RCCOLA

Kriptovalutat “djegin” kosovarët

/ 8 minuta lexim

Abazi: Shumica e kosovarëve që kanë investuar në këto kriptovaluta kanë humbur ose do të humbin së shpejti

Askush nga institucionet vendore nuk është në dijeni se sa para kanë humbur kosovarët duke investuar në kriptovaluta, ku çmimet e tyre kanë rënë tej mase e njerëzit kanë derdhur edhe kursimet e fundit në këto kriptovaluta. Në mediat vendore e të huaja është raportuar se në kriptovaluta kanë investuar shumë edhe politikanët. Sipas analistëve ka dyshime të mëdha, por edhe fakte se politikanët tanë paratë e vjedhura të kosovarëve, i kanë investuar në kriptovaluta, si një mënyrë për t’i shpërlarë paratë e tyre të pista. Sipas njohësve të kësaj fushe në fokus të qytetarëve tanë, ka qenë mania për të fituar para kur ekonomia nuk ekziston në Kosovë, që ka bërë që qytetarët edhe kanë harxhuar qindarkat e fundit për të investuar në kriptovaluta kur kishte luhatje, por edhe rritje të mëdha të tyre. Gazeta ka provuar që të marrë një opinion nga ana e drejtuesve më të lartë të BQK-së se mos janë në dijeni për paratë e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës që kanë investuar në kriptovalutë. Por gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e Zyrës për Informim të BQKsë. Mirëpo ajo që dihet është fakti se nga ana e drejtuesve të BQK-së investimet në këto kriptovaluta po vlerësohen si të rrezikshme. Krerët e BQK-së kanë sqaruar më herët se investimet të cilat i bëjnë qytetarët e Kosovës në bitcoin dhe kriptovalutat e tjera, rreziqet i bartin vet pasi që nuk kanë ku të ankohen për rimbursim të mjeteve në rast të humbjeve.

Biznes mashtrues, mungojnë të dhënat
Bankieri Milazim Abazi për gazetën “Kosova Sot”, thotë se çështja se sa para kanë humbur kosovarët nëpërmes investimit në kriptovaluta nuk beson se mund ta thotë dikush me saktësi. “Kjo për arsye se nuk besoj se dikush nga institucionet shtetërore dhe rregullative ta kenë mbikëqyrë këtë proces apo të ketë mbajtur dikush evidencë”, u shpreh ai. Por Abazi beson se shumica e kosovarëve që kanë investuar në këto kriptovaluta kanë humbur ose do të humbin së shpejti. “Investimet në kriptovaluta për mendimin tim janë mashtrime të ngjashme me investimet në piramidat mashtruese që i kemi parë në ishJugosllavinë në shkapërderdhje e sipër, si dhe në Shqipëri në përudhen 1994-1997”, shpjegon më tej ai. Ndërsa analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kriptovalutat në vete nuk janë të dëmshme, por nëse nuk di si funksionojnë atëherë kuptohet që nga mosnjohuria ndaj kriptovalutave mund të sjellë falimentim financiar. “Kriptovaluta, e cila ende nuk është rrëzuar është ‘bitcoin’, ku 1 ‘bitcoin’ kushton rreth 5.450 mijë euro. Kuptohet që me daljen e kriptovalutave në treg, sidomos edhe këtu në Kosovë, shumë të rinj, biznesmenë dhe politikanë kanë investuar në kriptovaluta, duke menduar që një ditë do fitojnë më shumë, por vlera e kriptovalutave, është brenda sekondave mund rritet ose të zvogëlohet”, shprehet ai. Sipas Grapcit, ekonomia kosovare nuk mund të rritet nga kriptovalutat, sepse aty përfitojnë personat që merren me kriptovaluta dhe personi që investon.

Interesimi i shtuar në Kosovë
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën, “Kosova Sot”, thotë se tregu i kriptovalutave po zgjon interesim edhe në Kosovë, ku individë e biznese kanë investuar qindramijëra euro, edhe pse është paralajmëruar nga ekspertë të njohur se mund të jetë një skemë piramidale dhe në fund shumica do të humbasin.”Ka kohë që në qarkullimin monetar virtual janë paraqitur një numër i konsiderueshëm i valutave virtuale që njihen edhe si kriptovalutat”, u shpreh ai. “Ende nuk ka hapa konkretë nga ana e BQK-së, përveçqë ka dalë me deklarata se nuk i njeh kripovalutat në Kosovë, asnjë lajm tjetër nuk ka nga ana e tyre. Në anën tjetër shumë persona janë pasuruar brenda natës nga kjo formë e tregtisë virtuale, duke shtuar frikën se ka mundësi që të bëhet edhe pastrim i parave të pista, shumë vende e kanë të rregulluar këtë gjë po për Kosovën rruga nuk është e qartë dhe e sigurt se çfarë drejtimi duhet që Kosova të marrë në përgjigje të sfidave që dalin nga rritja meteorike e kriptovalutave”, vijoi më tej Beqiri. Sipas tij, kjo është më tepër çështje politike, pasi që vendi ka aspirata për në Bashkimin Evropian, çka domosdo do të thoshte varësi nga BQE-ja dhe mekanizmat e tjerë evropian. Ai thotë se problemi tjetër është se BQK-ja nuk ka autoritet për rregullimin e politikave fiskale me euron, andaj është edhe sfidë për të, duhet hapa të mëdhenj për të arritur një kontroll të mirëfilltë.

