurti për këtë çështje, e shkel konkurencën e tij.

Sipas Rukiqit, çfarëdo veprimi që ua mohon kompanive të tjera që ofrojnë shërbime telekomunikuese për të ofertuar nëpër tendere, është veprim i jashtëligjshëm.

“Ne edhe kur është marrë ky vendim nga qeveria e kaluar kemi dal me një qëndrim të bashkë me Odën Ekonomike Amerikane, se ky vendim e shkel konkurrencën e lirë në treg. Kjo është e padrejtë, sepse përderisa edhe operatorët privatë i kemi licencuar edhe ata punojnë sipas ligjieve të Kosovës. Edhe tash, cfarëdo veprimi që ua ndalon për me marr pjesë është veprim i paligjshëm dhe është rast i mirë për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi ka treguar se në vazhdimësi kanë pranuar ankesa nga kompanitë për këtë vendim.

“Ne vazhdimisht kemi pranur ankesa nga kompanitë dhe kjo është edhe arsyeja pse kemi reaguar kur qeveria e kaluar kishte marrë vendim për me ua kufizu qasjen e barabartë në aplikimin për shërbime”, ka thënë Rukiqi”, ka deklaruar ai për Express.

Eco Higjiena

Por, kompanitë duket se nuk do t’i vuajnë më pasojat e këtij vendimi. Në Komisionin Rregullativ të Prokurorimit Publik thonë se interpretimi për këtë çështje pritet të bëhet gjatë këtyre ditëve.

Kryetari i KRPP’së, Osman Vishaj i ka thënë Gazetës Express se sot kanë pranuar një kërkesë nga një autoritet kontraktues dhe se me interpretimin që i bëhet, do të zgjidhet kjo çështje.

“Është një vendim që është bë herët, por në atë kohë nuk është konsultuar me ne. Besoj që sot kanë bërë zgjedhje, sepse sot ma dërguan një kërkesë që e ka dërgu një autoritet kontraktues dhe besoj që e bajnë interpretimin dhe zgjidhja është e gatshme, sepse kur shfuqizohet një vendim, veprohet me vendimin që ka qenë më herët”, ka thënë Vishaj.

Ndryshe, në kohën kur ishte marrë ky vendim, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte dalë me rekomandim për qeverinë në detyrë të Kosovës.

Në rekomandimin e AKK’së, thuhej se ky vendimi i Qeverisë, dobëson presionin konkurrues që shpie në përforcimin e kompanisë ekzistuese.

“Autoriteti vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 02.04.2020 nr. 05/21 është në kundërshtim me ekonominë e tregut dhe konkurrencës së lirë”, shkruhet tutje.

Autoriteti kishte rekomanduar qeverinë që të rishikojë këtë vendim. Ky rekomandim i AKK’së, ishte bërë pasi që sipas tyre po krijohet monopol në shërbime telekomunikuese.

Nga AKK-ja kishin deklaruar se ky vendim i qeverisë që përjashton Ligjin e Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçanta shtetërore, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht neni 119, pika 3.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, me këtë vendim Qeveria e Kosovës i kishte përjashtuar në tërësi ofertat që mund t’i ofrojnë ndërmarrjet për shërbime telekomunikuese, duke i përjashtuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe duke e bërë monopol natyror, “Telekomin e Kosovës”./Gazeta Express