Kritikojnë Qeverinë për faturat e KEDS-it

Radhët e qytetareve që po bëjnë ankesa në zyrat e KEDS-it për fryrje të faturave edhe më tej vazhdojnë të jenë të gjata. Dhjetëra konsumatorë edhe ditën e së martën, ia mësynë zyrës për ankesa në KEDS, me pretendimin se këta të fundit, faturat i kanë fryre faturat e fundit.
Një ndër konsumatorëve të cilët ishin duke u ankuar në zyrën e ankesave në KEDS, ishte edhe Bajrush Hoxha, i cili me zë të lartë u drejtohej punëtorëve të KEDS-it. “Vetëm për muajin dhjetor fatura me ka ardhur 190 euro. Ndërkaq, për muajin nëntor, fatura më ka ardhur diku 69 euro. Unë e di se sa mund të kem harxhuar gjatë këtyre dy muajve dhe se kjo shumë nuk përkon aspak me atë të cilën është shpenzuar energjia”, ka thënë ai.
Hoxha thotë se me probleme të njëjta sikurse ai janë përballur edhe fqinjët e tij. “Nuk na duhen neve arsyetime të tyre. Madje as keqardhje siç kanë thënë nëpër deklarata këta të KEDS-it. Neve si konsumatorë na intereson të zbatohen këto shumë që kanë ardhur janë marramendëse”, ka deklaruar ai.
Edhe Fazli Morina, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, me një letër në duar dhe me dy faturat bashkë të muajve të fundit, shihej duke u ngjitur kah shkallet e KEDS-it. Ai pasi që i dorëzoi ankesën që fatura e muajit të fundit i kishte ardhur 143 euro e 70 centë dhe ai këtë gjë e kishte bërë alarmante, ngase siç ka treguar ai, nuk është e mundur që muajin tetor fatura i ka ardhur gati tre herë më pakë se sa në muajin dhjetor Sipas tij, Qeveria duhet të marrë masa ndaj KEDS-it.
Përpos ankesave të cilat i kanë karshi KEDS-it dhe kritikave të shumta për këta të fundit, qytetarët të shumtë, janë ankuar edhe për neglizhencën ose siç e kanë quajtur ata, heshtjen e institucioneve karshi kësaj hajnie, siç dhe e kanë emëruar ata.
Besim Hajdini, ka kritikuar ashpër edhe Qeverinë e Kosovës e cila sipas tij nuk është duke ndërmarrë diçka në lidhje me këto fatura. “Nuk mundem me besuar, se qysh institucionet e vendit, rrinë heshtur karshi këtij krimi. Kjo nuk është bërë vetëm tash, kjo është ka bëhet rutinë qe dy vite rresht dhe ata heshtin nuk u dalin në ndihmë qytetarëve”, ka thënë ai.
Sipas tij, për muajin nëntor, fatura i ka ardhur në vlerë prej 72 euro, ndërkaq për muajin dhjetor i ka ardhur fatura 189.73 cent.
Edhe Anjeza Mejzini, e cila nuk kishte dy javë që kishte ardhur së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj nga Holanda, e që banonin në lagjen “Dardania”, kishte ardhur në sportelin e KEDS-it, me ankesën se dy muajt e fundit, ajo nuk kishte qenë në banesë dhe se faturat i kishin ardhur që të dyja njësoj nga 30 euro. “Unë nuk kam qenë fare këtu dhe fatura më ka ardhur për dy muaj rresht njësoj, nga 30 euro. Erdha këtu të kuptoj se çka është duke ndodhur”, ka thënë ajo. /Zëri/Telegrafi/