BQK-JA NUK I KOMPENSON HUMBJET
“Qytetarët, të cilët investojnë në këto valuta dhe mund të kenë humbje nuk mund t’i drejtohen institucioneve vendore, për t’i kthyer këto mjete dhe nuk mund të kërkojnë prej institucioneve financiare në vend, që t’ua kthejnë mjetet, sepse BQK-ja nuk rregullon e as nuk e mbikëqyr dhe as nuk i qëndrojnë prapa këtyre kriptovalutave”, ishte shprehur BQK-ja.

Mobi Casa

PIRAMIDA MODERNE
“Kriptovalutat për mendimin tim janë piramida mashtruese moderne. Në piramida sipas rregullit fitojnë vetëm investitorët e fillimit, ndërsa të gjithë investitorët tjerë e që janë shumica prej tyre (mbi 99 për qind), humbin. Institucionet kompetente shtetërore ka qenë dashtë që të jenë më aktive në shpjegimin ndaj qytetarëve për mashtrimet e mundshme”, tha Milazim Abazi për “Kosova Sot”

INVESTIMI I RREZIKSHËM
“Po te kishte fituar edhe Kosova nga këto kriptovaluta, vetë BQK-ja kishte me dhënë një urdhër tek qytetarët apo leje për të investuar në mënyrë të sigurt, por në fakt investimi në kriptovaluta është si të luash bixhoz, nëse nuk di të luash, i humb të gjitha”, u shpreh Dardan Grapci për “Kosova Sot”.

MF PA PLAN STRATEGJIK
“Nuk kam parë që Ministria e Financave ka ndonjë plan strategjik si të veprohet me trendin aktual, përderisa ka shumë kërkesa nga ana e kosovarëve lidhur me tregun virtual, kemi hasur që janë krijuar edhe biznese në Kosovë të regjistruara pranë ARBK-së dhe operojnë lirshëm në treg ku mund të konvertosh edhe paratë me kriptovaluta”, u shpreh Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”

Investuan edhe kursimet e fundit
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se BQKja nuk kanë të dhëna se sa para kanë humbur kosovarët, duke investuar në kriptovaluta. “Një gjë tashmë po dihet se rënia e çmimit të ‘bitcoin’ ka bërë që të ulet dukshëm numri i të interesuarve për të investuar në këtë kryptovalutë. Përderisa në dhjetor të vitit të kaluar çmimi i saj ishte 16 mijë euro, tani vlera e bitcoin ka rënë në rreth 5 mijë e 700 euro”, u shpreh ai. “Ajo që dihet dhe është brengosëse është se shumë qytetarë dhe biznese kanë derdhur edhe kursimet e fundit në këto kriptovaluta, pasi që bëhet fjalë se investimi në kriptovaluta po vlerësohet si i rrezikshëm, pasi që tregu është shumë i lëvizshëm”, vijoi më tej ai.”E keqja është se në mediat vendore dhe ato të huaja është raportuar se në kriptovaluta kanë investuar shumë edhe politikanët tanë me paratë e vjedhura të kosovarëve që i kanë investuar në kriptovaluta, si një mënyrë për t’i shpërlarë paratë e tyre të pista. Në fokus të qytetarëve tanë, ka qenë mania për të fituar para kur ekonomia te ne në Kosovë nuk ekziston në Kosovë, që ka bërë që qytetarët edhe kanë harxhuar qindarkat e fundit për të investuar në kriptovaluta kur kishte luhatje, por edhe rritje të mëdha të tyre”, vlerësoi Salihu. Sipas tij në këto raste duhet të intervenojnë institucionet e shtetit dhe me ligj të ndalojnë veprimtarinë e kriptovalutës. “Mosmbikëqyrja e kriptovalutave nga ndonjë autoritet bankar dhe financiar të Kosovës i bën investimet në kriptovaluta shumë të rrezikshme. Sepse për dallim me parat që përdorim, ku garantojnë shtetet, për bitcoin dhe kriptovaluta nuk garanton askush nga institucionet shtetërore të Kosovës”, shpjegon Salihu.

(Kosova Sot)