Krizë për punëtorë: Bizneset kanë filluar të marrin punëtorë nga Turqia e Banglladeshi!

“Kosova po zbrazet” është një seri e re e dokumentarëve të përgatitur nga Expose.

Në pjesën e parë të dokumentarit është pasqyruar kriza e fuqisë punëtore e cila ka goditur sektorin e ndërtimtarisë, gastronomisë dhe prodhimtarisë.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna. Sipas tij, këto sektore nuk po arrijnë të gjenë punëtorë.

“Deri më tani sektorët që kanë qenë më të theksuar janë ndërtimtaria, gastronomia dhe sektori i prodhimit këta ma kanë shprehur shumë qartë në zyrën time se po kanë probleme dhe së është një sfidë për ta për të gjetur punëtorë të rinjë”, tha Rafuna.

Ai e paraqet me shqetësim të lartë këtë situatë, e cila sipas tij është një sfidë e madhe për biznesët.

“Tek bizneset është një shqetësim i madh për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar por edhe të ata të pakualifikuar, që është një sfidë për bizneset, për shkak se mungesa e tyre është shumë e madhe në çdo sektor të veprimtarisë në vendin tonë, e sidomos për prodhuesit. Janë prodhuesit e mobileve që ma kanë shfaqur këtë shqetësim, atyre ju kushton shumë për të përgatitur një punëtor dhe që është më e keqja, asnjë që largohet nga bizneset nuk e paralajmërojnë siç e parasheh kontrata shembull 30 ditë më herët, shumë biznese me kanë informuar se përmes mesazheve njoftohen se unë nga sot nuk do të jem në punë se po iku jashtë. Edhe të ata punëtorët që nuk janë të kualifikuar vërehet mungesë, sektori i gastronomisë e ka shfaqur si problem tepër të madh se nuk po gjejnë punëtor për të shërbyer klientëve”, tha ai.

Të gjendur para një situate të tillë mjaft delikate për të ardhmen e bizneseve, pronarët e tyre, sipas Rafunës, tani janë angazhuar për të siguruar fuqi punëtore nga Turqia e Banglladeshi. Por, që në këta të fundit, ai pohon se nuk po guxojnë të llogarisin fortë, ngaqe ata e shfrytëzojnë Kosovën më tepër si vend tranzit për vendet e BE-së.

“Në disa biznese tani që është duke ndodhur kanë fillu të importojnë fuqi punëtorë, janë dy kompani që kanë shprehur interesim për të importu punëtorë edhe nga Banglladeshi, mirëpo problemin nuk e kemi me Turqitë sa e kemi problemin me punëtorët e Banglladeshit të cilët e shfrytëzojnë Kosovën vetëm si mundësi për të shkuar në vendet e BE-së, pra as me ata nuk jemi të sigurtë që me të vërtetë mund të mbështetemi në fuqi punëtore prej këtyre vendeve që nuk mund të shkojnë në BE, kurse ata nga Turqia ata janë duke punuar dhe punëdhënësit nuk ma kanë shprehur ndonjë shqetësim”, tha kryetari OEK, Rafuna.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS