Krizë besimi te Qeveria, sytë në kisha e xhamia

Sipas raporteve të ndryshme të hulumtimit të opinionit publik, për besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës në institucionet e shtetit, del se humbja e besimit në këto institucione ka një rritje relativisht të madhe që po shkon drejt përshkallëzimit të saj. Një konstatim të tillë e ka nxjerr edhe një edicion special i anketimit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, që u publikua dy ditë më parë, sipas të cilit qytetarët e Kosovës më shumë u besojnë institucioneve fetare sesa atyre shtetërore.
Sado që ky besim në institucionet fetare është më i madh sesa në ato shtetërore, anketimi nuk nxjerr edhe ndonjë disponim qytetar për të mbështetur apo për t’iu bashkuar ndonjë lëvizje ekstremiste në baza fetare për t’u përfshirë në konfliktet e lindjes së mesme, Siri dhe Irak.
Sipas këtij hulumtimi-anketimi, trendët e përgjithshëm tregojnë se të anketuarit ndajnë perceptime më pozitive ndaj institucioneve fetare krahasuar me ato shtetërore. Qytetarët që deklaruan se ata që i besojnë punës së Qeverisë janë 14 për qind, punës së gjykatave rreth 22 për qind, krahasuar me institucionet fetare ku besueshmëria ndaj tyre është 57 për qind. Më tutje ky raport thotë se tradicionalisht qytetarët e Kosovës kanë pasur respekt ndaj institucioneve fetare në Kosovë, por jo domosdoshmërish pikëpamjet e tyre reflektojnë në punën, të cilën e kryejnë këto institucione.
Zonat rurale më të “indoktrinuara”
Një ekzaminim i afërt i rezultateve tregon se ka dallime mes zonave rurale dhe urbane sa i përket besimit në institucione fetare. P.sh. rreth 65 për qind e qytetarëve të intervistuar të cilët jetojnë në zonat rurale besojnë më shumë ndaj institucioneve fetare krahasuar me 49 për qind e atyre që jetojnë në zonat urbane. Megjithatë, kontakti me institucionet fetare është në nivel të ulët. Këto të dhëna përmban raporti i titulluar “Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë”. Sado që ka një besim më të madh të qytetarëve në institucionet fetare në raport me ato shtetërore, gjetjet e hulumtimit të QKSS tregojnë se 95 për qind e qytetarëve të anketuar, e perceptojnë si të dëmshëm vendimin për pjesëmarrjen e individëve në konfliktet në Siri dhe Irak.
Gjetjet tregojnë se sidomos nga viti 2014 deri në vitin 2015 ka pasur rritje të lehtë të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve fetare. Nga 55 për qind sa kanë shprehur besim në vitin 2014, numri është rritur në 57 për qind në vitin 2015.
Megjithatë, qytetarët janë deklaruar edhe rreth neglizhencës nga institucionet shtetërore dhe kjo ka ndikuar me shumë gjasë që kryesisht të rinjtë të zhvillojnë kontakte më shumë me prijësit fetarë, gjë që ka ndikuar direkt edhe në vlerësimin për besueshmërinë ndaj institucioneve fetare në Kosovë. Sipas këtij anketimi, tregues më i mirë i kësaj janë gjetjet që flasin për 61 për qind të qytetarëve që nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë. Vetëm 14 për qind janë deklaruar se i besojnë Qeverisë dhe janë të kënaqur me punën e saj./kosova sot/