Kritikat e PDK-së ndaj propozimit të BE-së, Çitaku: Rezultat i qasjes së papërgjegjshme dhe aventureske të kryeministrit Kurti
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), po e sheh si të mangët marrëveshjen apo dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë në takimet që zhvilluan palët në Bruksel dhe Ohër. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka treguar arsyet pse partia që ajo i takon po e kundërshton një marrëveshje të tillë.
“Dialogu i tillë çfarë është sot me ndërmjetësimin e BE-së ka filluar në kohën kur PDK ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës. Kundërshtimi ynë me marrëveshjen nuk ndërlidhet me zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më herët, ne jemi të shqetësuar me atë se çfarë i mungon kësaj marrëveshje. Ne nuk mund të sillemi në vitin 2023 dhe të llogaritemi të përmbushur në këtë vit duke ricikluar dhe duke rinoterizuar marrëveshjet e bëra një dekadë më herët”, u shpreh Çitaku.
“Fillimisht s’mund ta quajmë as marrëveshje sepse nuk ka nënshkrim, ka një dakordim. Pikë së pari nuk është finale as gjithëpërfshirëse dhe i mungon njohja reciproke në qendër. Kjo marrëveshje ky tekst karakterizohet nga ajo që në diplomaci quhet dykuptimësi konstruktive, e cila është e dobishme për të ndalë luftërat, por për të ndërtuar paqe të qëndrueshme marrëveshja duhet të ketë qartësi”, u shpreh nënkryetarja e PDK-së.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, më tej shtoi se ne nuk mund të presim që aleatët dhe miqtë tanë të jenë më këmbëngulës, më serioz dhe më ambicioz në çështjen e marrëveshjes dhe dialogut sesa jemi ne.
Gjatë intervistës në Telegrafi, Çitaku kritikoi kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij në procesin e dialogut, duke thënë se kjo marrëveshje apo dakordim është rezultat i qasjes së tij arrogante.
“Kjo marrëveshje e tillë çfarë është nuk ka pikur nga qielli, është produkt i negocimit dhe qasjes së kryeministrit Kurti në dialog tash e dy vite. Ju kujtoj këtu kohën kur kryeministri thoshte se dialogu nuk është prioritet fare, ose prioriteti i 7 apo 12. Në vend që dialogu të trajtohej seriozisht dhe kryeministri të shkoj me ofertën e vetë tek aleatët tanë, kryeministri zgjodhi që të hap “front” për targat. Unë kam qenë në SHBA në nëntor të vitit të kaluar na ka marrë shumë energji për me sqaruar pozicionin e Kosovës për targat, sepse është e pakuptimtë për dikë që të bëhen thirrje për luftë për një gjë të tillë, në ndërkohë që ajo çfarë do të duhej të bënte kryeministri ishte të trokas në Washington, Paris, Berlin, Bruksel, Romë e Londër dhe me aleatët të dakordojë një marrëveshje më të mirë…”, tha Çitaku.
Ajo theksoi se fatkeqësia është që ne do të shpenzojmë dekada e vite në një proces dialogu, në ndërkohë që kemi pasur një kontekst të favorshëm për ta përmbyllur njëherë e përgjithmonë.
“Në këtë dakordim kemi ardhur si rezultat i qasjes së papërgjegjshme dhe aventureske të kryeministrit Kurti. Qasja e kryeministrit Kurti në raport me aleatët dhe me dialogun është karakterizuar nga arroganca dhe mungesa e konsistencës. Në vend se të orientojë energjitë për të arritur një marrëveshje finale, gjëja e parë që ka bërë kryeministri ka qenë që të synoj të rihapë çdo marrëveshje të nënshkruar më herët dhe çfarë bëri përfundoj duke mos ndryshuar as pikë as presje. Është shpenzuar shumë kohë nga ana e kryeministrit për të dëshmuar që çdo gjë është bërë keq më herët”, u shpreh Çitaku për Telegrafin.
Nënkryetarja e PDK-së shtoi se ka shumë dilema dhe se nuk e dimë saktësisht çfarë ka negociuar Kurti.
“Kjo marrëveshje na pëlqeu apo jo do të jetë dokument për të cilin Kosova do të jap përgjegjësi dhe llogari pavarësisht se kush do të jetë në Qeveri. Do të doja që kjo marrëveshje të jetë më e mirë për shkak të gjeneratave të ardhshme. Frika jonë është legjitime ne kemi frikën se do të hyjmë në një cikël të pafund të dialogimit”, deklaroi ajo.
Çitaku shtoi se problemi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është i natyrës ekonomike e as tregtare, por problemi është rrënjësisht dhe thellësisht politik dhe vetëm një marrëveshje finale me njohjen reciproke në qendër do ta zgjidhte këtë problem.
Duke folur për qasjen e Serbisë dhe sjelljen e saj në procesin e dialogut, Çitaku tha se Serbia vazhdon të jetë e njëjta që nga konferenca e Rambujesë e deri më sot.
“Sjellja e Serbisë dhe qasja bipolare në politikën e jashtme, se ata vazhdimisht njërën këmbë e kanë mbajt në Bruksel e tjetrën në Moskë, nuk është pozicion i ri i Serbisë. BE-ja për një kohë të gjatë e kanë toleruar sjelljen destruktive të Serbisë në raport jo vetëm me Kosovën por me të gjitha vendet e rajonit”, tha Çitaku. /Telegrafi/